E Diel, 1 Nëntor 2026

‘Përmeti’, Komunitetet e Krishtera: U dhunua kleri, shteti t’i kthejë Kishës, pronat

TIRANË-Komunitetet e Krishtera në Shqipëria kanë reaguar mbi ngjarjen në Përmet për godinën e Pallatit të Kulturës që pretendohet nga kisha se është godinë fetare.
Në një deklaratë për shtyp, Komunitet e Krishtera të Shqipërisë u shprehën se përmbarimi përdori dhunën mbi klerikët dhe objektet fetare duke rikthyer në kohë vitet e persekutimit të klerit fetar në Shqipëri.

“Kemi ndjekur me shqetësim dhe indinjatë ngjarjen e fundit në kishën ortodokse Shën Maria e pazarit, të qytetit të Përmetit, ku forcat policore të një shoqërie private përmbarimore nxorën nga objekti i kultit me forcë objekte të shenjta fetare dhe trajtuan në mënyrë të turpshme klerikët dhe besimtarët ortodoksë, të cilët dolën në mbrojtje të kishës së tyre. Pamjet e transmetuara nga mediat na sollën edhe një herë në mendje vitet e persekutimit dhe të luftës ndaj institucioneve fetare dhe objekteve të kultit, ndërkohë që presim ende kthimin e objekteve dhe pronave të komuniteteve tona fetare”.

Komunitetet e Krishtera i kërkuan shtetit që cështja të zgjidhet shpejt duke kaluar godinën tek besimtarët.

“Me këtë deklaratë duam të shprehim solidaritetin tonë me vëllezërit dhe motrat tanë ortodoksë të qytetit të Përmetit dhe të gjithë besimtarëve ortodoksë dhe urojmë që çështja e kësaj kishe të zgjidhet sa më shpejt dhe objekti i kultit dhe vendi i shenjtë t’i kthehet besimtarëve dhe klerikëve për të kryer shërbesat e shenjta. Me këtë rast do të dëshironim t’i bëjmë thirrje edhe një herë shtetit shqiptar që të angazhohet në zgjidhjen përfundimtare të kthimit të pronave Komuniteteve Fetare në Shqipëri, të cilët edhe pas 23 vitesh demokraci nuk kanë gjetur të drejtën e tyre te ligjshme dhe demokratike”.
Deklarata u firmos nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike e Shqipërisë, Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë.

Çështja e Pallatit të Kulturës ka shkaktuar dhe përplasje fizike pak ditë më parë ku dy besimtare ortodokosë u lënduan lehtë gjatë hyrjes me forcë në godinë, e cila ruhej nga policia private.

Ndërsa më pas Bashkia izoloi muret me tulla kurse priftërinjtë në shenjë proteste zhvilluan meshën jashtë. Çështje e kishës tensionoi marrëdhëniet mes dy vendeve ku policia greke pa asnjë shkak ktheu qindra shqiptarë në kufi.
Ekspertët në vend e cilësojnë cështjen e Kishës jo një cështje fetare por një problem që vjen si pasojë e cështjen ende të pazgjidhur të pronave.

Pallati i Kultures
Pallati i Kulturës "Naim Frashëri" ka heshtur së funksionuari në vitin 1997, falë një vendimi të Komisionit të Pronave të rrethit të Përmetit.
Objekti dykatësh u ndërtua 51 vjet më parë, në vitin 1962.
Pas Luftës së Dytë Botërore, në truallin ky është ngritur Pallati i Kulturës dhe lulishtja e qytetit, jetonin në baraka 30 familje.
Në vitin 1958 ato u shpërngulën, pasi sistemi komunist hartoi një plan rregullues.
Në nëntor të vitit 1962 u inaugurua lulishtja e qytetit sëbashku me Pallatin e Kulturës.
Gjykata Kushtetuese në vitin 2002 ka vendosur në favor të pushtetit vendor, por prej 11 vitesh ky objekt u mbajt forcërisht nga Kisha Ortodokse.
Pallati i Kulturës, me sipërfaqe 6000 metra katrorë, figuron me nr. pasurie 16/9, ndërsa Zyra e Përmbarimit ka tentuar 15 herë të ekzekutojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por asnjëherë nuk është realizuar.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera Përmet, Konsulli grek: Kisha e pavarur, vendimet i merr vetë 'Përmeti', Janullatos: Në vend të Kishës duan kumar

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›