E Diel, 1 Nëntor 2026

Mimoza i bie pishman!

Derisa Komuna e Gjakovës ka ndarë pjesën e saj investuese për ndërtimin e një parku të biznesit në këtë komunë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë edhe pse ishte pjesë e marrëveshjes të investonte gjysmë për gjysmë, tash nuk çan kokën për një gjë të tillë. Zyrtarë të MTI-së e quajnë thjesht një ide nga e cila nuk ka asgjë konkrete.

“Nëse është fjala për ndonjë park të biznesit ende nuk ka asgjë të definuar në këtë drejtim, sepse parku vetëm është përmendur si ide, por nuk ka asgjë konkrete”, ka thënë Nol Buzhala, udhëheqës i Divizionit për zonat ekonomike në MTI. Aty ku janë duke investuar, Buzhala ka përmendur vetëm Qendrën Inovatime, projekt i cili, sipas tij, është në përfundim e sipër.

Mirëpo, ai i cili po kërkon me ngulm që ky park të fillojë të ndërtohet është drejtori i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Gjakovës, Shpëtim Rezniqi. Sipas tij, marrëveshja mes komunës dhe ministres Kusari-Lila vitin e kaluar ishte që të fillohet me ndërtimin e një parku të biznesit ku do të investonin 50 me 50.

“Vitin e kaluar ministresha Kusari-Lila na kishte sjellë një njoftim për hapjen e një parku të tillë dhe na kishte caktuar një afat prej 30 ditësh që t’i rregullojmë të gjitha procedurat. Brenda këtij afati ne i kemi kryer të gjitha, e kemi bërë matjen gjeodezike, ndarjen e tokës prej 15 hektarësh dhe e kemi qitur në asamble dhe aty është marrë miratimi. Unë nuk e di se çka ne si komunë duhet të bëjmë më shumë”, ka thënë ai, shkruan gazeta Zëri

Rezniqi ka thënë se ka një kohë të gjatë që kërkon takim me ministren Kusari-Lila për të diskutuar lidhur me këtë çështje, mirëpo, sipas tij, ajo në vazhdimësi u është shmangur takimeve. “Nuk e di se çka ka ndodhur, mirëpo ministrja është shumë pasive në këtë drejtim, unë në vazhdimësi kërkoj takime për këtë gjë, mirëpo krejt kohën heziton. Ajo faktikisht është duke e sabotuar takimin. E lashë një porosi tek sekretarja e saj dhe besoj se javën e ardhshme do të më përgjigjet”, ka thënë ai.

Megjithëkëtë Rezniqi është shprehur optimist se kjo marrëveshje do të konkretizohet dhe, sipas tij, shtatori do të jetë muaji kur bizneset do të fillojnë punën e tyre në këtë park. “Besoj se shumë shpejt do ta arrijmë një pajtim për fillimin e marrëveshjes së bashkëpunimit sepse koha po shkon dhe tash është rishikimi i buxhetit dhe me rishikimin e tij besoj që qeveria do të ndajë pjesën e vet, edhe ne si komunë me rishikimin e buxhetit besojmë se do t’ia arrijmë ta ndajmë pjesën që na takon”, ka thënë ai.

Sipas tij, Ministria ka për obligim të investojë në objektet përcjellëse, dhe pasi që investimi është paraparë të jetë deri në 1 milion euro, 500 mijë sipas Rezniqit do t’i ndajnë MTI-ja dhe 500 mijë Komuna e Gjakovës. “Kjo shumë për ne me të vërtetë është e madhe por besoj se duke pasur parasysh gatishmërinë tonë për zhvillim ekonomik të komunës do t’ia dalim”, ka thënë Rezniqi.

Në këtë park do të futen kompani prodhuese të cilat kanë për destinim tregun e jashtëm. Arsyeja pse vetëm kompani prodhuese, sipas Rezniqit, është sepse është një interesim më i madh që të investojnë në prodhim. Sipas tij, kompanitë të cilat do të futen në këtë park të biznesit do të jenë të liruara nga çdo lloj obligimi tatimor. “Këtë na lejon edhe ligji. Ligji mbi doganat thotë se të gjitha bizneset që kanë miratimin e komunës lirohen nga detyrimet doganore të importit”, ka thënë ai.

Sa i përket të ardhmes së këtij parku se mos mund ta ketë fatin e Parkut të Biznesit në Drenas, i cili shihet si një dështim, zyrtarë të MTI-së nuk pranojnë se Qeveria dhe komuna e Drenasit kanë dështuar me këtë park. “Nuk mund të quhet dështim as Parku i Biznesit në Drenas, ku në të janë duke punuar 12 biznese, derisa edhe 12 të tjera janë në përfundim të objekteve të tyre, si dhe një pjesë tash kanë marrë kontratat që pritet shumë shpejt të fillojnë me ndërtim”, ka thënë Nol Buzhala, udhëheqës i Divizionit për zonat ekonomike në MTI./ Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›