E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Bert Ndrenika, si e hoqëm nga ‘Fije që priten’ prej të vëllait”

Miku im i vjetër, regjisori Muharrem Fejzo së afërmi do të festojë 80-vjetorin e jetës së tij dhe duke lexuar kujtimet e tij të pabotuara ende, mbi të gjitha spikat jeta e tij në film, kinematografia, 24 kuadro në sekondë, "camera obscura" ku Lumierët kishin gjetur çelësin e magjisë dhe Meliés e kishte kthyer në art; krijimtaria në epokën e "plumbit", ku ishte dashuria për artin dhe ethja e krijimit të figurës, miqësia e pastër në sheshin e xhirimit dhe "gijotina". Jo, nuk është fjala për gijotinën e sheshit të Concorde-s në Paris, gijotina e kokave të prera të Revolucionit francez dhe pas revolucionit. Ishte një tjetër gijotinë, ajo e censurës, ajo që për artistin shqiptar në epokën totalitare qëndronte e frikshme para gjithë artistëve, e rëndë si në një pikturë të Viktor Hygosë për gijotinën, pasi kjo lloj gijotine kishte prerë jo pak koka që në krijimin e kinematografisë shqiptare dhe mund të priste gjithashtu. Të gjithë ne që kemi jetuar në atë epokë dhe kapërcyellin midis dy epokave, i kemi ende të gjalla ato vite kur fati i filmit varej gjithnjë nga ata që ishin "lart", kur të gjithë prisnin se çfarë do të thoshte ai "lart". 

Muharrem Fejzo na e kujton sërish fytyrën e kinomekanikut të Enver Hoxhës që projektonte filmat për të (një sivëlla me atë që i shfaqte filmat Stalinit). Kur ai vinte në Kinostudio apo thuhej se ka ardhur "Bajrami", artisti që priste "vizën" e veprës së tij nxitonte menjëherë ta pyeste. Nganjëherë i qëndronte afër për të kapur shprehjen e fytyrës së tij, përgjithësisht pa fjalë. Por një qëndrim i ftohtë apo një buzëqeshje e tija do të thoshte shumë. Aty ishte vetë fati i veprës filmike. Në sytë e Muharrem Fejzos, në pragun e 80-vjetorit të tij, jeta në film i ngjan çuditërisht vetë një projeksioni filmik, ku ngjarjet janë kthyer në imazhe, në sekuenca filmike që zëvendësojnë njëra-tjetrën, herë një digresion, herë një "rakus" apo "plongé" herë një "errësim kuadri" ku artisti e ka ndjerë veten në qorrsokak, apo një "travelling" i paqtë pas një krijimi të suksesshëm. Gjithçka përmblidhet në atë projeksion intim, midis tij dhe artit, midis regjisorit që nuk xhiron më dhe imazhit të krijuar, elemente të një jete nga një nxënës i Liceut Artistik në Tiranë, në një sufler teatri, një piktor e skulptor, një grimier dhe krijues personazhesh, si adhurues i Ejzenshtainit, Brehtit, De Sikës apo De Santis dhe epokës së neorealizmit italian, gjer në figurën e një regjisori që shikonte me admirim nga "nouvelle vague" franceze, ajo e një "dirigjenti" filmik të artit të shtatë, duke rikrijuar një realitet të dytë, siç e kemi parë në filmat e tij, në 'Mësonjëtorja', në 'Kapedani', (me Fehmi Hoshafin) në 'Një emër midis njerëzve' e shumë të tjerë. Ja çfarë shkruan ndër të tjera ai në kujtimet e tij, duke na kujtuar një nga krijuesit e teatrit shqiptar, të cilin dhuna e hodhi në spitalin psikiatrik të Tiranës: 

