Retrospektivë/Ndërkombëtarët, të zhgënjyer për qëndrimin e opozitës ndaj Imunitetit
Ndërkombëtarët kanë reaguar vazhdimisht se me datë 6 gusht duhej të votohej për heqjen e imunitetit zyrtarëve të lartë dhe politikanëve dhe se kishte kohë për gjithçka. Gjithashtu ata i kanë kërkuar Partisë Socialiste të mos bllokojë perspektivën e Shqipërisë për t’u integruar në Bashkimin Europian. “Mendoj që të gjitha palët bien dakord që imuniteti duhet të hequr, a duhet shikuar me kujdes, absolutisht po. Gjatë 7 deri në 10 ditët e të ardhshme do ketë shumë aktivitete, debate publik dhe diskutime. A nevojitet shumë kohë, ndoshta, por dua të jem i sinqertë. Sot është 19 korrik dhe koha nga sot deri më 6 gusht në periudhën shqiptare është përjetësi dhe nuk është tematikë e re, por nëse ka vullnet mund ta heqin imunitetin”.
Kështu është shprehur ambasadori i SHBA-ve, Arvizu i pyetur nga gazetarët për votimin e datës 6 gusht.
Ndërsa ambasadori i OSBE-së, Eugen Vollfarth në një prononcim të tij theksoi se palët duhej ta mbyllnin me 6 gusht sepse, sipas tij, mbetet një pengesë madhore për hetimin e rasteve të mundshme të korrupsionit. “Pas shumë vite diskutimesh, tani duket se është koha e duhur për të ndryshuar Kushtetutën dhe për të hequr imunitetin që gëzojnë këta zyrtarë. I bëj thirrja kuvendit që ta shfrytëzojë siç duhet kohën e mbetur duke synuar arritjen e një marrëveshje deri më 6 gusht”, theksoi Vollfarth.
Ndërkohë kreu i Partisë Popullore Europianë në KiE, Luka Volonte gjatë një interviste për mediat lidhur me zhvillimet politike në vend, e konkretisht për qëndrimin e Partisë Socialiste për të mosvotuar në 6 gusht për kufizimin e imunitetit u shpreh se, “Edi Rama nuk resht së befasuari Europën. Befasia e fundit është refuzimi i tij për të votuar me 6 gusht heqjen e imunitetit të parlamentarëve dhe zyrtarëve të lartë”.
Presidenti i Partisë Popullore Europiane në KiE, Luka Volonte thotë se me këtë qëndrim Rama është rreshtuar në anën e atyre që nuk e duan transparencën. “Kam mbetur shumë i befasuar kur kam marrë vesh këto ditë se pikërisht një nga dy liderët, pra Rama i cili për vite të tëra ka reklamuar në të gjithë Europën me polemika kundër Berishës, idenë e një transparence më të madhe, dhe të një reforme për imunitetin, pasi ka parë dhe ka pranuar pjesën më të madhe të amendamenteve, ka vendosur nga ana tjetër të mos votojë një reformë shumë thelbësore. Pra ai që dikur thoshte dhe kërkonte më shumë transparencë sot është ai që nuk lejon që kjo transparencë të jetë pjesë e sistemit shqiptar”, deklaroi ai.
“Ajo për të cilën më vjen më shumë keq, është se për herë të dytë Partia Socialiste dhe lideri i saj Edi Rama shtiren se nuk e dinë që ky ligj i ri për imunitetin është një nga kushtet thelbësore dhe të rëndësishme, në mënyrë që Bashkimi Europian të japë një mendim në favor të vazhdimit të procedurës për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Pra vota kundër e Ramës po bën një dëm të dyfishtë, pra bën dëm duke u rreshtuar në anën e atyre që nuk duan transparencë në parlament, dhe për fat të keq, për herë të dytë renditet në anën e atyre që nuk e duan Shqipërinë në Europë. Unë mendoj, se është e drejtë të ftosh të gjitha forcat politike në parlament duke përfshirë dhe zotin Rama, për t’u menduar dhe njëherë për këtë qëndrim të tij sepse ky qëndrim është kundër Shqipërisë dhe kundër transparencës në Shqipëri”, vuri në dukje Volonte.
Po ashtu Kongresmeni amerikan Eliot Engel është shrehur pro miratimit të heqjes së imunitetit nga politika shqiptare. Kongresmeni Engel në një intervistë për një portal shqiptar online thote se palët duhet të angazhohen për heqjen e tij, si rruga më e mirë për këtë proces. “Siç e di unë në qoftë se miratohet ligji (pro amendimit të Kushtetutës për heqjen e imunitetit) për heqjen e imunitetit, BE-ja do t`a shohi atë si një sinjal pozitiv për Shqipërinë në BE. Përdërisa BE thotë kështu mendoj se do jetë pozitive edhe për Shqipërinë që ta heqi imunitetin” ka thënë kongresmeni. Ne në SHBA ne nuk kemi imunitet, unë vetë nuk kam imunitet, asnje anëtar i Senatit, Kongresit apo zyrtar i larte nuk ka imunitet. Unë nuk e di se cili është teksti i këtij ligji, pasi unë nuk e kam parë, natyrisht që dhe nuk dëshiroj të komentoj. Por, në qoftë se është e vërtete se BE-ja e sheh këtë ligj me favor për një vend që e ka hequr imunitetin - kjo do të ndihmoj Shqipërinë në integrimin në BE dhe do jete një hap pozitiv për Shqipërinë”, u shpreh Engel.