“Kodra e Trimave” duhet të bëhet komunë

Drejtori ekzekutiv i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri, ka thënë se ‘Kodra e Trimave’ i plotëson kriteret bazë për t’u bërë komunë.
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, ai ka bërë me dije se dikur ky lokalitet ka qenë bazë e ekonomisë dhe e tregtisë së kryeqytetit.
Tahiri, i cili është edhe kandidat i AAK-së për kryetar të Prishtinës, ka thënë se tregu ‘Kodra e Trimave’ ka qenë njëfarë burse e Prishtinës. “Si njohës i kësaj fushe, mendoj se ‘Kodra e Trimave’ potencialisht mund t’i përmbushë kriteret për t’u bërë komunë sepse ka rreth 35 mijë banorë. Kjo lagje ka qenë baza e ekonomisë dhe e tregtisë në Prishtinë”, ka thënë Tahiri.
Ai ka theksuar se Kosova ka nevojë për krijim të komunave të reja dhe se kërkesat e disa lokaliteteve për t’u bërë komuna janë plotësisht të arsyeshme dhe të mbështetura në analiza të sakta. Në këtë kontekst, Tahiri ka thënë se paraprakisht është dashur të bëhet një vlerësim i decentralizimit dhe një rishikim i funksionalitetit të sistemit.
“Së pari, është dashur të bëhet vlerësimi sistematik i asaj se çka ka sjellë decentralizimi në Kosovë për pesë vjet. Së dyti, është dashur të bëhet rishikimi i funksionalitetit të sistemit në aspektin fiskal dhe në aspektin e shërbimeve. Tek pas kësaj ka qenë dashur të trajtohen kërkesat e qytetarëve për komuna të reja, pra për t’u dhënë një përgjigje specifike të gjitha kërkesave të qytetarëve në pako”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka vlerwsuar se banorët e kësaj lagje janë ata të cilët duhet të vendosin nëse dëshirojnë të bëhen komunë, e jo Hashim Thaçi e Isa Mustafa. /Indeksonline/