"… Dikush më vjen nga mbrapa dhe më zë sytë. - Gjeje kush jam! - U tremba se mendova mos jetë ai i dhomës. I prek duart. Janë të buta, të pavrara. Po ai zë i ngjirur, me atë të qeshur karakteristike... e kisha dëgjuar... Ia heq duart me forcë. Kthehem dhe shoh! - Selman Vaqari?! - Po, ishte ai, themeluesi i "Debatikut", organizatës së rinisë antifashiste... i vetmi dramaturg, regjisor shqiptar që renditej në "Enciklopedinë Ruse"… Pasi shkundi kokën, me gishtin përpjetë, korrigjoi: - Ish, Selman Vaqarri. Ai i pari ka mërdhif... - foli me atë zërin e tij të ngjirur grykor. Nuk më pyeti fare pse isha dhe unë aty, po përnjëherë më futi krahun dhe si miq të lashtë, filloi të më njohë me krijimet e tij letrare... Qeshi. Sytë i kishte tepër të ndritshëm, me një shkëlqim të veçantë... Buza e tij e sipërme e dyfishtë zbuloi dhëmbët e zverdhur nga e palara. Fliste me pasionin e një poeti të vërtetë.
* * *
"Koha është mashtruese. Ajo të vjedh jetën pa e kuptuar dhe ne i jemi mirënjohës. Koha është largësia midis dy dyerve. Në njërën hyn dhe në tjetrën del. Unë po gëlltis një pjesë të udhës që kam përshkuar për të arritur në vitin 1974..." Atëherë Muharremi donte të realizonte një film për një fillrojtës, të quajtur Pjetër Llesh Doda, akti i të cilit e kishte frymëzuar shumë, madje dhe për një bust, por të tjerë do ta realizonin filmin, ndryshe nga ajo çka kishte menduar ai, duke i lënë një shije të hidhur. "Kisha propozuar romanin e Sterjo Spases "Zgjimi", - shtoi ai në kujtimet e tij. - Më pëlqente tema e Rilindjes. Trilogjia e shkrimtarit nga Prespa e vogël, më kishte bërë për vete me ngjarjet, personazhet e skalitura dhe atmosfera e atyre viteve plot brengë e trishtim. Të forta dhe plot kolorit kombëtar ishin dhe tregimet e admirueshme të Mitrush Kutelit. Por nuk e di pse regjimi nuk e shikonte me sy të mirë atë kollos të letërsisë shqipe. "Zgjimi" fjeti nëpër sirtarët e redaksisë e drejtorisë për një kohë të gjatë. Kohë që arriti në moszgjim. Më vinte rëndë nga shkrimtari Spasse dhe nga Ilindeni, i biri, i cili u angazhua që bashkë me mua të shkruanim skenarin. Në faqet e tij këlthisnin fjalët: 'Bota e hiçit sillet rreth hiçit dhe përfundon në hiç'. Të kujtonte Franc Kafkën. E ndjeva që gjithë ajo punë që kisha bërë për "Zgjimin" po shkonte dëm. Atëherë iu vardisa "Ali Pashës". Iu qepa keqas temës historike... 

Mbledhje urgjente në sallën e madhe. Në Kinostudio kishte ndodhur një ngjarje e shëmuar. Do të diskutohej filmi "Racionalizatorët" i Mit'hat Fagut. Salla e mbushur mizëronte. Të gjithë sytë përshkonin vjedhurazi kokat e të pranishmëve dhe ndalonin për një çast te figura e zbehtë e Mit'hatit i cili kishte zënë vend në krahun e djathtë, te ndenjëset përbri murit. Ai po priste si i pandehuri fjalën e ashpër të prokurorit, dënimin. Filmi i ndërtuar me intervistimet dhe ballafaqimin e mendimeve midis specialistëve dhe kuadrove shtetërore, i kushtohej revolucionit tekniko-shkencor. Jo! Shokë e shoqe! Ju jini treguar syleshë, bashkëpunëtorë të këtij njeriu që partia i kishte besuar frontin më të rëndësishëm ideologjik, Kinostudion... Po le të na thotë ai pse ka rënë në pellgun e revizionizmit, a i lexon ky njeri materialet e partisë, fjalën e shokut Enver, a aktivizohet ky në përgatitjet politike... çfarë lexon, me kë rri, a i kontrollon Partia këta njerëz? Zgjohuni shokë. Partia pret nga ju ushqimin e shëndetshëm ideologjik në shërbim të popullit tonë heroik. Fol ti! Pse e ke bërë këtë palo film! - Gishti i tij drejtuar Mit'hatit ngjante si një tytë pushke.... Mit'hati u ngrit ngadalë. Pati një marramendje dhe mbështeti dorën te muri i ftohtë. Sytë e tij ishin të zbrazur, pa jetë. Vështrimin e hodhi te dora e tij me gishtat që i dridheshin. Një lot shkëlqeu për një sekondë në qoshkun e syrit. E pruri në vete zëri i ashpër i të deleguarit: - Fol! - Unë u nisa me qëllimin e mirë për... - I deleguari u ngrit më këmbë dhe me atë gishtin e përthyer si bisht qeni kërcënoi: - Për të nxjerrë mjerimin e klasës punëtore, për të nxirë realitetin, për të mashtruar opinionin e shëndoshë.... - Mit'hati hesht duke parë dorën e tij mbështetur te muri me gishtat që nuk gjejnë qetësi. Mandej sheh përreth, pa parë asgjë veç një mjegulle të bardhë që rrethon gjithçka... Kështu, Mit'hatin e dërguan në punë krahu në fabrikën e tullave dhe mbas dymbëdhjetë vjetësh e pa sërish derën e Kinostudios... në filmin vizatimor. Ato ditë, njerëzit ishin të heshtur, të merakosur. Të pasigurt...

