E Diel, 1 Nëntor 2026

‘Rebelohet’ Mediu”: Dashuria PD-PS ia kalon çdo lloj parade

TIRANE - Kreu i PR-së Fatmir Mediu hedh akuza të forta ndaj dy partive kryesore në vend që sipas tij po tentojnë eliminimin e partive të vogla përmes reformës së re elektorale. Për “GSH” ai shpreh keqardhje që edhe faktori ndërkombëtar ka një vështrim shumë të sipërfaqshëm ndaj kësaj çështjeje për faktin se, duan një kompromis mes PD-së dhe PS-së. Sipas tij, dashuria e paparë mes PD-së dhe PS-së për reformën zgjedhore ia kalon çdo lloj parade. “Është e vetmja çështje, që kanë një dashuri të madhe të dyja palët, e paparë ndonjëherë një paradë dashurie e paparë ndonjëherë, ja kalon çdo parade tjetër dhe kjo është pikërisht për reformën zgjedhore. Kemi parë lloj lloj paradash politike, por si kjo se kemi parë ndonjëherë. Çështja është se kjo shtron një pikëpyetje të madhe përballë gjithë kësaj situate. Pse? Sepse është i vetmi interes ku bashkohet për të kontrolluar jetën politike në Shqipëri”, - shprehet z. Fatmir Mediu. Por, ai kujton se nëse PS-ja vjedh votat e aleatëve, PD-ja përfiton nga të vetët. Kryetari i PR-së, njëherësh ministër i Mjedisit, ka një argument të fortë kur thotë se reforma zgjedhore është një reformë jotransparente, manipuluese për shkak të formulave të përdorura në sistem, asgjësuese me tendence krijimin artificial të monopolit në jetën politike dhe më tej të vendit, si dhe reformë e pabarabartë nga hapësirat mediatike, financimin, kontrollin dhe administrimin e votës. Por, kryerepublikani Mediu denoncon edhe faktin se Kuvendi i Shqipërisë si kurrë më parë është kthyer në një Kuvend me deputetë të emëruar përmes deformimit të votës së shqiptarëve.
Z. Mediu, pse nuk merrni pjesë në komisionin parlamentar për reformën zgjedhore?
Nuk shkoj në mbledhjet e komisionit për një arsye të thjeshtë. Është një komision që jo vetëm dominohet nga dy partitë e mëdha, por çdo vendim kalon vetëm me miratim të tyre dhe partitë e tjera nuk kanë ndonjë vlerë për atë që shtrojnë.
E para, është një komision tërësisht jotransparent, shumë herë më i keq se komisioni që ka qënë për kodin zgjedhor, për reformën zgjedhore në vitin 2009. Tërësisht i mbrapshtë. E dyta, synohet një monopol në jetën politike jo nëpërmjet barazisë së votës e përfaqësimit të votës së qytetarëve në kuvend, por nëpërmjet formulave tërësisht të deformuara në sistemin zgjedhor.
Ngrihet përballë ndërkombëtarëve frika e ndryshimit të sistemit zgjedhor që kërkon ndryshim kushtetues dhe nuk duhet prekur kushtetuta në një kohë që e kanë prekur për një orë.
Ju keni kërkuar ndryshim të kushtetutës në këtë rast?
Asnjë nga ne nuk ka kërkuar ndryshim kushtetues. Kemi kërkuar një formulë e cila t’i japë gjithë secilës parti atë që meriton.
Çfarë formule kërkoni konkretisht dhe cila ka qënë përgjigjja që keni marrë?
Vendosën që të përdoret formula e “Dehondit”, e cila u shpik në momentet e fundit thjesht e thjesht për të eliminuar forcat e tjera politike. Secili të marrë atë që i takon. Nëqoftëse ka një listë kombëtare e zgjidh çështjen, secili merr të vetin dhe këtu mbyllet hesapi. Kuvendi i Shqipërisë si asnjëherë tjetër është kthyer në një Kuvend i emëruar. Ti ke detyrimet ndaj atij që të voton, me qëndrimet në politikë dhe nismat e tua dhe fatkeqësisht i vetmi qëndrim luajal i deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë është qëndrimi karshi lidershipit politik dhe jo karshi atyre që kanë votuar.
Për çfarë arsye?
