E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjenco Naçi: Ky libër nuk është kritikë apo mbrojtje ndaj Mbretit

Ky libër nuk është një vetëmbrojtje. Deri sot asnjëri - pothuajse s’më ka paditur botërisht se pse punova me mbretin Zog gjatë kohës së luftës, kur Shqipëria ka qenë nën sundimin e fashizmit ose të nazizmit. Në rast se paditem, do të përgjigjem, por tani për tani kujtoj se kam një detyrë tjetër, të cilën e shikoj si më të fortë dhe si më të vlefshme. Ky libër nuk është një mbrojtje ose një kritike e veprimeve të mbretit Zog gjatë kohës së lartpërmendur. Këtë punë duhet ta bëjë historian i ardhshëm, i cili do të jetë më i shkëputur nga personat dhe ngjarjet dhe i cili do të ketë dokumentet dhe informacionet nga burime të ndryshme. Në rast se midis burimeve të tij do të gjeje të udhës të përdorë edhe këtë libër, atëherë një nga qëllimet e tij do të përmbushet. Më vonë mundet të gjej rastin që të bëj një skicë të mbretit Zog, të cilin e pashë çdo ditë për më shumë se 4 vjet dhe të veprimeve të tij gjatë kësaj kohe. Por edhe kjo skicë nuk do të jetë një vepër historiani, do të jetë vetëm një mbledhje lënde për historianin e vërtetë. Arsyeja kryesore që më ka shtyrë të shkruaj këtë libër është kjo:

Me gjithë vuajtjet dhe humbjet e tmerrshme, me gjithë mizoritë që pësoi bota deri sot, nuk ka siguri se bota u bë më e mençur. Nuk ka siguri se kjo punë nuk do të përsëritët përsëri. Çdo njeri që ka jetuar këto kohëra dhe që është njeri, shpreson me gjithë zemër dhe uron nga shpirti i tij që një fatkeqësi e tillë të mos përsëritët kurrë më. Por njeriu që rron në këtë botë, njerëzit që qeverisin një shtet, nuk duhet të bazohen vetëm në një ideologji dhe në një shpresë, sado të mira dhe të larta që të jenë. Duhet përgatitur populli i tyre për çdo ngjarje të ardhshme. Dhe akoma më shumë për atë që është më e keqe dhe më e tmerrshme. Një popull duhet të rrojë gjithmonë në çdo kohë dhe në çdo rast dhe njerëzit që e drejtojnë, bile çdo qytetar e ka për detyrë që të mos luajë kumar me fatin e tij, por të bëjë hesap duke marre parasysh çdo mundësi edhe atë më të keqen.

....Nuk do të botoj dokumente që interesojnë ose synojnë vetëm personat. Do të mundohem të paraqes problemet dhe ngjarjet siç i pashë. Dhe të tregoj zgjidhjen që u dha ose mungesën e ndonjë zgjidhjeje. Nuk do të merrem as me Mbretin as me shqiptarin më të vogël që u ngatërrua në këto punë. Por duhet kuptuar që në këtë botë personat nuk ndahen dot prej veprimeve të tyre dhe ngjarjet s’janë veçse funksion i personave. Kështu, për të kuptuar ngjarjet, duhen kuptuar personat. Kjo është arsyeja që disa herë do të mundohem t’i kufizoj sa më shumë, duke folur mbi vepruesit e dramës shqiptare. Por në raste të tilla do të mundohem të mos lejoj miqësinë ose armiqësinë që ndiej, si çdo njeri, për personat në fjalë, që të flas rreth tyre; do të mundohem t’i lejoj të flasin vetë ose veprimet e tyre. Lloyd George në kujtimet e luftës tjetër shkroi: në rast se njeriu pranon të shkruaje historinë, nuk mund ta bëjë këtë me drejtësi, pa bërë kritika dhe lavdërime. Unë nuk kam fuqi të shkruaj histori në kuptimin e vërtetë të fjalës; do të bëj pra sa më pak kritika dhe lavdërime, por nuk kam mundësi që mos të gjykoj veprimet. Ndonjëherë do të shpjegoj qëndrimin tim personal. Jo se i jap rendësi kryesore. Por sepse dëshiroj t’u jap një shpjegim atyre që më njohin dhe më vlerësojnë.

Edhe pse është e pamundur të kuptojë njeri syrin me të cilin unë i pashë ngjarjet pa një shpjegim të tillë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›