1972. Kishte pushuar një shi i rrëmbyer pa shkak. Pullazet e ndërtesave shkëlqenin nga rrezet e diellit. Nga asfalti i rrugëve ngrihej avull. Kalimtarët qëmtonin vendin ku do të hidhnin këmbën për të mos rënë në gropat e mbushura ende me ujë. Sakaq u gjenda te autobusi i linjës. Isha veshur mirë, se do të vinte aktori i bujshëm kosovar Bekim Fehmiu. U prit me gjithë nderimet dhe respektin që i takonte këtij aktori me origjinë shqiptare... Kur u ndodha vetëm me të, i fola për dëshirën time të madhe: xhirimin e një filmi për Ali Pashë Tepelenën. Fytyra iu ndriçua. U kthye me gjithë trup nga unë dhe më hodhi dorën mbi sup. - E kam pa në enciklopedinë shqyptare kët figurë madhështore... Paj a din ti gjakimin tem? Kam shum dëshiri me luejt figura qi mi kanda boll. Aliu asht figura ma intriguese, preston mjaft për nji vepër filmike me pjesmarje botnore!... Por as 'Zgjimi' nuk u zgjua, as Aliu nuk e pa veten në ekran. Ditët dhe netët përpëlitnin mendime të ndryshme…"

Po, kështu kalonin ditët dhe netët e Muharrem Fejzos dhe të gjithë artistëve të tjerë, të cilët, për të "qenë brenda", siç thuhej atëherë në korridoret e Kinostudios, Televizionit, teatrit etj., diku në sfond vihej një portret i Enver Hoxhës, diku një parullë për Partinë, diku një citat në parathënie, ashtu siç ndodhte në librat e historisë, të artit, kudo... Ishte kompromisi i detyrueshëm i artistit, pasi ndryshe, askush nuk mund të krijonte, gjeniu po ashtu. Dhe ndërkohë, në kujtimet e tij, atëherë kur sapo kishte filluar xhirimet e filmit 'Fije që priten', Muharremi kujton: 

