E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjerohet gjeografia e viktimave të mashtruesit me çeqet bankare

Katër persona kanë denoncuar në polici shtetasin Eduart Jaku për mashtrimin me çeqet bankare. Burime nga Policia e Korçës bëjnë të ditur se 26-vjeçari nga Bushati u denoncua brenda një dite nga katër shtetas, të cilëve ai u kishte lëshuar çeqe false për qëllime fitimi, të cilat i nënshkruante me identitet të rremë. Mes rasteve që janë paraqitur në organet e rendit për të depozituar kallëzimet penale ndaj të riut shkodran, ka qenë edhe një 28-vjeçare nga fshati Bulgarec, i Korçës. Krahas të dhënave që dispononte policia pas denoncimit publik të këtij mashtruesi që kishte mundur të siguronte para në formë borxhi, duke lëshuar çeqe dhe duke mos kryer pagesa për shërbimet ndaj tij, ka qenë edhe ajo e një banoreje të fshatit Bulgarec.
Mashtruesi ka kryer disa blerje në dyqanin e saj dhe nuk ka kryer pagesat për mallrat që ka përfituar. Mësohet se policia tashmë ka nisur procedimet penale me katër kallëzimet e personave që kishin ende çeqet e lëshuara nga i riu verior nën emrin Eduart Dibra. R.K, 47 vjeç, K.S, 48 vjeç, M.L 28 vjeç dhe P.Z 50 vjeç, të gjithë biznesmenë, kanë qenë personat që kanë denoncuar 26-vjeçarin për veprën penale të mashtrimit.
Policia dhe sektori i krimit ekonomik kanë mundur që në bazë të kallëzimeve dhe të dhënave fizike për të riun që mashtronte korçarët, të identifikojë dhe kapë autorin. Policia ka nisur kërkimet derisa 26-vjeçari Eduart Jaku, nga Bushati, është vënë në pranga në orën 20:00 të së dielës në qytetin e Pogradecit. Sipas policisë ai u zbulua në bazë të karakteristikave trupore që kishin paraqitur të dëmtuarit. Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se Eduart Jaku ka përdorur këtë metodë mashtrimi në mënyrë të përsëritur në disa qytete të vendit. Mësohet se ai ka mundur të mashtrojë dhe marrë shuma të mëdha parash nga disa persona.
Burimet e policisë thonë se që nga 3 janari, datë kur rezultonte se 26-vjeçari ishte larguar nga qyteti i Korçës, Jaku ka qëndruar i fshehur dhe është strehuar në një nga hotelet e qytetit të Pogradecit. Sipas policisë ai kishte ndërruar disa hotele brenda pak ditëve që të mos binte në sy dhe hiqej si turist që kishte ardhur me pushime me të fejuarën e tij. Eduart Jaku ka konsumuar veprën penale të “Mashtrimit”, ndërsa në cilësinë e provës materiale policia ka gjetur dhe sekuestruar një bllok me çeqe të Bankës Kombëtare Tregtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›