E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Sfidat e integrimit evropian të Shqipërisë”, Ambasadori Gaiani bashkëbisedim me studentët e “Luarasit”

TIRANE - Universiteti “Luarasi” organizoi një bashkëbisedim me ambasadorin italian Massimo Gaiani dhe studentët e Drejtësisë dhe Ekonomikut të këtij universiteti. Tema e bashkëbisedimi ishte “Sfidat e integrimit evropian të Shqipërisë.” Ambasadori italian u shpreh se vitet që e ndajnë Shqipërinë për të hyrë në BE duhet të shërbejnë për të pasur një administratë publike dhe sipërmarrje private më të fuqishme. Gaiani tha se nevojitet një përgatitje e gjerë e administratës qendrore dhe lokale, pasi hyrja në tregun e përbashkët të BE-së kërkon angazhim maksimal.

“Vitet që na ndajnë nga momenti i anëtarësimit të Shqipërisë në BE do të shërbejnë pikërisht për të fuqizuar dhe për të përforcuar më tej jo vetëm administratën publike, në mënyrë që ajo të dijë të mirëpresë dhe të përballet me këto sfida dhe të jetë sa më konkurruese, por gjithashtu duhet të shërbejë për të fuqizuar edhe të gjitha sipërmarrjet, në mënyrë që të jenë të afta të konkurrojnë jo vetëm brenda tregut vendas, por edhe të tregut të jashtëm evropian. Në rast të mospasjes së një administrate të fortë dhe të përgatitur sigurisht që vihet në rrezik i gjithë ky proces përfitimi ndihmash dhe fondesh. ”- u shpreh ambasadori.

Gaiani përcolli tek studentët e Universitetit “Luarasi” përvojën e tij praktike, madje dha edhe këshilla për të kuptuar më mirë veçantitë, strukturën dhe organizimin e Bashkimit Europian. Ai tha se aktualisht BE-ja është makina legjislative më e fuqishme që ekziston. Duke përmendur eksperiencën e vendit të tij, Italisë, ambasadori tha se 70% e ligjeve që miratohen nga Parlamenti italian vijnë nga Brukseli. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me rastin e Shqipërisë kur të jetë pjesë e strukturave të BE-së.

Gjatë aktivitetit studentët Universitetit “Luarasi” kanë patur mundësi t’i drejtojnë pyetjet e tyre ambasadorit Gaiani.

(news24//BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›