"Atë ditë që kompozitori do të shihte filmin, në oborrin e Kinostudios hyri me uturimë dhe një "Gaz". Që andej zbriti fytyrëvrarë, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Fiçor Shehu. Mbetëm të befasuar pse do të kishte ardhur. Përpara doli drejtori ynë, bashkë me shokët e Partisë. Ngjitën shkallët dhe morën drejtimin për nga salla e shfaqjeve. Hapat e grupit oshëtinë në tremën e studios. Shoku Fiçor panoramoi vështrimin në stendat e mëdha vendosur në muret e sallonit të madh. Një bisedë e shkurtër përpara shatërvanit të vogël në murin përballë. Drejtori më bëri me shenjë që të përgatisja shpejt shfaqjen e filmit. Isha në pultin e komandimit kur dera u hap dhe brenda hyri Shoku Fiçor. Pasi u ulën të gjithë, drejtori ktheu kokën nga unë dhe më dha shenjë të filloja. Ashtu u bë. Filmi kaloi akt pas akti në një heshtje klithëse! Ishim të gjithë të hamendësuar! Ç'të ketë ndodhur vallë? Zemra po trokiste në kraharuar. Ndjeva veten t'i ngjaja një trungu pa rrënjë, pa degë. Lëkura më mizëronte. Trokun e zemrës e ndjeja te kokërdhokët e syve. Filmin e pashë por nuk mbaja mend asgjë. Shoku Fiçor m'i mbërtheu sytë me një zhbirim të frikshëm. Po rrija mbi gjëmba derisa ai të fliste. Krahu i tij u ngrit dhe peshoi mbi shpatullën e drejtorit. Ai u bë flakë në fytyrë. - Mirëëëë, - shfryu zavendësi. - More, po ky artisti sikur vërtet ka qënë në organet tona. Ka punuar mirë qerratai. - Po notoja në një mjegullnajë hamendësish. Për kë e kishte fjalën? Për Kadriun me siguri. Apo për Demirin? Hamendjen time nuk e la të hiqet zvarrë kur përmëndi mbiemrin: - Ndrenika e ka mbiemrin ky djali apo jo? - Po, - u përgjigjëm njëzëri për vlerësimin e Robertit. Ai nuk foli më gjatë dhe gracka e dyshimit u tendos sërisht. Vështrimin e hodhi te këmbët, panoramoi vertikalisht deri te sytë e mi. Mori frymë thellë dhe më pas lëshoi kumtin e hidhur: - Duhet ta zavendësosh shoku regjisor! Me siguri ju nuk mund ta dinit që ai ka një vëlla të arratisur! Ndryshe nuk mund t'i besonit atij rolin kryesor dhe për më tepër atë të punonjësit të armës së sigurimit. Apo jo? Ë? ... Gjithë koha paskëtaj hyri në një mjegullnajë. Mijra mendime trokisnin në trurin tim të lodhur. E përfytyroja Bertin, të cilin e njihja që në fëmininë e tij, në mes të asaj andralle që do t'i linte gjurmë gjatë gjithë jetës. Si do t'i dilja përpara? Me ç'sy e faqe do të mund të uleshim bashkë për një kafe a birrë? Ishte një hamendësi rraskapitëse. Por ndodhi ajo më e pabesueshmja. Berti kishte një bujari shpirtërore për ta pasur zili! Ai jo vetëm nuk m'u zemërua, por hynte në travajet e mia. E merrte fajin për vete. Ishte bërë ai, shkaktar i rixhirimeve. I hedhjes në gropën e krematoriumit të qindra metrave film! I lodhjes, mundimit të një grupi të madh njerëzish... Kjo ishte fisnikëria e këtij aktori të madh që jeta e tij e paskëtajme do të pasurohej më tej me role të njëpasnjëshme, të gjitha të realizuara më së miri. Unë u qetova vetëm kur e mora në rolin e "kockës", tek filmi "Mësonjëtorja"...

Kjo ishte dhimbja e përhershme e artistit përballë censurës dhe ai ndjehej i pafuqishëm ndaj saj. Kështu kishte ndodhur me të gjithë. E pamundur t'i bëje të kuptonin ata lart se kjo ishte "gjuha e filmit", se filmi operon me "simbole", etj., etj. Kështu do t'i ndodhte Muharremit dhe pasi mbaroi filmin e dashur të tij 'Gunat përmbi tela' mbi Luftën e Vlorës në vitin 1920... "Filluam krehjen dhe qethjen. Gijotina, (ngjante shumë mekanizmi i prerjes së celuloidit, me atë të prerjes së kokave.) Thika e mprehtë e vërejtjeve të panumërta, ra mbi atë skenë të bukur njerëzore kur luftëtari Velo, (Luftar Pajo), ngre drejt qiellit djalin e tij motak dhe i puth "lulet". Mendimi regjisorial ishte se ai ngrinte lart të ardhmen, drejt qiellit, liria për të cilën do të sakrifikonin jetën. Kush e di si u përdrodh ky imazh në trutë e syçeltëve sipëranë. Dyshimet, si ai grami i keq, kishin mbirë gjithkah e tek gjithkush... Një tjetër episod: Ëndrra e Hodos, djalit të fshatarit që përballoi me dyfek një skuadër karabinierësh italianë, përfundoi në kosh e më vonë në krematoriumin e celuloidit. Pra, frika u kishte hyrë në palcë dhe atyre që kishin kryesuar luftën heroike partizane. Frika, dyshimi se edhe një ëndërrim, alegori, mund të prodhonte energji vepruese, apo qëndrimi metafizik mund të mjegullonte arsyen e popullit, bëri që ai episod që e kisha aq shumë për zemër, të gijotinohej. Po kështu episodi i gjakësve. Që në episodet e para, në demonstratën në "Shesh të Flamurit", Hodoja, protagonisti, përleshet me karabinierët e armatosur mbi kuaj. Në mes të kryengritësve, ai dallon gjaksin e tij. Në çastin kur ata përplasin vështrimet, kalorësi i armatosur qëllon Hodon me qytën e armës, i cili bie në shesh i gjakosur. Elipsi kinematografik, ishte përqasja që në kohën e Skënderbeut, kur ai udhëzonte që kur atdheu është në rrezik, të gjitha gjakmarrJet të lihen mënjanë... Në gijotinë! E gjithë linja e gjakësve. Jo! Kurrsesi! Ngjante e pamundur. Ishte një shtjellë që bymehej, shkreptinte e nuk bindej... Kështu do të mbaronte dhe filmi 'Kapedani', me një fund skematik: Luftëtarët marrin kalanë dhe ngrenë lart flamurin me shqipen dykrenore në mes..."

