E Diel, 1 Nëntor 2026

“Marie Kraja”, çmimi i madh për sopranon amerikane Sara Heaton

TIRANE- Sopranoja amerikane Sara Heaton fitoi çmimin e parë "Marie Kraja". Çmimi i dytë është fituar nga sopranoja braziliane Luçiana Distante, ndërsa dy çmimet e treta kanë shkuar për basin shqiptar Arjol Xhaferri dhe sopranon nga Kazakistani, Lada Kysykova. Festivali ndërkombëtar operistik mbylli kësisoj mbrëmjen e së dielës edicionin e tij të 12-të. Nga 17 konkurrentët që morën pjesë në këtë festival, juria e përbërë nga emra me famë ndërkombëtare, e kryesuar nga drejtori i Akademisë së La Scala-s, Luca Targeti, përzgjodhi 10 artistë për natën finale. Gara ka filluar me mexosopranon italiane Romina Boscolo, për të vijuar më tej me soprano nga Afrika e Jugut Tsakane Maswangi, baritonin amerikan Ricardo Riviera, sopranon shqiptare Blerta Zhegu, tenorin shqiptar Klodian Kaçani, sopranon nga Kazakistani Lada Kysykova, tenorin nga Ukraina Igor Stroin, basin nga Shqipëria Arjol Xhaferri, sopranon braziliane Lucioana Distante për t'u mbyllur me sopranon amerikane Rara Heaton.

E pranishme në këtë edicion, si presidente nderi e jurisë, Inva Mula ka dhënë dy çmime në emër të fondacionit që drejton "Hi Classic". Ndërsa një hapësirë e veçantë i është kushtuar Nina Mula, me rastin e 80-vjetorit të saj, ku përmes një dokumentari, janë risjellë në vëmendje vlerat dhe kontributi i kësaj artisteje të madhe në skenën shqiptare. E bija e saj, Inva Mula vlerësoi me çmimet "Nina Mula, shpresë për të ardhmen" dy këngëtarë të rinj shqiptarë, tenorin Klodian Kaçani dhe bassin Arjol Xhaferri. I pranishëm në këtë natë finale, ka qenë dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Si president nderi i këtij edicioni të 12-të të "Marie Krajës", z. Basha, ka ftuar në skenë artisten e madhe Nina Mula, për të dorëzuar së bashku çmimin e parë "Marie Kraja". Nuk ka munguar në këtë edicion dhe rekuiem për Marie Krajën, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së kësaj këngëtareje të madhe, emrin e së cilës mban ky festival. Kryetar i jurisë që edhe këtë vit ishte Luca Targeti, drejtori i Akademisë së "La Scala-s", sipas të cilit ky festival ndërkombëtar që zhvillohet në Shqipëri është një mundësi shumë e mirë për të zbuluar e njohur zëra të rinj nga e gjithë bota. Ndërsa Cecilia Gasdia, një tjetër anëtare e kësaj jurie, me një famë mbarëkombëtare, e cilësoi në një nivel shumë të mirë pjesëmarrjen e këtij viti, duke mos nguruar të veçojë këngëtarët shqiptarë, të cilët duket se i kanë lënë përshtypje shumë të madhe. Basi shqiptar Arjol Xhaferri, ka fituar tashmë të drejtën për të konkurruar në Akademinë e "La Scala-s", lajm të cilin e konfirmoi vetë drejtori i akademisë së "La Scala", Luca Targeti. Juria, përbëhej nga emra të njohur ndërkombëtar. Kryetar i jurisë ishte Luca Targeti, drejtori i Akademisë së "La Scala-s". Presidente e jurisë Inva Mula, anëtarë Cecilia Gasdia, Nancy Rhodes, drejtuese e Teatrit të ri të Operas së Nju Jorkut; Giovana Lomazi, zëvendës presidente e Shoqatës Lirike dhe Koncertore Italiane ASLICO me qendër në Milano; Curro Carreres, Drejtor Artistik i Festivalit të Murcias; Danuza Luknisova, soliste e Teatrit të operas së Sllovakisë dhe Burhan Spahiu, një nga pedagogët më të suksesshëm të shkollës sonë të kantos. Një moment i veçantë i është kushtuar Inva Mulës dhe suksesit të saj të fundit me shfaqjen "Fausti" në Operan Nacionale të Parisit.

Më pas në ekranin e madh është shfaqur një dokumentar mbi jetën dhe vlerat e të madhes Marie Kraja. Ky rekuiem me rastin e 100 vjetorit të lindjes së saj është finalizuar me një performancë interesante të këngës "Who ëants to live forever", kënduar nga Frederik Ndoci e Semi Jaupaj. Etleva Golemi dhe Kastriot Tusha kanë qenë gjithashtu të ftuar për të sjellë të tjera performanca që kanë përfunduar në momentin kur të gjithë këngëtarët pjesëmarrës në festival kanë kënduar nga një këngë tradicionale të vendeve që përfaqësonin në konkurrim. Siç është bërë zakon, kënga e fundit është ajo e vendit ku zhvillohet ky festival ndërkombëtar. "Ta dish", ishte melodia shqiptare që mbylli hareshëm, e siç e do zakoni, këtë festival, që tashmë ka fituesit e saj të rinj, të cilët do ta përcjellin edhe këtë vit anembanë botës jehonën e "Marie Krajës".
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›