E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Njëra dorë lan (ndyn) tjetrën”

Shprehja e lashtë dhe e stërpërdorur nga moralistët tanë populistë: “Njëra dorë lan tjetrën”, vitet e fundit është zëvendësuar djallëzisht e qëllimisht me parim-synimin berishian: “Kur njëra dorë është e pistë, i padituri/ mëkatari/ pushtetari/ faqeziu duhet të bëjnë të pamundurën dhe të pabërën të ndyjnë edhe tjetrën, pasi vetëm kështu mund të ngjajnë sadopak të dëlirtë e të pranueshëm…” Vetëm kështu bëhet i pakuptimtë e shpresëkotë premtimi i krerëve për “duar të pastra”, aq i shumëpritur e i kërkuar. Ky proces trushpëlarës tashmë mund të thuhet se asht kry, falë zhvlerësimit të përditshëm mediatik që i është bërë Fjalës publike dhe veçanërisht (pa)-përgjegjësisë së të zgjedhurve e përfaqësuesve ndaj votës, meritave dhe vlerave morale.

Të gjithë ndjekësit e Berishës janë të detyruar të jenë përherë në sulm, fjalëndyrë, agresivë, sipas shembullit përditësor që jep shefi. Sot nuk është turp të jesh i korruptuar, përkundrazi. Modeli që ofron kryeministri për rininë kur shkon nëpër shkolla qenka modeli i A.Martinit, d.m.th një foto lakuriq e bërë në Amerikë, mundësisht nga Fadil Berisha! Prandaj është tejet e vështirë të gjendet një lavatriçe në një mjedis gjithëfshirës kënetor, ku nuk ka sistem e hierarki vlerash… E pra, jo vetëm në fushatat zgjedhore është i pamundur higjienizimi i moralit publik, sidomos i atij politik, ku elitat politike, figurat kryesore të dy partive, janë përshirë në një betejë të paskrupullt shpifsharjesh të ndërsjella… Sot gjendemi në llogore, të gjithë kundër të gjithëve. Është tejet e vështirë të gjendet qoftë edhe një qytetar i mbetur pa pisllëk e pa cene të së kaluarës e së sotmes… Sa më shumë të ndyhet “armiku” publikisht, aq më i nderuar, i shquar, i pasur, i pushtetshëm, i frikshëm, i famshëm e i dobishëm je për partinë, për kreun e saj dhe, rrjedhimisht, edhe për mediat! Ky është deti ynë i moralit.

E përkthyer me një gjuhë më popullore kjo maksimë berishiane, e injektuar tashmë edhe te kalamajtë kuptohet kësisoj: Nëse unë vjedh sot, si qeveritar, edhe ti që po grabitesh duhet të kesh pas vjedhur dje; nëse si pushtetar të shtyp e të vras, e bëj në emër të demokracisë, ndërsa pararendësit kanë vrarë e persekutuar mijëra dje, në emër të diktaturës; nëse si kryetar partie gënjej e mashtroj, edhe ti kur ke qenë nëpunës apo bari delesh duhet të kesh pas gënjyer; nëse si kryeministër je autokrat, i dehur me veten, tjetër thua e tjetër bën, d.m.th je pa din e pa iman, shpifës e sharlatan ordiner, mos ki gajle, mjafton t’i biesh së njëjtës gozhdë: Se mos kanë pas qenë më të mirë e më të ndershëm pararendësit e djeshëm komunistë...? Ata ju gënjenin e ju mbanin në diktaturë, ndërsa unë po ju gënjej, por ama po ju fus në NATO, në BE, në demokraci e po ju pajis me internet…. E pra, mos janë më të mirë edhe kundërshtarët e mi neobllokmenë që aspirojnë të më zënë vendin?

Ky është qerthulli logjik i politikës së sotme në të cilën gëlon kriza e mosbesimit. Ky djerrëzim e shterpëzim i moralit shoqëror, sa hileqar aq edhe djallëzor, është kryer duke bombarduar përditë opinionin publik me demagogji e shpifje të ndërsjella, me akuza të hedhura në erë (sot je “Klan i Zemunit”, nesër aleat!) për të përçarë, sunduar, demoralizuar e demotivuar zgjedhësit e të gjitha krahëve. Pikërisht këtu fshihet sekreti përse vetëm tek ne, në Shqipëri, për 22 vjet Berisha dhe sozitë e tij ndjehen të pazëvendësueshëm. Nëse do të reshtë ky lloj “bombardimi” mediatik e do të dalim një ditë nga ky qerthull vicioz, krerët tanë partiakë nuk do të guxojnë të deklarojnë se “u shkon pas historia” dhe se do të mbeten në pushtet edhe 30 e kusur vite!

