E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK: MASHT-i po dëmton interesat nacionalë

Nga Express më 14 shtator 2011 në ora 11:24

Partia më e madhe opozitare, LDK sërish e ka akuzuar Qeverinë dhe PDK-në, se tinëzisht, me anë komisionesh politike, po vijon të ndërhyjë në tekstet e lëndës së historisë.

Ekipi i Ekspertëve të Arsimit, Shkencës dhe të Teknologjisë së LDK-së konstaton se me veprime të tilla, Qeveria e PDK-së, nëpërmjet strukturës politike të MASHT-it, po dëmton interesat nacionalë, për interesa e përfitime politike e private të njerëzve të saj, jo vetëm pse po falsifikon historinë, por edhe se po falsifikon të tashmen, duke manipuluar e falsifikuar rezultatet e arsimit në Kosovë.

Nëpërmjet një komunikate të lëshuar për media, LDK konsideron se Qeveria e formoi dhe e mbajti fshehur Komisionin për ndryshimin e teksteve të lëndës së historisë, derisa atë nuk e zbuluan mediet dhe derisa nuk reagoi Lidhja Demokratike e Kosovës. Sipas LDK-së, edhe pas kësaj, herë ministri Buja e herë zëvendësi i tij, Nehat Mustafa, tentuan të falsifikojnë të vërtetën për këtë Komision.

“Edhe pse mohojnë të ketë një marrëveshje për ndërhyrje në tekstet shkollore, në prononcimet e fundit, këta zyrtarë të qeverisë, të zënë ngushtë, konfirmuan se ekziston Komisioni për të cilin është raportuar, madje që ai është duke punuar, por nuk pranuan ta bëjnë publike përbërjen e tij. Nëse kjo është një punë transparente, që nuk e dëmton askënd, punë ekspertësh, siç pretendon Qeveria, pse do të duhej të mbahej fshehur Komisoni dhe përbërja e tij?”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Madje LDK shtron edhe pyetjen se nëse kjo nuk është punë e politikës, përse për të flasin zyrtarët e Qeverisë e jo përfaqësuesit e Komisionit.

“Për të gjitha këto ka një përgjigje të vetme: Kështu sillen njerëzit e qeverive jotransparente e të papërgjegjshme, kështu sillen kudo njerëzit e paditur, edhe kur shpallin që po synojnë Shtetin e dijes”, thuhet në komunikatë.

Ekipi i Ekspertëve të Arsimit, Shkencës dhe të Teknologjisë së LDK vlerëson se vargut të falsifikimeve të MASHT-it tani i është shtuar edhe rezultati i provimit të përsëritur shtetëror të maturës.

Lidhja Demokratike Kosovës shpreh shqetësimin e thellë për veprimet e tilla të dëmshme e të papërgjegjshme të Qeverisë e të njerëzve të PDK-së.

Më tutje, Lidhja Demokratike e Kosovës konstaton se me veprime të tilla Qeveria e PDK-së, nëpërmjet strukturës politike të MASHT-it, po dëmton interesat nacionalë, për interesa e përfitime politike e private të njerëzve të saj, jo vetëm pse po falsifikon historinë, por edhe se po falsifikon të tashmen, duke manipuluar e falsifikuar rezultatet e arsimit në Kosovë.

Ndër të tjera, Ekipi i Ekspertëve të Arsimit, Shkencës dhe të Teknologjisë së LDK-së thotë se Kosova duhet të përballet me të gjitha të vërtetat e saj, pa pranuar mashtrimet e përditshme të Qeverisë së PDK-së dhe pa e lejuar atë që të falsifikojë të vërtetat.

“Vetëm duke mos pranuar mashtrimet për interesa të vogla, do të mund të nisim rrugën e rezultateve të mëdha”, vlerëson LDK.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›