Çitaku rehaton miqtë

Ata që kanë punuar me ministren e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitakun, në kohën kur ajo kërkonte vota në zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar, u është shpërblyer mundi.
Ministrja Çitaku kontributin e dhënë nga ta në “mbledhjen” e votave ua ka konvertuar me vende pune. Ajo nuk ka marrë parasysh faktin se standardet evropiane kërkojnë administratë profesionale e të pavarur, por ka të punësuar tre vëllezër nën kulmin e Ministrisë së Integrimeve Evropiane.
Ajo ka punësuar si shoferë të saj Shaip e Adem Shabanin, ndërkaq si zyrtarë të transportit në këtë ministri ka punësuar edhe vëllanë e tretë, Skënder Shabani.
Këtë gjë e kanë bërë të ditur burime të gazetës brenda Ministrisë së Integrimeve Evropiane, sipas të cilave burime, të tre vëllezërit Shabani i kanë ndihmuar shumë ministres që të mbledhë vota.
“Ata kanë dhënë një kontribut shumë të madh gjatë zgjedhjeve për t’i ndihmuar Çitakut që të mbledhë sa më shumë vota”, ka thënë ky burim.
Në anën tjetër, Çitaku pranon se ka të punësuar dy shoferë që janë vëllezër, por mohon se personi i tretë i së njëjtës familje është i punësuar në dikasterin që ajo e udhëheq.
“Po besoj që e keni fjalën për dy shoferë. Duhet ta dini që shoferi nuk zgjidhet me konkurs, por e zgjedh ministri personalisht vetë”, ka thënë Çitaku të hënën duke mos komentuar nëse të njëjtit i kanë ndihmuar asaj në fushatën zgjedhore.
E për vëllanë e tretë të familjes Shabani, Çitaku pranon se ka punuar në këtë ministri, por thotë se i njëjti nuk është më pjesë e ministrisë që nga gushti i këtij viti.
“Ju lutem, unë nuk merrna me punësimin, por vetëm më treguan personat përgjegjës se Skënder Shabani ka punuar vetëm deri në fillim të gushtit të këtij viti”, ka thënë Çitaku duke rekomanduar gazetën që të kontaktojë me personat përgjegjës të administratës.
Me gjithë përpjekjet e gazetës që të kontaktojë me zyrtarët për informim, me ata të zyrës së sekretarit të përgjithshëm dhe me zyrtarët e administratës e të personelit së Ministrisë së Integrimeve, një gjë e tillë ka qenë e pamundur.
Secili nga ta nuk ka pranuar të flasë, duke rekomanduar që herë të kontaktohet një person e herë një tjetër. E në zyrën e Skënder Shabanit, për të cilin ministrja Vlora Çitaku thotë se nuk punon më, kolegu i Skënderit, i kontaktuar përmes telefonit direkt në zyrë, ka thënë se “Skënderi është në terren dhe mund të telefononi pas një ore”.
Por, edhe pas një ore, kontaktimi me të përmes një telefonate në zyrë ka qenë i pamundur
ngase me kalimin e ditës askush nuk është paraqitur në linjën telefonike.
Në ministrinë e udhëhequr nga Çitaku, i fejuari i motrës së ministres, Edon Cana, i cili është ushtrues detyre i sekretarit permanent, nuk e ka lënë pa shfrytëzuar pozitën e tij për të punësuar motrën e tij Nevzete Cana si asistente të dy zëvendësministrave.
Megjithatë, Edon Cana e ka pranuar se motra e tij është e punësuar në Ministri të Integrimeve Evropiane, por sipas tij ajo është pjesë e stafit politik, ndonëse ajo e ka pozitën asistente administrative, që hyn në kategorinë e shërbyesve civilë.
“Ajo (Nevzete Cana) është staf politik, ku punon si asistente administrative që prej dy muajsh. Caktimi i saj është politik dhe mandati i saj përfundon me mandatin politik të kabinetit. Kabineti ka të drejtë në bazë të ligjit të punësojë cilindo person në kuadër të tij pa asnjë procedurë rekrutimi”, ka thënë ai.
Cana ndërkaq, ka bërë të ditur se ai ka ofruar dorëheqje nga pozita e sekretarit të përhershëm në këtë ministri. “Një punësim i tillë jep një imazh të keq jo vetëm për Ministrinë e Integrimeve, por për tërë Kosovën”, thotë Avni Zogiani, drejtor i Organizatës ÇOHU.
Zogiani vlerëson se përveç implementimit të ligjeve, kriteret bazë për integrimin në standardet evropiane kanë të bëjnë edhe me profesionalizimin e administratës publike dhe pavarësinë e saj.
“Me këtë veprim, Ministria e Integrimeve është duke vepruar në kundërshtim me funksionin për çka është krijuar”, ka thënë më tej ai.
Në një vend që synon integrimin evropian, sipas Zogianit, institucionet evropiane së pari dërgojnë ekspertë për të parë administratën nëse është e pavarur dhe profesionale ngase sipas tij, ky kriter është bazë për integrim evropian. (Zeri)