EULEX-it t’i shqyrtohet mandati

Nga: Valdrin Krasniqi
Mijëra qytetarë filluan të zbarkojnë paraditen e të hënës në Prishtinë.
Ata vinin me autobus nga qytete të ndryshme të Kosovës, duke bartur me vete flamuj kombëtar dhe pankarta me të cilat planifikonin të shprehnin indinjatën e tyre të thellë ndaj arrestimit të ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Zonës Operative të Drenicës.
Rreth orës 11:30 turma e protestuesve filluan marshimin nga Pallati i Rinisë në drejtim të Teatrit Kombëtar. Gjatë kësaj rruge ata kryesisht brohorisnin “UÇK- UÇK”, “Drenica” dhe ndonjërin nga emrat e të arrestuarve.
Në mesin e këtyre protestuesve përveç veteranëve të UÇK-së, ishin edhe deputetë, artistë, studentë e nxënës.
Të gjithë këta ishin kundër veprimeve të EULEX-it për prangosjen e komandantëve të luftës.
Pezmin ndaj misionit evropian në Kosovë e shprehën edhe ata që mbajtën fjalime në binën e improvizuar të Teatrit Kombëtar.
I pari foli veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaqi, i cili tha se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë çlirimtare.
Sipas tij kosovarët e kanë ftuar EULEX-in që të vijë dhe tu ndihmojë në zbardhjen e shumë krimeve të kryera nga serbët dhe jo të na arrestojë.
Në anën tjetër, kryetari i shoqatës së familjeve të dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari ka thënë se, këta mijëra qytetarë të mbledhur në Prishtinë nuk po protestojnë kundër faktorit ndërkombëtar i cili ishte gjithherë pranë Kosovës, por po protestojnë ndaj faktorit EULEX që po e njollos dhe po e kriminalizon luftën e UÇK-së.
Jashari ka kërkuar nga krerët e shtetit, presidentja Atifete Jahjaga, kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe kryeministri Hashim Thaçi qe menjëherë të ulën dhe t’a shqyrtojnë mirë mandatin e misionit të EULEX-it.
Ai ka tërhequr vërejtjen se nëse situata destabilizohet, përgjegjësinë do t’a marr EULEX-i dhe institucionet e Kosovës.
Përfaqësuesit e veteranëve të luftës së UÇK-së kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të çlirimtarëve.
"Ndaluni o gjak i prishur që na terrorizuat!", ishte kërkesa e përfaqësuesit të OVL së UÇK në Prishtinë, Smajl Elezi.
Ai ka kërkuar heqjen e menjëhershme të mandatit ekzekutiv të EULEX-it. "Jemi në momente kritike, Kosova po destabilizohet. Është vështirë ta mbajmë gjendjen nën kontroll", ka thënë Elezi para protestuesve.
Me të dëgjuar fjalimet e tyre, pjesëmarrësit në protestë filluan të shpërndahen të qetë. Ndërkaq, organizatorët paralajmëruan përsëri tubime të qytetarëve për t’a mbrojtur luftën e drejtë të cilën e ka bërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës./Indeksonline/
--------
(E plotësuar) 12:42- Protesta ka përfunduar e qetë. Mijëra qytetarë të mbledhur kanë filluar të shpërndahen. Ndërkohë, protestuesve u është drejtuar edhe këngëtarja Leonora Jakupi me një këngë kushtuar çlirimtarëve.
-----
12:30- Kryetari i shoqatës së familjeve të dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari ka thënë se nuk po protestohet kundër faktorit ndërkombëtar por ndaj faktorit EULEX që po e njollos luftën e UÇK-së.
Ai ka kërkuar nga krerët e shtetit që ta shqyrtojnë mandatin e Misionit për Sundimin e Ligjjit, EULEX.
"E ftojmë Jahjagën, Krasniqin e Thaçin që ta shqyrtojnë mandatin e EULEX-it menjëherë", ka thënë Jashari duke shtuar se nëse situata destabilizohet, përgjegjësinë do ta marr EULEX-i dhe institucionet e Kosovës.
"Kërkojmë lirimin e gjithë çlirimtarëve", ka theksuar ai.
-----
12:24- Përfaqësuesi i OVL së UÇK në Prishtinë, Smajl Elezi ka kërkuar heqjen e mandatit ekzekutiv të EULEX-it. "Jemi në momente kritike, Kosova po destabilizohet. Është vështirë ta mbajmë gjendjen nën kontroll", ka thënë Elezi para protestuesve.
Porosia e Elezit ishte: "Ndaluni o gjak i prishur që na terrorizuat!"
--------
12:20- Protestuesve u është drejtuar veprimtari i çështjes kombëtare shqiptare, Adem Demaçi i cili ka thënë se lufta e UÇK-së ishte e pastër dhe çlirimtare.
"Ne e kemi thirrur EULEX-in që ti zbardh krimet e serbëve, ta zbardhë kush e zhduku Ukshin Hotin, kush vrau mijëra shqiptar", ka thënë Demaçi para protestuesve.
------
12:17- Protestuesit po brohorasin "UÇK", "Drenica", "Salustro vetëm pak metra përtej urës së Ibrit i ke kriminelët"
-----
11:55 - Protestuesit janë ndalur përballë Teatrit Kombëtar, ku më pas pritet të mbahet një fjalim nga organizatorët.
Pjesëmarrës në këtë protestë janë edhe shumë deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, si Berat Buzhala, Blerta Deliu, Ilir Mirena etj.
----
11:45 - Mijëra protestues kanë arritur në Sheshin “Zahir Pajaziti”. Protestuesit vazhdojnë të brohorasin "UÇK", "Sami Lushtaku", "Poshtë EULEX-i", "Liri për Çlirimtarët", etj.
----
11:35 - Në protestë po marrin pjesë një numër i madh i veteranëve të UÇK-së, duke përfshirë edhe qytetarë të shumtë.
Protestuesit janë mbledhur afër Pallatit të Rinisë, dhe sapo kanë nisur protestën kundër EULEX-it.
----
Shoqatat e veteranëvë të UÇK-së, si dhe qytetarë të shumtë janë mbledhur për të protestuar kundër EULEX-it.
Indeksonline, mëson se rrugës për protestë janë dhjetra autobusë përplotë me qytetarë.
“Unë e vrava Bullatoviqin”, dhe “Mos ma gjykoni lirinë”, janë disa mbi shkrime në pankartat e protestuesve.
Ndërkohë që disa protestues në duar po mbajnë fotografi të Sylejman Selimit.
Shoqatat e veteranëve të UÇK-së kanë shfaqur kundërshtimet ndaj veprimeve të EULEX-it në rastin e arrestimit të Grupit të Drenicës, njësoj si më parë edhe ndaj rastit Kleçka me kryeprotogonist Fatmir Limajn.
Perotestuesit do të nisen nga Parkingu i Pallatit të Rinisë në orën 11:30.
Ndër të akuzuar janë Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku, ish- komandanti i Brigadës 111, Jahir Demaku, si dhe Zeqir Demaku, Sahit Jashari, Avni Zabeli dhe Hysni Thaçi./Indeksonline/