Nuk gabohem po të them se të gjitha debatet publike nëpër TëVëra, podiume dhe ekrane mes VIP-ave të kombit e sidomos mes llapaqenëve të paguar nga SHISH që shpifin në blogjet e internetit karakterizohen, në fund të fundit, nga ky postulat “gjithëpërfshirës”: Gjuha e pistë lipset të bajgëzojë gjithë mjedisin që të ngjajë e pranueshme dhe, pse jo, edhe e pastër fytyra e udhëheqësit legjendar. E ç’vlerë do të kish parfumi në një nevojtore publike? I vetmi rezultat pozitiv i pluralizmit tonë në shkallën 100% është ky: Pas një trysnie mediatike mbi këdo e mbi gjithçka, shumica besojnë sinqerisht se të ndyrë, të pistë, të pamoralshëm dhe faqezinj kanë pas qenë prijësit dje, por ama nuk mund të përjashtohen edhe këta të sotmit. Prandaj sot është e vështirë t’i besohet kujt, sepse, tekefundit, të gjithë derrat, - po provohet përditë kjo simptomë e krizës së mosbesimit, - paskan të njëjtin turi, pavarësisht nga ngjyrat e partive, emrat e kryetarëve, qoftë edhe karakteristikat e sistemit.

Duket sikur nuk ju leverdis krerëve absurdi i mësipërm. Në fakt ky është kushti i vetëm për mbijetesën e tyre: Kur të gjithë qenkan derra të kënaqur, ç’kuptim do të kish ngjyra e lëkurës, era e qelbur apo gjatësia e feçkës së tyre? Krahasuar me cilindo vend të ish-Lindjes, madje edhe të Ballkanit, në drejtim të përbaltjes masive, pa pikë dyshimi, ne zëmë, me meritë, vend të parë. Tashmë ky “sukses” nuk është vetëm në aktualitetin politik, po edhe në fushën e kulturës e moralit, në mosbesimin e ndërsjellë mes qytetarëve, pse jo edhe brenda familjes, ku babai ka më tepër respekt për dorën e ndyrë të të birit nëse dyepafytyrësinë, vjedhjet, krimet e korrupsionin di t’i bëjë si kryeministri e ministrat e tij, pa u kapur e në dobi të familjes…

Në historinë tonë moderne tash është vështirë të gjesh një ngjarje a një figurë përbashkuese, të pastër e idealiste, për të cilën biem të gjithë dakord, të djathtë e të majtë, të kulturuar e injorantë. Ja përse 100-vjetori na gjen me këtë “arritje” të pamohueshme. Ja përse kemi mbetur, gjithsesi, pa një përgjigje të saktë: Ç’kuptim dhe ç’vlerë ka për shoqërinë tonë morali, Ligji, nderi, përkushtimi, Fjala, patriotizmi, trashëgimia kulturore, arsimimi, dijet, ca më pak ideali, kur i fituar dhe i nderuar del përherë ai/ajo/ata që janë më të pacipë? Jemi shoqëri pa modele, pa kampionë, pa shenjtorë, pa ikona e vakëfe, jo vetëm fetare e politike, po edhe artistike e sportive. Edhe çmimet, dekorimet, titujt, po edhe shtatoret që do të ngrihen për 100-vjetor “përzgjidhen” që të zhvlerësohen edhe ato përkujtimore që e kanë kaluar testin e kohës e të historisë e kanë mbetur pa u rrënuar, përdhosur e shembur. Njëra dorë ndyn tjetrën, që të dyja bashkë të ndyjnë fytyrën e kujtdo që guxon të thotë të vërtetën….
***
Në këtë klimë të molepsur, qysh tani fushata e pritshme zgjedhore e vitit 2013 po projektohet mbi/me këtë qëllim sa përbaltues, aq edhe përçarës. Do të zgjidhen nëpër lista ata/ato që janë më të ndyrë, ata që gënjejnë më bukur, ata që vjedhin më pak, ata që premtojnë edhe të të pështyjnë, të të rrahin, por ama mos të të vrasin… Në të gjitha zgjedhjet, duam nuk duam, jemi vënë me shpatulla pas murit të dilemës së mësipërme. Njëra dorë vazhdon të ndyjë edhe tjetrën që i pafytyri të mos lejojë kurrkënd të ketë emër të pastër, sepse kjo rrezikon të zbulohet, edhe pa ndihmën e mediave, cili është autor i “platformës” antikombëtare që na ka çuar si dele në këtë krizë të pashembullt mosbesimi.

