E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Balancë 3-3 në KQZ PD: S’do ketë riformatim

Socialistët dhe demokratët kanë ide të kundërta për zgji-dhjen e krizës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ekspertët ligjorë të PS propozojnë një rikompozim të institucionit me përbërje 3 opozita dhe 3 pozita dhe zgjedhjen e kryetarit me konsensus. Ndërsa PD, shprehet se nuk ka rikompozim, por ribalancim, i cili do bëhet njësoj siç parashikon Kodi për KZAZ-të. "KQZ duhet të riformatohet duke pasur gjithmonë parasysh balancat deri diku që garanton Kodi Zgjedhor aktual për formatimin e saj dhe e gjithë ngarkesa e garancisë do bjerë mbi anëtarin e 7 që është edhe kryetari i KQZ-së dhe ky duhet të jetë sa më konsensual", - deklaroi dje, për mediat, eksperti i PS-së, Bledar Çuçi. Sipas tij, "që në momentin që është zgjedhur kryetari, që në atë moment Kuvendi ka qenë jo në përputhje me Kodin Zgjedhor, sepse nuk garantoi konsensusin e plotë të zgjedhjes së kryetarit. Kodi e ka që duhen kualifikuar 4 kandidatura dhe komisioni i ligjeve kualifikoi vetëm dy, duke e ngushtuar zgje-dhjen në atë që donte", tha Çuçi. Sipas tij, "zgjidhjet janë në kodin aktual që kemi. Nuk ka nevojë të bëjmë amendim nëse ka vullnet politik". Për këtë PS është në pritje të reagimit të maxhorancës.
BYLYKBASHI
Nga ana e tij, eksperti për çështjet elektorale në PD, Oerd Bylykbashi sqaroi se: "Kodi zgjedhor e jep mundësinë që krahu i opozitës të riformatohet nëse ata dëshirojnë në formatin që ata mendojnë se është balanca e duhur". "Emërtesat në KQZ, ajo që krijon balancën, 3 në një krah dhe 3 në krahun tjetër janë propozime ekskluzive të krahëve të politikës shqiptare. Ne nuk kemi fare asnjë zë në kapitull në këtë pjesë që u takon atyre. Sapo ata të bëjnë propozimet, boll që të jenë në përputhje me kriteret e kodit, ata do të kalojnë testin e votës në Parlament", - u shpreh Bylykbashi. Sipas tij, "në të dyja rastet, rikompozimi i KZAZ-ve për ta sjellë në balancën 4 me 3, gjysma për maxhorancën dhe gjysma për opozitën u bë mbi bazën e nenit që ndërton KZAZ-në, nenit 29 dhe jo mbi bazën e nenit 32 që parashikon shkarkimin e anëtarëve. Është e njëjta logjikë pikë për pikë edhe për KQZ-në. Rikompozimi, apo ribalancimi do të bëhej mbi bazën e nenit 14 dhe jo nenit 18. Kështu që Kodi Zgjedhor është aplikuar në mënyrën më të saktë të mundshme, por nuk mund të ketë një standard për KQZ-në dhe një standard për KZAZ", - tha Bylykbashi. Deri më tani, PS nuk ka vendosur që të plotësojë vendet e mbetura bosh në KQZ, në pritje që të jetë PD ajo që të bëjë hapin e para dhe të kërkojë madje edhe diskutimin e çështjes në një tryezë bisedimesh. Nga ana tjetër PS kërkon gjithashtu që të përsëritet testi për numërimin elektronik. Nënsekretari për çështjet zgjedhore në Partinë Socialiste, Bledar Çuçi ka shpje-guar se ky proces ka nisur me një sërë problemesh që në fillim nga KAZ, duke arsyetuar më tej se dhe gjatë testimit sistemi ka shfaqur një sërë problematikash gjë që e bën jo funksional. Sipas Çuçit duhet patjetër një testim i dytë, kërkesë kjo që partia Socialiste e ka depozituar edhe në KQZ.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›