Mbi 150 të vrarë në Siri

Grupi nuk shpjegoi nëse viktimat kishin vdekur të hënën, apo në ditët e fundit, sikur që nuk bëri të ditur se në ç’vend kishin ndodhur vrasjet.
Edhe këshilli, edhe një grup tjetër me seli në Britani, kanë përmendur një grup të madh prej 60 personash, që duket të jenë vrarë jashtë qytetit të rrethuar të Homsit.
Të dy grupet thanë se ka pasur banorë që kanë lëshuar Homsin dhe se në ikje e sipër mund të jenë vrarë.
Ndërkohë, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar tha se Kryqi i Kuq i Sirisë ia ka dalë të evakuojë tre persona nga rrethina Baba Amr e Homsit, njëra nga zonat që është goditur më së shumti nga bombardimet e qeverisë.
Kjo organizatë tha se gazetarët e huaj që janë ngujuar në Homs, përfshirë një fotoreporter britanik dhe një gazetare franceze, nuk ishin në mesin e të evakuuarve.
Në anën tjetër, organi më i lartë për të drejtat e njeriut i OKB-së zhvilloi një debat special mbi Sirinë, për të diskutuar aksionet 11 mujore të presidentit Bashar Al Assad kundër protestuesve anti-qeveritarë.
Thuhet se Këshilli për të Drejtat e Njeriut do të debatojë një projekt-rezolutë e cila dënon “shkeljet sistematike dhe në masë të madhe të të drejtave të njeriut”.