E Diel, 1 Nëntor 2026

“21 janari”, familjarët e viktimave: Vendimi i Gjykatës, tallës dhe fyes

TIRANE – Familjarët e viktimave të “21 Janarit” ndihen të fyer nga vendimi i Gjykatës së Apelit në Tiranë, për dënimin me 1 vit burg të ish- komandantit të Gardës, Ndrea Prendi dhe 3 vjet burg për ish- gardistin Agim Llupo, me motivacionin "vrasje nga pakujdesia".

Djali i demonstruesit të vrarë Faik Myrtaj, në një prononcim për “News24”, kërkoi që drejtësia të vendoset në vend dhe të dënohen ata që u dhanë urdhrin gardistëve për të qëlluar ndaj protestuesve. Renato Myrtaj shprehu besimin se qeveria e re e kryeministrit Rama “do t’i çojë gjërat në vend”. 

“Ky vendim nuk më çudit aspak, sepse tërë këta gjykatës që Berisha ndërroi do ishin në anën e tij. Ndërroi disa gjykatës, s’do mend që atë do mbështesin, jo mua. Vetëm unë e di se si ndihem. Shpresojmë tek kryeministri Edi Rama, jam tepër i bindur që nuk do ta lerë aty, çdo gjë do ta çojë aty ku duhet, jo vetëm për çështjen e 21 janarit, por për çdo gjë që ka ndodhur në këtë vend. Drejtësia është e para që mund ta rilindësh këtë vend, por jo me këta gjykatës të korruptuar. Ka tepër punë. Gjërat mbeten për tu parë pas një viti pas dy vitesh. Momentalisht nuk kam besim tek gjykatat. Të dënohet ai që ka dhënë urdhrin, autori të verë në vendin e duhur.”- deklaroi Renato Myrtaj.

Ndërkohë edhe familjarët e të ndjerit Ziver Veizi janë shprehu të zhgënjyer nga vendimi i Gjykatës së Apelit. Motra e Veizit deklaroi se vendimi i Gjykatës është tallës dhe fyes. “Drejtësia në Shqipëri duket e pamundur.”- deklaroi ajo.

Gjykata e Apelit në Tiranë dënoi pasditen e sotme me 1 vit burg ish-komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendin dhe 3 vjet burg ish- gardistin Agim Llupo, me motivacionin "vrasje nga pakujdesia".

Ndonëse dje Prokurori Shkëlqim Hajdari, gjatë seancës për gjyqin e "21 Janarit" në gjykatën e Apelit, ka kërkuar 23 vjet burg për ish-kreun e Gardës, Ndrea Prendin, që akuzohet për vrasjen e Faik Myrtajt dhe 25 vjet burg për gardistin Agim Llupo, trupa e Gjykatës së Apelit, me kryetar gjyqtarin Agim Bendo, vendosi 1 vit burgim për ish-kreun e gardës dhe tre vite burgim për Llupon.
Në demonstratën e 21 janarit u vranë shtetasit Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›