Çitaku provohet në Milan

Herën e parë, 16 vjeçari ishte provuar gjatë verës së vitit që shkoi. Futbollisti i ekipit të të rinjve të skuadrës suedeze IFK Norrkoping gjatë qëndrimit në klubin e Milanit kishte ushtruar me ekipin e gjeneratës ’96.
“Ishte mjaft zbavitëse të takohesha me lojtarë aq të talentuar, me trajnerë dhe me të gjithë të tjerët. Kam ushtruar me gjeneratën 1996. Tash ka mbetur që ata ta bëjnë një vlerësim, më pas të shohim”, thoshte talenti kosovar pas provës së parë që e kalonte tek Rossonerët.
Ndërkaq, pas gjashtë muajsh, Çitaku u ftua sërish në Milanello. Javën që shkoi, ai u provua përsëri te kampioni aktual italian, ku qëndroi disa ditë.
“Provat e tij konsistonin me dy stërvitje të forta, të cilat e kanë testuar si shpejtësinë e lojtarit, ashtu edhe fuqinë fizike. Ai ka zhvilluar edhe ndeshje kontrolluese. Kampi ka qenë mjaft i suksesshëm”, shkruajnë mediet suedeze, të cilat e përmendin faktin se ka qenë mahnitëse për Çitakun të punojë për disa ditë dhe ta shohë se si operon një klub i madh botëror si Milani dhe për ta përjetuar ndjenjën e të jetuarit në hotel me lojtarë të tjerë të rinj.
Gjëja më pozitive është se Çitaku ka shënuar dy gola në miqësoren e fundit të zhvilluar në Milano. Pra, futbollisti kosovar ka bërë punë të mirë, ndërsa tash pret një sinjal nga Italia.