Çmimi Sacharow i PE-së i jepet dy iranianëve

Nasrin Sotudeh dhe regjisori, Jafar Panahi
Çmimi Sacharow i Parlamentit Evropian, për lirinë e mendimit, i jepet këtë vit dy disidentëve iranianë: aktivistes për të drejtat e njeriut Nasrin Sotudeh dhe regjisorit Jafar Panahi
Aktivistja iraniane për të drejtat e njeriut Nasrin Sotudeh prej shumë vitesh mbron në gjyq politikanë, aktivistë dhe gazetarë iranianë, por edhe të dënuar me vdekje, kur krimet për të cilat akuzohen i kanë kryer në moshë të mitur.
Sotudeh ka qenë anëtare e “Komitetit të mbrojtësve të të drejtave të njeriut” në Iran, ku ka bashkëpunuar ngushtë me nobelisten e Paqes Shirin Ebadi.
Jafar Panahi është një nga regjisorët më të rëndësishëm të pavarur në Iran. Filmat dhe skenarët e tij karakterizohen nga një këndvështrim humanist ndaj jetës në Iran. Shpesh në qendër të tyre është jeta e vështirë e grave dhe fëmijëve të varfër.