Çmendet Siti, 90 mln euro për Ronaldon
Superylli i Real Madridit, Kristiano Ronaldo është i gatshëm të pranojë një kalim te Mançester Sitit në rast se sheikët i ofrojnë kontratë të vlefshme prej 400 mijë stërlina në javë. Sunday Mirror shkruan se superylli portugez është duke u thënë miqve se po kërkohet nga Sheik Al-Mansur i Mançester Sitit. Ronaldo u ka thënë njerëzve të tij të afërt që dikush prej familjes së sheikëve ka kontaktuar me të joformalisht duke i ofruar një kontratë marramendëse. Siti tashmë ka mohuar spekulimet, por Ronaldo besohet të ketë hartuar një listë të kërkesave të tij, të cilat janë:
1. Pagë prej 400 mijë stërlinash në javë.
2. Fanellën me numër 7 dhe shiritin e kapitenit
3. Garanci se ai gjithmonë do të jetë lojtari më i paguar në klub.
26-vjeçari u ka thënë po ashtu të afërmve të sheikut se ata duhet të bëjnë gati pothuajse 80 milionë stërlina për ta transferuar, ashtu si bëri Reali kur e mori atë nga Mançester Junajtid. Ronaldo beson se Siti do të ishte i gatshëm ta paguante atë 350 mijë stërlina në javë, por ai kërkon 400 mijë Stërlina në javë, gjithnjë sipas burimeve.
“Kristiano thotë se ai është kontaktuar nga një palë e tretë. Ai thotë se është tejet i lëkundur duke parë se sa larg është në gjendje të shkojë Siti. Ai ka pohuar se ata dëshirojnë ta paguajnë sa dëshiron vetëm për t’u bërë lojtar i Mançester Sitit. Ai thotë se ai dëshiron 400 mijë stërlina në javë, pasi taksat në Angli janë më të larta”, theksoi burimi. Ky spekulim përbën një lajm shokues për gjithë hierarkinë dhe tifozët e Mançester Junajtid, pasi Kristiano Ronaldo u formua si lojtar dhe ishte pjesë e suksesve kryesore me rivalin më të madh të Mançester Sitit, klubin nga “Old Trafford”. Por çfarë e bën të lehtë këtë superoperacion merkatoje? Natyrisht paratë e Sheikut Mausur, që personalisht zotëron një pasuri prej 22,6 miliardë euro dhe familjarisht një thesar prej 678 miliardë eurosh, e bëjnë vërtet të realizueshme këtë lëvizje, që deri tan cilësohet si “e çmendur”. Por, nuk është për t’u çuditur nëse në fund të sezonit nuk ndodh asgjë, pasi edhe 24 milionë eurot që do të përfitonte portugezi si pagë vjetore, mund të shpenzohen shumë mirë për afrimin e lojtarëve të tjerë në ekip.