“Mjegull” në zbatimin e Planit

Mënyra se si do të zbatohet plani i veprimit, që buron nga marrëveshja e 19 prillit e arritur në mes kryeministrit Hashim Thaçi dhe atij serb, Ivica Daçiq, mbetet e mjegullt, ashtu sikurse i gjithë procesi i dialogut që është karakterizuar me paqartësi dhe pikëpyetje të mëdha. Megjithatë, autoritetet e Prishtinës pretendojnë se brenda gjashtë muajve të ardhshëm do të arrijnë t’i organizojnë zgjedhjet lokale në veri të vendit, kurse strukturat e sigurisë dhe drejtësisë të integrohen menjëherë në sistemin unik të policisë dhe drejtësisë kosovare, pasi t’i kenë kaluar procedurat që parashihen me ligjet e shtetit të Kosovës.
Ndonëse një ditë më parë kryeministrat e dy qeverive (Hashim Thaç dhe Ivica Daçiq) kanë dhënë pajtimin në parim për zbatimin e planit të marrëveshjes, megjithatë Beogradi zyrtar vazhdon lojën në përpjekje që serbët e Kosovës të fitojnë edhe disa garanci, të cilat kanë të bëjnë me dokumentet personale, shtetësisë dhe vulat në diploma. Derisa dilemat në Beograd vazhdojnë, në anën tjetër qeveria e udhëhequr nga kryeministri Thaçi ia ka bërë “aminin” planit të implementimit, i cili është dërguar për diskutim edhe në Kuvendin e Kosovës.
Ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku, ka thënë se ekzekutivi i vendit nga fillimi ka qenë i vetëdijshëm se implementimi i marrëveshjes do të jetë një sfidë, por sipas saj, duke marrë parasysh konsensusin e brendshëm që ekziston rreth marrëveshjes së 19 prillit, atëherë plani do të zbatohet brenda afateve të përcaktuara.”Ne besojmë se çdo gjë që kërkohet nga ana jonë do të përmbushet në afatet e parapara. Zbatimi i planit do të nisë paralelisht në disa fusha, sikurse shpërbërja e strukturave paralele të sigurisë, gjyqësorit, financimit të dyfishtë...etj”, ka thënë ajo për gazetën “Zëri”, përmes telefonit.
Ministrja Çitaku, ndërkaq, ka sqaruar se plani implementues, të cilin e ka miratuar Qeveria e Kosovës është dërguar në Parlamentin e Kosovës dhe siç tha ajo, aty do të diskutohet për të gjitha detajet e planit. Në anën tjetër, deputetja nga LDK-ja, Teuta Sahatçiu ka theksuar se Kuvendi i Kosovës ende nuk e ka parë planin e zbatimit, përveç se ka dhënë mbështetjen për marrëveshjen 15 pikëshe të arritur në mes dy kryeministrave më 19 prill. ‘Plani i veprimit ende nuk ka arritur në Kuvendin e Kosovës dhe në këtë drejtim konsiderojmë se duhet pasur kujdes në implementimin e planit. Pra, ai dokument s’ka ardhur ende tek ne, por nuk guxon të ketë kurrfarë ndryshimesh nga dokumenti i marrëveshjes së arritur më 19 prill”, ka thënë ajo, duke tërhequr vërejtjen se një plan i tillë duhet të trajtohet me kujdes të madh, për të cilin duhet të japë pëlqimin edhe legjislativi kosovar. “Ky plani i zbatimit nuk guxon të largohet nga Kushtetuta e Kosovës dhe plani i Ahtisarit”, ka thënë nënkryetarja e LDK-së, Sahatçiu. Sipas saj, strukturat paralele në asnjë mënyrë nuk duhet të legalizohen, porse të shpërndahen, ashtu siç është paraparë me marrëveshjen e arritur në mes dy kryeministrave më 19 prill.
Ndërkaq, analisti politik Halil Matoshi konsideron se organizimi i zgjedhjeve lokale në veri të vendit nën juridiksionin e Kosovës do të jetë pika kthesë për zbatimin e planit. “Mbajtja e zgjedhjeve lokale nën sistemin juridik të Kosovës do të jetë pika kthesë dhe nga zgjedhjet për pushtetin lokal do të burojnë edhe strukturat legale, të cilat do të kenë më lehtë zbatimin e pikave tjera, sikurse është çështja e policisë, gjyqësorit...etj., prandaj mendoj se Qeveria e Serbisë ka mekanizma shtetërorë që për këta gjashtë muaj t’i bindë serbët e veriut që të marrin pjesë në zgjedhjet e sivjetme lokale të vjeshtës dhe tek pastaj do të nisë zbatimi i pikave tjera të marrëveshjes”, ka thënë Matoshi.
Ditë më parë në Bruksel, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Ivica Daçiq kanë arritur pajtueshmëri parimore për planin e zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit. Vetë shefi i Qeverisë kosovare ka deklaruar se janë dakorduar që asociacioni i komunave të funksionalizohet vetëm pas zgjedhjeve lokale dhe strukturat e sigurisë dhe drejtësisë do të integrohen menjëherë në sistemin unik të policisë dhe drejtësisë kosovare, por vetëm pasi të kenë kaluar nëpër procedurat dhe ligjet e Kosovës që parashihen.
“Këto janë elementet më të rëndësishme të marrëveshjes, ashtu edhe të planit të zbatimit. Këto do të mundësojnë që në veri të Kosovës të shtrihet rendi kushtetues i Kosovës, të kthehet sundimi i ligjit, duke çuar kështu në atë që kemi synuar për më shumë se 14 vite - në shtrirjen dhe unitetin e Republikës së Kosovës në tërë territorin e saj”, ka thënë Thaçi para anëtarëve të kabinetit qeveritar. Në anën tjetër, vërejtjet kryesore të qeverisë së Beogradit kanë të bëjnë me pjesën statusore që garantojnë ekzistimin dhe qëndrimin e dokumenteve serbe e të shtetësisë./Indeksonline/