E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mulliqi e ndërpretë në gjysmë shfaqjen - shkak, qeshja e publikut!

“Trenat” titullohej drama e Haqif Mulluqit që u ngjit në skenën e Odeonit të Apollonisë mbrëmjen e 22 korrikut, por që nuk mundi që të shkonte gjer në fund. Një shfaqje që fare mirë hedh poshtë faktin që nuk kemi dramë të mirë shqipe sot, raportonte “Shqiptarja”. Drama me regjinë inovative të Agim Selimit dhe lojën e shkëlqyer të dysheve të aktorëve Ikballe Qena (Vini) &Ismet Azemi (Vini) dhe Zanë Duraku (Vini)& Fetah Paçarizi (Veni) dhe pse qe një leksion se si mund të jetë një shfaqje teatri, nuk e pa fundin e saj në skenë.

Publiku i shumtë që kishte mbushur shkallët e odeonit, nuk arriti të përthithë dramën e absurdit që trajtonte dhuniumin dhe përdhunimin e grave kosovare nga forcat paramilitare serbe. Ndërkohë që të vinte të qaje kur personazhi femër Vini ulërinte “Po vijnë, ata po vijnë Vini”, pak çaste para përdhunimit, publiku (më së shumti fare iI ri në moshë) qeshte.

Kur personazhet heshtnin disa çaste në meditim, duke u munduar të iknin nga vetvetja (por a mund të shpëtojë njeriu nga vetja), publiku (gjithmonë një pjesë e tij, dhe respekt për pjesën tjetër), bënte zhurmë. I gjendur para një situate të tillë, autori Haqif Mulliqi, mori një vendim ekstrem, duke e ndërprerë shfaqjen dhe larguar aktorët nga skena. “Një pjesë e publikut nuk e meriton lojën e aktorëve të mi, kështu që ne po e ndërpresim shfaqjen”, tha autori, shkruan Koha Ditore.

I pyetur pak çaste pasi ndërpreu shfaqjen dhe largoi aktorët nga skena dramaturgu Haqif Mulliqi do shprehej: “Më vjen keq, por dhe pse u bëmë disa herë kërkesë që të mbanin qetësi, një pjesë e publikut nuk e respektuan punën e trupës time. E kuptoj që kjo është një shfaqje e vështirë, që mund të kërkojë një publik specifik, ku për herë të parë shfaqja ka animacion, e ndarë në tre pjesë mund të merrej si një e vetme, me personazhe të interpretuara nga dy grupe aktorësh, të cilët në momente të caktuara dhe këndojnë në skenë, meritonin më shumë respekt.

Ne kemi bërë gjithë atë rrugë për të interpretuar para publikut në Apolonni, por dhe publiku duhet të na respektojë”…

"Trenat" e Haqif Mulliqit nuk trajtonte trenin me të cilin është shërbyer makineria serbe për deportimin e dhunshëm të rreth 1 milion shqiptarëve nga trojet e tyre, por trajton një moment jetësor të qenies njerëzore ku shkaku i dhunimit dhe përdhunimit, identiteti dhe integriteti personal i qenieve njerëzore shkatërrohet deri ne atë masë sa del nga binarët jetësor.

Vini dhe Veni grua e burrë janë dy personazhet e kësaj drame të trishtë që ndodhen në pritje të trenit për të ikur nga fatkeqësia e pritshme që mund tu vinte nga çmenduria çetnike e pushtuesit. Por treni nuk vjen. Vijnë ata që dhunimin dhe përdhunimin pa e zgjedhur moshën (nganjëherë as gjininë) e përdorin si mjet, si armë lufte. Këtu nis drama "Trenat" e Haqif Mulliqit personazhet e se cilës edhe pas pësimit, mbesin në pritje te trenit, por tani për të ikur nga vetja e tyre. Mbesin në pritje të atij treni që do ti shpinte diku, kudo qoftë, larg qenies së tyre fizike, shpirtin, psikën, emocionet, ndërgjegjen , gjakun... e tyre. Dhe (natyrshëm) ai tren për Veni-Vini-n nuk vjen kurrë./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›