E Shtunë, 31 Tetor 2026

“MEICO” padit “Albademil”, kërkon lekët e fishekëve

TIRANE-Përballjet gjyqësore të biznesmenit Mihal Delijorgji në Gjykatën e Tiranës, me gjasë do të vazhdojnë edhe për shumë vite. Numrit të madh të padive civile të ngritura ndaj tij, nga familjarë të viktimave të “Gërdecit”, të cilët kërkojnë dëmshpërblim për jetët e humbura, u është shtuar dhe një tjetër padi.

Këtë herë është ndërmarrja shtetërore “MEICO”, që dikur drejtohej nga Ylli Pinari, i dënuar si një nga përgjegjësit kryesorë të tragjedisë së 15 marsit 2008 në Gërdec, që ka hedhur në gjyq kompaninë “Albademil” të Mihal Delijorgjit. Ndërmarrja “MEICO” kërkon nga gjykata të detyrojë shoqërinë “Albademil” që të përmbushë detyrimet kontraktore ndaj saj, konkretisht në vlerën 404 947 $. Burime nga gjykata thanë se bëhet fjalë për blerjen e municioneve nga ana e “Albademil”, që më pas janë demontuar në Gërdec.

Kompania “Albademil” mesa duket nuk ka shlyer detyrimet, ndaj për këtë shkak çështja ka mbërritur në gjykatë. Kjo është padia e radhës që lidhet me tragjedinë e Gërdecit, ku nga shpërthimi i punishtes së demontimit të municioneve gjetën vdekjen 26 persona dhe u plagosën të paktën 300 të tjerë. Mes të dënuarve nga drejtësia si përgjegjës për tragjedinë janë Mihal Delijorgji e Ylli Pinari.

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›