Për shkak sepse në pjesën më të madhe janë deputetë të emëruar. Vazhdojmë më tej. Flasim për një garë të ndershme. Media është tërësisht e kontrolluar nga dy partitë e mëdha. Kjo për shkak dhe të detyrimeve që vijnë nga Kodi Zgjedhor dhe ndodh që ti duhet të shprehesh mesazhin tënd vetëm në 18 sekonda sepse nuk je më as në debat, nuk ke as të drejtë të shtrosh idetë për të gjetur mbështetjen tek elektorati. Financat e partive politike sipas këtij ligji, përveç mundësive të tjera janë përcaktuar vetëm me votë të dy partive të mëdha. Tentohet dhe do të vazhdojë të kontrollohet procesi zgjedhor vetëm nga dy partitë e mëdha. Unë nuk mund të arrijë ta kuptoj pse disa parti janë përjashtuar nga e drejta e kontrollit të procesit të votimit, dhe disa do të kenë nga 3 dhe 4 në çdo komision. Sepse mjaftonte të kishe 1, i cili të sillej në mënyrë të ndershme, të zbatojë ligjin dhe është e mjaftueshme. Pra, të gjitha këto janë elemente të cilat e cënojnë jo raportin ndërmjet PD-së dhe PS-së, por cënojnë drejtpërdrejtë përfaqësimin e të drejtës së votës të qytetarëve shqiptar.
Dhe cili është roli i ndërkombëtarëve në këtë rast?
Fatkeqësisht edhe faktori ndërkombëtar ka një vështrim shumë të sipërfaqshëm ndaj kësaj çështje, shtuar dhe z.Sanino. Edhe gjatë një takimi që kam pasur me z.Sequi kjo më është lënë të kuptohet.
Cili është qëllimi i tyre atëherë?
Është e thjeshtë, duan një kompromis mes dy palëve. Është e vetmja çështje që kanë një dashuri të madhe të dyja palët, e paparë ndonjëherë, një paradë dashurie e paparë ndonjëherë, ja kalon çdo parade tjetër dhe kjo është pikërisht për reformën zgjedhore. Kemi parë lloj lloj paradash politike, por si kjo se kemi parë ndonjëherë.
Për çfarë lloj parade e keni fjalën?
Për paradat politike që kemi parë kushedi sa herë. Çështja është se, kjo shtron një pikëpyetje të madhe përballë gjithë kësaj situate. Pse? Sepse është i vetmi interes ku bashkohet për të kontrolluar jetën politike në Shqipëri.
Pse thoni se është një proces jotransparent?
Reforma zgjedhore është një proces jotransparent dhe në bisedime po paraqiten formula të kodit që penalizojnë partitë e vogla.
Reforma zgjedhore është një reforme jotransparente, manipuluese për shkak të formulave të përdorura në sistem, asgjësuese me tendencë krijimin artificial të monopolit në jetën politike dhe më tej të vendit, si dhe reformë e pabarabartë nga hapësirat mediatike, financimin, kontrollin dhe administrimin e votës.
Ju po akuzoni dy partitë e mëdha se po cënojnë barazinë e votës përmes konsensusit në komisionin e reformës zgjedhore. Konkretisht, çfarë praktike po përdoret për këtë cënim që thoni ?
Nëse ka një marrëveshje mes PD-së e PS-së, synimi i tyre e përsëris është kontrolli i jetës politike në vend. Për mua së pari është një proces e para jo transparent, e dyta që cënon në mënyrë të padiskutueshme një monopol të jetës politike jo për shkak të votës së qytetarëve, po për shkak të formulave tërësisht të shtrembëruara që futen në këtë kod për t’i marrë deputetë partive të ndryshme dhe për t’i hedhur mbi partitë e mëdha. Janë diskutime që bëhen thjesht të aspektit teknik, duke lënë mënjanë një aspekt shumë të rëndësishëm që është barazia e votës së qytetarëve dhe përfaqësimi i tyre i drejtë në Kuvendin e Shqipërisë. Mendoj që ka një marrëdhënie tej marrëdhënies së kompromisit normal ndërmjet dy partive dhe nëse ndodh vetë për kodin, ndodh dhe për shkak të interesit të tyre të përbashkët për të kontrolluar jetën politike, siç e thashë dhe më parë, jo në mënyrë të ligjshme. Megjithatë unë besoj që ka akoma kohë për të reflektuar”.
Po merren vendime bilaterale ?
