E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Me bo noi lek”, sfida e Edi Ramës

Eshtë shprehja që është rikthyer në top-listën e koncepteve më të përdorshme. Edhe pse e dialektit të Shqipërisë së Mesme, është asimiluar si artikulim nga çdo banor i kryeqytetit e rrethinave. "Të bësh ndonjë lek" duket është A-ja dhe Zh-ja e dialektikës së mendimit qytetar për të ardhmen e vet personale e profesionale. - Po hë, si po kalon? Po pushon besoj, pas ngarkesës së fushatës, e po shijon fitoren, - i tha një mesoburrë, një bashkëmoshatari të vet në tavolinën ngjitur, teksa kamerieri po u linte birrat. - Pushime në Tiranë lale, nuk shkëputesh dot, se ndahen vendet e ta thajnë piten, - e uli pak zërin tjetri. - Po një vend pune do e gjesh, se ke kontribuar familjarisht për partinë, pse shqetësohesh? - ia pat shoku duke qeshur. - Ka vend pune e vend pune lale. Duhet një me bo noi lek, se nuk i dilet me rrogë shteti. Hajt gëzuar, se me miq të besuar bëhen këto punë! Ky dialog është veç një copëz e realitetit shqiptar sot, që vazhdon traditën e çimentuar vit pas viti e qeveri pas qeverie, në një sistem rrathësh të brendashkruar, që përsëriten pambarim sipas niveleve të funksioneve publike. Sistemi është aq perfekt në simetrinë e tij, në baraslargësinë e distancave mes rrathëve, saqë ngjan edhe estetikisht tërheqës, i parë nga jashtë. Tashmë është shndërruar në normë, pasi është ndërtuar e vazhdon të gjenerojë FRYME, në një shtrat ekzistues. Fryma është një proces eterik, i pakapshëm, i padukshëm, por me fuqinë e një Big Bengu. Ajo do jetë sfida e vërtetë e qeverisë së re që do nisë punën në shtator, që do dalë para çdo plani, çdo premtimi e çdo këshille ndërkombëtare. Është fryma që nxit një polici ndërtimore t'i vërë fadromën një biznesi të madh, për shkak se një firmë ndërtimi do vazhdojë të ndërtojë një tjetër pallat gjigant përkrah ekzistuesit. Fatkeqësia e biznesit të madh, taksapagues i rregullt i shtetit, me pronë të njohur ligjërisht, është se ka vendndodhjen e gabuar, aty ku ndërtuesi i pallatit gjigant aspiron të shtrihet më tej. Është fryma "me bo noi lek", që e quan interes publik shkatërrimin e këtij biznesi të madh, për të ndërtuar një pallat, kur një pjesë e mirë e ndërtimeve të ngjashme janë bosh, për shkak të fuqisë së ulët blerëse. Është fryma "me bo noi lek" që shtyn një kryetar komune në periferi të Tiranës t'i kërkojë krejt hapur bakshish në euro (Sa kanë ecur gjërat? Preferohet valuta.), një privati që po ndërton magazina në atë komunë, sipas lejes së marrë nga kryetari paraardhës. Nëse nuk paguan gjobën, "se fundja po bën gjithë atë ndërtim e duhet të japësh diçka", kryetari i ri nuk e njeh vendimin e mëparshëm dhe të sjell fadromën. Apo nuk po flitet edhe për strategji të re të menaxhimit të territorit, që do marrë përpara ndërtimet me leje e pa leje. Fundja zbatohet një direktivë, por edhe "bohet noi lek" Është e njëjta frymë me të cilën nisin ditën e punës, nëpunës të shtetit si në rastin e mëposhtëm, inspektorë të Higjienës. Inspektimet tek biznesi i madh nuk ta çojnë ditën kot. "Një kafe" 10 mijë lekëshe nuk mjafton, se siç thonë "janë inspektorë kombëtarë, mbi të gjithë inspektorët e tjerë". Apo duhet kafe e trefishtë ngase janë një ekip tresh? Tani që mund të vijnë "të tjerët", "duhet me bo noi lek", se nuk i dihet a do jenë prapë këtu. Fryma ishte ajo që na përfshiu më 23 qershor, që ende e përmendim nëpër tavolina, pasi bursa e votës shënoi rekorde historike në qarqe të caktuara. Je me fat kur ke "shoqni e fis t'madh". Zgjedhjet janë rasti i artë që vjen çdo dy vjet "me bo noi lek". Edhe pushteti është mjeti "me bo noi lek" Shembujt e mësipërm janë realë, e natyrisht që të ngjashëm, më të rëndë a më të thjeshtë, mund të ofrojnë edhe qytetarë të tjerë. Pasi fryma haset edhe në të përditshmen e zakonshme: në formën e uzurpimit të pacipë të hapësirave publike, në mungesën arrogante të shërbimit në zyrat e shtetit, në modelet e pasurimit të disa individëve, si me magji brenda pak muajsh, në marrjen e jetës së tjetrit për një fjalë goje a një gërvishtje makine…, e së fundmi në revanshin e paralajmëruar keqas në emër të Rilindjes. Pasi, kur "ke bo noi lek", ose e ke ndarë mendjen se "do bosh noi lek", ndihesh i paprekshëm. Kjo është fryma, kundërshtarja e padukshme e çdo pushteti, e rritur që e vogël nën hijen e tij dhe e ushqyer herë me vitamina e herë me indiferencë, por që të gërryen në heshtje themelin ku mbështetesh. Ashtu si në fabulën e njohur të gramit me rrushin, fryma u rrit e u zgjerua në përmasa kombëtare, duke u bërë e pakontrollueshme. Ka aq shumë filiza e degë sa nuk i duket trungu, e jo më rrënjët. Vërtet nuk shihet fizikisht, por ndihet, haset, preket e rritet çdo ditë. A do arrijë qeveria "Rama" ta mundë këtë frymë? Së pari duhet ta identifikojë si emergjencë prioritare. Është shumë e vështirë, por jo e pamundur. Kërkon kosto të rënda, përkundër përfitimeve të mëdha, por të ngadalta, jo gjithnjë të dukshme e afatgjata. Në politikë, sugjerohen aksionet me përfitime imediate e për interesa të ditës, por është ky model që e ka fuqizuar kaq shumë Frymën. Atë mund ta mundë vetëm ndarja e mendjes dhe vullneti politik "me e bo ktë vend".
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›