“Gjakova Ndryshe”, letër të hapur Mustafës, Pacollit e Kurtit

Iniciativa Qytetare “Gjakova Ndryshe” u ka shkruar një Letër të Hapur Isa Mustafës, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Behgjet Pacollit, kryetari i Aleancës Kosova e Re dhe Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes “Vetëvendosje”. Më poshtë gjeni letrën e hapur të kësaj iniciative:
Letër e hapur
Drejtuar:
z. Isa Mustafa – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK)
z. Behgjet Pacolli – Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR)
z. Albin Kurti – Kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”
Të nderuar, zotërinjë Mustafa, Pacolli dhe Kurti. Si liderë të tri partive serioze e të respektuara besojmë qe jeni në dijeni të situatës së rëndë ekonomike, sociale, e kulturore që po mbretëron në komunën e Gjakovës, situatë kjo e prodhuar kryekëput nga keqeverisja komunale e kriminale në dy mandatet e fundit. Gjakova sot është kthyer në një gërmadhë me një popullatë gjysëm të vdekur dhe me disa milionerë që po angazhohen maksimalisht ta sigurojnë vdekjen e plotë të kësaj popullate.
Ne që po ju shkruajm jemi një grup intelektualësh që shpresat e fundit për shpëtimin e Gjakovës i kemi varur pikërisht tek ju. Prandaj, në këtë frymë po ju propozojmë dhe po ju lutemi që të bëhemi bashkë për ta ndalur një herë e përgjithmonë shkatërimin e Gjakovës dhe për ta rikthyer këtë Komunë në rrugën e zhvillimit.
E vetmja zgjidhje për këtë që po e themi është largimi i qeverisë aktluale në Gjakovë, konkretisht largimi i njerëzve që nën petkun e AAK-së dhe PSHDK-së pa asnjë mëshirë po e vrasin çdo ditë e më tepër Gjakovën tonë. Duhet të jemi të vetdijshëm se largimi i tyre përmes votës, në situatën siç jemi aktualisht është mision i pamundur. Jo për shkak të forcës së tyre apo përkrahjes së madhe që e gëzojnë në mesin e popullit, por për shkak të sistemit perfekt që e kanë për vjedhjen e blerjen e votës dhe shantazimit që po i bëjnë qytetarit të varfër. Prandaj, propozimi dhe lutja jonë është që tri partitë tuaja të bashkëpunojnë në Gjakovë dhe duke dalur me një kandidat të përbashkët për kryetar të Gjakovës të jenë një alternativë dhe një motivim për qytetarët, që përmes daljes masive në votime ta largojnë të keqen që e ka mbërthyer Gjakovën.
E dimë se një bashkëpunim i tillë mund të konsiderohet si shkelje e parimeve për disa nga ju, por për një gjë duhet të jeni të bindur. Asnjëra nga partitë e juaja nuk mund të fitojë e vetme në Gjakovë, pikërisht për arsyet e thëna më lartë. Ju mund të keni pakënaqësi e mos pajtime si parti politike, por po ju lutemi që ato t’i hidhni prapra shpinës për të mirën e Gjakovës.E kërkojmë këtë nga ju, pasi ju jeni tri partitë më të fuçishme dhe me ndikim të madh në komunën e Gjakovës.
Po përmenden emra konkret që ju veç e veç mund t’i kandidoni për kryetar të Gjakovës. Këta emra janë secili më i mirë se tjetrit, prandaj është mëkat që të njejtit të “digjen” si emra e si intelektual, duke mos u bashkuar kundër një të keqeje që realisht ka forcë të madhe negative.
Të nderuar, edhe një herë po ju lutemi me sinqeritetin më të madh që ta shqyrtoni seriozisht këtë propozim tonin. Bëjeni këtë për të mirën e Gjakovës e për të mirën e brezave të ardhshëm. Bëjeni për të mirën e fëmijëve tanë, që realisht edhe sot po jetojnë nën okupim.
Ky është treni i fundit për komunën e Gjakovës. Po nuk e kapëm edhe kësaj rradhe, pas katër vjetësh Gjakova nuk do të ekzistojë. Gjakova sot, sytë dhe shpresen e ka tek ju të tre !
P.S. Renditja e emrave tuaj është bërë sipas moshës suaj përkatëse dhe nuk ka ndonjë tendencë përcaktimi për madhësinë e partive tuaja.
Me respekt,
Iniciativa Qytetare “Gjakova Ndryshe”