Në GKA hapet ekspozita Koridori i shqiptarëve
Koridori i shqiptarëve titullohet ekspozita personale e piktorit Buron Kaceli, e cila u hap dje në Galerinë Kombëtare të Arteve. Dëshirën e tij që një vepër të rëndësishme rrugore ta sjelli nëpërmjet tablove të pikturës, piktori Buron Kaceli ka munduar ta realizojë me anë të 35 tablove pikture. Për këtë ekspozitë piktori ka bërë disa udhëtime për të parë ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë, dhe ka punuar për disa muaj.
Besoj se si çdo shqiptar edhe unë e kam përcjellë me shumë kënaqësi ndërtimin e rrugës, e kam përcjellë me shumë kërshëri po ashtu dhe ngazëllim. Për mua ndërtimi i kësaj rruge është një vepër monumentale dhe nuk mund të më linte indiferent. Pasi u njoha me këtë projekt unë vendosa që të shkoj vetë atje dhe menjëherë vendosa që të bëj këtë ekspozitë. Qëllimi ishte që unë të jem pranë kohës me këto punime, pohon piktori Kaceli. I pyetur pse përse ka vendosur që ta titullojë Koridori i shqiptarëve ai tregon se: Në fakt ka vite që ne kemi dëgjuar se kur do të bëhet korridori tetë, apo një tjetër. Edhe ne dikur duke qenë në pushtet lokal jemi përpjekur që të shfrytëzojmë politikën që koridori i tetë të bëhej sa më shpjet. Për fat po bëhet ky korridor që nuk ka numër, po që po bashkon popujt, bashkon kombin tonë dhe afron Kosovën me Shqipërinë. E veçanta është se të gjitha janë me motive nga rruga Durrës-Kukës-Morinë, por unë jam munduar që këtë gjë ta shikoj dhe në një sens poetik, ku të ketë momente lirike,me pranverën, apo diku rruga që kalon pranë një kulle të vjetër në një zonë që dikur ishte e pakalueshme që kishte pak njerëz. Në këtë ekspozitë unë i jam shmangur figurës së njeriut, kompozimit por jam marrë vetëm me peizazhe. Peizazhet janë punuar drejt në natyrë dhe çdo tablo është e realizuar direkt nga kontakti me natyrën. Aty të emocion fakti ku shikon një natyrë që është transformuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Dhe kur mendon se kjo punë është në të mirë të kombit tënd, emocioni është shumë më i madh. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Galerinë e Arteve deri në datën 5 korrik.