Jo vetëm për korrupsionin zotëron ky justifikim: Vërtet po vjedhim ne qeveritarët e sotëm (sipas Topallit, vetëm zëvendësministrat!), po ama ju të djeshmit keni vjedhur më shumë! Edhe për krimet politike, si p.sh: Po të kërkohet prej opozitës zbardhja e vrasjeve të 21 janarit, automatikisht do të rihapet “vrasja e Tivarit”, edhe pse të dyja ngjarjet tragjike nuk kanë as edhe një lidhje në kohë, në hapësirë e në pasojë. Edhe greva e urisë e të përndjekurve politikë në mes të Tiranës po përcillet sipas parimit: ‘Njëra dorë duhet të ndyjë domosdo edhe tjetrën’, që praktikisht të arrihet te përfundimi: ‘Nëse qeveria e Berishës nuk ua ka zgjidhur kërkesat, kush janë fajtorët më të mëdhenj ndaj tyre? Sigurisht ata që i burgosën, i internuan dhe i persekutuan para pesëdhjetë vitesh...! Dhe me këtë “logjikë” djallëzore kujtohet se po hidhet lumi, pasi faji që të persekutuarit edhe pas 22 vitesh demokraci janë po aq të harruar e të rrënuar (‘fundërrina’, i quajti pa i bërë syri tërr ish-komunist-antikomunisti ynë kordhëtar!), problemi mbetet i pazgjidhur. Kësisoj, me një hile sigurohen disa “fitore”: 1. Kryqëzohet edhe një herë tjetër opozita si trashëgimtare e diktaturës, si neobllokmene, etj, 2. anashkalohet për bukuri fakti që ish-të përndjekurit nuk kanë hyrë në grevë urie se u burgosën nga diktatura, por sepse nuk po shpërblehen dhe nuk po trajtohen si e meritojnë nga qeveria e sotme, 3. duke aluduar se disa nga grevistët kanë qenë kundër ligjit për lustracionin, lihet të kuptohet se edhe ata mund të kenë pas qenë spiunë të Sigurimit në burg… dhe, 4. duke thënë që greva e urisë e të përndjekurve bëhet për të marrë ca më shumë para se ç’u takojnë, kundër tyre do të kundërvihen qytetarët e papunë e të mbetur me gisht në gojë për shkak të keqqeverisjes… E njëjta “politikë” e hedhjes së fajit te tjetri bëhet edhe për integrimin. U molloiset fëmijëve nëpër shkolla jo vetëm që këta t’u kundërvihen prindërve, por edhe për të na ngulitur në tru se, që kemi mbetur më të fundit në Ballkan për integrimin fajin e ka opozita, e ka tjetri, kurrsesi Berisha, paçka se Shqipëria po lëngon në një tranzicion më të tejzgjatur edhe se ai i Serbisë… Njëra dorë duhet të ndyjë me ç’të mundet tjetrën, që fytyra e udhëheqësit, mes mëkatarëve, të palarëve, hajdutëve e mashtruesve ordinerë të ngjajë normale, e pëlqyeshme, e adhurueshme!
***
Në këto kushte dalja në skenë e dy partive të reja, AK dhe FRD, ka rëndësi e përgjegjësi parësore e historike, jo vetëm për të larguar nga pushteti Berishën, si thuhet, por më kryesorja: Të sendërtohet një model të ri qeverisës nëpërmjet ringjalljes së besimit, ringritjes së moralit, lidhjes organike të qytetarit me vendin, me komunitetin, me shoqërinë, me votën, me Ligjin e politikën përmes delegimit të pushtetit te përfaqësuesit më të mirë, më të pastër e më të besuar. Por nëse edhe këta rishtarë do të sillen si ish-”karrige(dhëmbë)thyerit” e Aleancës Demokratike, që u shkëputën “për parime” nga PD për t’u bërë në ‘97-ën ministra nga PS e pastaj, kur PS ra nga pushteti, u rikthyen sërish në PD për t’u riemëruar deputetë e ministra, apo edhe si LSI nga e majta, atëherë kriza e mosbesimit do të zgjatet edhe më në tëhu… Pra nëse, në këmbim të një posti (“le të bëjmë edhe ne një dorë para, se ky vend, si ka qenë do të jetë!”…) nuk do të ndëshkojnë ata që patën akuzuar, si patën bërë socialistët kur falën Berishën e demokratët që futën Nanon në burg e më as u puthën…, atëherë shoqëria nuk ka për ta gjetur dot rrugën e duhur të pastrimit moral as në dhjetëvjeçarin e ardhshëm!

Duke e ndjerë rrezikun që po i vjen, Berisha jo më kot synon të ndyjë e të përbaltë edhe liderët e dy partive të reja, njërin duke e quajtur faqezi, ish-Presidentin si një gjobëvënës ordiner… Të dy i akuzon si bashkëpunëtorë me kriminelët dhe vrasësit e gjykatësit të Vlorës e kryepolicit të Shijakut… Kjo fushatë denigruese nuk është as e re e as e panjohur. Në ditët që vijnë kjo trysni do të forcohet edhe më për të bindur, sipas traditës, votuesit naivë: Ne ndoshta kemi bërë gabime, por ama këta që duan të na heqin janë ku e ku më faqezinj e më të pabesë se ne! E po qe se edhe në vitin 2013 do të ketë sukses kjo “politikë” përçarëse e përbaltuese, atëherë duhet pranuar: Faji nuk i takoka Berishës, por ne që, me sa duket, ende nuk jemi bërë qytetarë, madje as katundarë, por ca enë bosh, si kazanët e ujit mbi tarracë që mbushen me pikatore, me urdhër qeverie e orar… E pra, këto “enë” i përkasin një parashoqërie e cila, në fakt, nuk e meriton jo vetëm standardin evropian, por as demokracinë si sistem.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›