E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interesat e bonove të thesarit, rënie rekord

TIRANE-Interesi i madh i bankave dhe individëve për bonot e thesarit ka shënuar dje një tjetër rekord uljesh të normave të tyre të interesit. Në ankandin e djeshëm të bonove të thesarit me maturim 12-mujor norma e interesit ra në 4.31%, nga kuota 4.58%, regjistruar në ankandin e mëparshëm. Të njëjtin fat pati edhe norma e interesit për bonot me afat maturimi 6-mujor, të cilat ranë nën kufirin e 4%, në 3.99%. Ashtu siç është vërejtur gjatë ankandeve të kohëve të fundit, oferta për blerje letrash me vlerë ishte mjaft më e lartë nga shuma e kërkuar nga qeveria: u hodh në treg nga Banka e Shqipërisë një total prej 10.1 miliardë lekësh, ndërkohë që shuma në dispozicion ishte 15 miliardë lekë.

Interesat
Rënia e interesave të bonove të thesarit vjen si pasojë e efektit të uljes së normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë, ndërkohë që në të njëjtin drejtim ka ndikuar edhe rritja e vëmendjes së bankave e individëve për këtë treg. Bankat po përjetojnë një situatë mjaft të mirë depozitash, veçanërisht pas zhvendosjes masive të tyre nga jashtë, brenda kufijve gjatë viteve të fundit. Një situatë e tillë, bashkë me uljen e normës bazë nga Banka e Shqipërisë, ka bërë që bankat të aplikojnë norma më të ulëta për interesat e depozitave. Rënia e normave të interesit ka qenë më e shpejtë gjatë muajve të fundit edhe në tregun e depozitave. Mesatarisht, interesi për depozitat 12-mujore në euro rezultoi 2.41% në periudhën prill-maj, nga 2.79% që ishte në tremujorin e parë të 2013. Kuota kaq të ulëta bëjnë që investimi në bono thesari, veçanërisht për individët, të mbetet edhe mundësia më e mirë për të investuar kursimet e veta.

Borxhi i lirë
Rritja e vazhdueshme e ofertës për blerjen e bonove të thesarit ka ardhur në një çast kur përgjatë gjithë vitit qeveria nuk është kursyer kur bie fjala te huamarrja e brendshme. Madje gjatë shtatë muajve të parë ka ezauruar thuajse tërësisht kuotën e parashikuar të borxhit për gjithë vitin. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, niveli i huamarrjes arriti për 7-mujorin në vlerën 24,7 miliardë lekë, nga 22 miliardë lekë që ishte planifikuar për këtë periudhë. Pra, kufiri i përcaktuar është kaluar me 2.7 miliardë lekë më shumë. Për gjithë vitin kufiri i huamarrjes së brendshme, i parashikuar në buxhetin e vitit 2013, është në vlerën 27.4 miliardë lekë, ndërkohë sipas përllogaritjeve, aktualisht kjo hua është konsumuar në masën 88.3%. Lajmi i vetëm i mirë për qeverinë e ardhshme është se do të mund të marrë borxh në tregun e brendshëm me norma mjaft të ulëta interesash.

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›