Kujtimet e tij, Fejzo i ka titulluar "Fjalë të pathëna". Të pathëna, ndoshta sepse deri tani ai nuk ka shkruar në shtyp për jetën e tij në art; të pathëna, sepse ai kërkon të na lërë pas ngjarje ashtu siç kanë ndodhur, pa zbukurime, duke na treguar njëkohësisht dhe për fatin e atyre që vuajtën aq shumë nga dhuna mbi artin. Po, kështu ka ndodhur. Si mund ta harroj atë ditë kur mikun tim, regjisorin Kujtim Çashku, e lanë jashtë sallës kur komisioni nga "lart" do të vendoste mbi fatin e filmit të tij "Të paftuarit?" Si mund ta harroj kur donin ta dënonin sepse filmi dokumentar që kishte realizuar (me një skenarin tim) u cilësua formalist dhe u asgjësua, aq sa negativi i atij filmi nuk gjendej më? Si mund t'i harroj sytë e përlotur të Rikard Ljarjes, kur pas dënimit të Bashkim Shehut si regjisor i filmit "Skëterrë 43", atij i kishin thënë të largohej nga Kinostudioja drejt maleve veriore? Shembujt janë të shumtë. Më kot me Esat Musliun kërkonim një aprovim nga "lart" për filmin në projekt "Rob dhe Zot". Si mund të pajtohej robi, fshatari i vuajtur me beun e tij? Më kot prisnim bashkë me Çashkun aprovimin e projektit "Vdekja më vjen prej syve të tillë" të Rexhep Qosjes për dhunën politike ndaj kosovarëve... Po fytyra e Timo Fllokos në rolin e një të internuari politik në vitet 30' tek "Të paftuarit?" Ajo fytyrë censorëve u kujtoi ata të burgosur e të internuar të Shqipërisë totalitare, ata qindra e mijëra të burgosur e të internuar në Spaç, Qafë e Barit, Burrel apo në fshatrat me të internuar. E atëherë binte gijotina!... Ajo gijotinë ndali kur pas rënies së Murit të Berlinit kineasti i vjetër Viktor Stratobërdha dilte nga burgu me rrobat e të burgosurit dhe kërkoi të bënte fotografinë e parë në Laç me rrobat e burgut. Ishte e pabesueshme për fotografin, por më së fundi ai pranoi ta bënte atë. Koha kështu u fiksua në celuloid për t'i folur historisë. Kujtimet e mikut tim janë të shumta, edhe pse jo të gjitha, pasi episode të ndryshme shlyhen nga koha që shkon me shpejtësi efemere, duke na lënë pas atë dritë dashurie për artin, dhe tutje, në sfond hijen e rëndë dhe memece të gijotinës. Dhe është mirë që ky imazh-gijotinë qëndron gjithnjë në dekorin e kohës, e asaj kohe që e mban gjithnjë të pashlyer atë.
*Studiues
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›