“Berisha e Demaçi ishin kundër marrëveshjes që i hapi rrugë pavarësisë së Kosovës”

Në kuadër të 5 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, kreu i PDS, Paskal Milo komenton mbi Konferencën e Rambujesë.
“Rambujeja mbetet një gur themeli në pavarësinë e Kosovës. Madje e kam nënvizuar dhe e them përsëri për një “Kosovë të pavarur”. Dikush mund të shprehet se kjo nuk është e saktë, ose sepse mbi këtë konferencë mund të ketë edhe sot nota subjektivizmi ose emocionale për shkak të rolit që patëm ne si qeveri në organizimin dhe mbarëvajtjen e konferencës. Por nuk jemi vetëm ne shqiptarët që e pohojmë këtë, por edhe protagonistët e atyre ditëve, e atyre ngjarjeve,” thotë Milo për Shqiptarja.com.
Milo tregon se në atë kohë Presidenti Klinton, zonja Ollbrajt, zoti Talbot, apo zoti Hollbruk, jepnin porosi për të mos i marrë në konsideratë luftëtarët e UÇK, apo për të mos i mbështetur ato, por në atë rast ne nuk i dëgjuam miqtë dhe partnerët tanë amerikanë.
“Ne sigurisht që kemi pasur biseda të shumta me përfaqësuesit e SHBA dhe BE dhe kemi bërë edhe debate, në fakt më shumë me europianët se sa me amerikanët. Tek amerikanët ne hasnim një farë mirëkuptimi. Edhe atëherë kur ata shpreheshin se këta persona që kishin dalë në emër të UÇK-së duhej të cilësoheshin “terroristë”, ata shfaqeshin gjysmë të bindur, nuk është se nuk e kuptonin të vërtetën, por duke qenë se nuk kishin hë për hë mbështetjen e partnerëve të tjerë perëndimorë, qëndronin disi të tërhequr, por ata për fat, shumë shpet e korrigjuan qëndrimin e tyre dhe në qershor 1998, kur Riçard Hollbruk shkoi në një mision të fshehtë në Drenicë, dhe pas këtij momenti SHBA nuk përdorën më fjalën “terroristë”, nënvizon Milo.
Milo tregon se gjatë asaj kohe kishte dërguar dy misione në Shkup për të biseduar me përfaqësuesit politikë të Kosovës, me LDK-në, me UÇK-në, me partinë e z.Qosja, në atë kohë të sapoformuar, dhe pas ishin bërë këto takime, në fillim të janarit 1999 i ka ftuar të gjithë në Tiranë.
“Në periudhën nga vendimi i Grupit të Kontaktit e deri sa delegacioni i shqiptarëve të Kosovës shkoi në Rambuje, ne na është dashur të bëjmë përpjekje maksimale për t’i bindur ata të shkonin, i kemi thirrur disa herë në zyrën time, në Tiranë,” tregon Milo.
Luhatjen e Berishës në atë kohë, Milo e komenton kështu: “Momentet historike të vështira dallojnë lidershipin e çdo vendi. Nëse di të orientohesh, përfaqëson një politikan dhe një vizionar të mirë, nëse në një moment të caktuar historik nuk di të orientohesh, por shkon kundër rrymës,padyshim se historia do të vendosë notë negative. Kështu ndodhi edhe me Berishën, kryetarin e PD-së në atë kohë në opozitë. Ai duke qenë i prirur për të kundërshtuar çdo iniciativë apo veprim, iu kundërvu edhe qëndrimit të SHBA dhe BE. U bëri thirrje shqiptarëve të mos shkonin në Rambuje, madje shprehimisht ka thënë: “Kush shkon në këtë konferencë, është tradhtar i kombit!” Koha e vërtetoi se ata që shkuan në Rambuje ishin patriotët më të mëdhenj që i vunë shpatullat e pavarësisë së Kosovës, dhe ata që u përpoqën të pengonin procesin, dëshmuan se ishin patriotë fallco dhe se patriotizmin e përdorin për qëllimet e tyre politike të ditës”, sqaron Milo.
Një tjetër aktor i politikës kosovare, Adem Demaçi, gjithashtu iu kundërvu Rambujesë, sipas Milos se “nuk ishte shumë i informuar dhe duke qenë se kërkonte një rol protagonisti, përtej kapaciteteve të tij të mundshme…”
Për Milon, përshkrimi i Millosheviçit është i tillë: “Millosheviçi me pak fjalë ishte jo vetëm diktator, jo vetëm paranojak, por ishte tmerrësisht kokëfortë dhe i paepur në rrugën e marrëzisë dhe në vizionin që ndante. Unë mund t’ju pohoj me përgjegjësi të plotë se ai ka thënë “jo” dokumentit dhe Konferencës së Rambujesë, i tha jo Hollbrukut deri në momentin e fundit, duke e ditur shumë mirë se pas kësaj do të fillonin bombardimet. Ka shkuar me ndërgjegje në vendim për shkak të egoizmit të tij të madh, paranojës së tij, për të mos ulur hundën para amerikanëve. Këtë mund ta bëjnë vetëm politikanët paranojakë. Nëse edhe politikanët më me sedër vendosin në peshore interesat e kombit mbi ato personale, do të vepronin ndryshe, por ai preferoi më mirë bombardimin, vetëm e vetëm që ai të mos shfaqej si i përulur para amerikanëve”.
Për sa u përket deklaratave të fundit të Thaçit, Milo shprehet se ai duhet të ruajë vetëkontrollin dhe të mbajë marrëdhënie të mira me qendrat e vendimmarrjes ndërkombëtare, pa të cilat Kosova nuk ecën dot përpara.