Puna e komisionit po bëhet në mungesë të plotë transparence, ndërsa po merren vendime bilaterale. Ne kërkojmë që të mos cenojnë barazinë e votës. Kur flasim për reformë zgjedhore, duhet të prekë të gjitha aspektet që janë të nevojshme për të garantuar votën e qytetarëve shqiptarë, që të jetë një votë e lirë, e numëruar drejt, por dhe e përfaqësuar drejt në Kuvend. Ne kemi vuajtur nga një fenomen i “Dushkut”, i cili transferonte votat e partive të mëdha tek partitë e vogla dhe sot vuajmë nga një fenomen i kundërt; partitë e mëdha marrin votat e partive të vogla. E kam thënë, 20 për qind e votuesve shqiptarë nuk janë të përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë, janë rreth 25 deputetë që duhet të dilnin me mandate nga ky 20 përqindësh, ku për fatin e keq janë vetëm 7, pjesën tjetër e kanë marrë partitë e mëdha pa të drejtë sipas gjykimit tim.
Gjatë zgjedhjeve të vitit 2005, çfarë ndodhi me votën elektorale?
Kemi një koalicion të ndërtuar në vitin 2005. Janë bërë shumë debate dhe shumë diskutime rreth kësaj çështjeje. Kur ndërtohet një koalicion, ideja është të fitojë koalicioni dhe ky koalicion përpiqet që të marrë maksimumin e votave.
Në atë kohë PR-ja ka bërë një marrëveshje sepse duke qënë partia më afër PD-së padyshim që votat proporcionale do të adresoheshin drejt PR-së. Dhe për të qënë në rregull me PD-në, në listën proporcionale të PR-së janë përfshirë kandidatë të drejtpërdrejtë të PD-së për të mos marrë PR-ja atë që nuk i takonte. Dhe pavarësisht nga numri i deputetëve që mori, ne kemi qënë fifti-fifti me PD-në me numrin e deputetëve nga ajo që quhej republikane në Kuvendin e Shqipërisë. Mund të kishim vënë listë të plotë të PR-së, mund të kishim pasur pothuajse të njëjtin rezultat. Pra, jemi përpjekur që të jemi krejtësisht luajal të cilën e reflektuam edhe për sa i përket qeverisjes.
Po në vitin 2007?
Edhe në vitin 2007, po ashtu nevoja elektorale sillte një organizim sa më të gjerë të koalicionit elektoral dhe PR-ja ka qënë protagoniste që të zgjedhohej ky koalicion. Unë mendoj se PD-ja ka vendosur në funksion një element shumë të rëndësishëm, të ngritjes së peshës së koalicionit, ndonjëherë pothuajse edhe në dëm të interes, thjesht elektoral të saj. Sepse ajo që ishte e rëndësishme, ishte si fitorja në mazhoritar edhe fitorja në proporcional, votë popullore dhe votë mazhoritare. Pra, duke pretenduar mazhoritarin, siç është partia e parë në zgjedhje lokale, drejt bashkive dhe komunave dhe duke pasur pastaj padiskutim edhe ato që mund të ishin kosto në votën proporcionale.
E njëjta strategji u ndoq edhe në vitin 2009 ?
Sigurisht, dhe mendoj se logjika është e thjeshtë e këtij sistemi të mbrapshtë, është se kush fut më shumë parti dhe kush ua merr votat këtyre partive që normalisht i merr partia më e madhe. Dhe kanë marrë nga aleatët në vitin 2009, njëqind e dhjetë mijë vota pa partinë Lëvizja Socialiste për Integrim. Kaq vota po të kthehen në mandate janë afërsisht 11 mandate në maksimumin e mundshëm të tyre ndërkohë që, ka deputetë të PD-së që sot janë përfaqësues në Kuvendin e Shqipërisë me 2500 vota. Pra, edhe në zgjedhjet e 2011 u ndoq po e njëjta strategji. Çështja është që nuk i lënë as frymëmarrje konkurrimi sistemit zgjedhor që të jep ose mundësinë për të dalë në vete, ose një konkurrim më përfaqësues, pra si elementë bazë për të mbledhur vota ose për të konkurruar me alternativë përballë qytetarëve.
Kjo ka të bëjë me faktin se partitë e vogla konsiderohen si inekzistente përfitojnë në kurriz të partive të mëdha?
Secila parti ka rolin e vet në jetën e politike dhe kontributin e saj por po ju them vetëm një gjë në rast se PS-ja u vjedh votat aleatëve të saj, PD-ja ka përfituar nga aleatët e vet.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›