Çmimi i Bibliofilisë për 'Sonetet' e Çabejt
"Sonetet", e Eqrem Çabejt, merr çmimin e bibliofilisë "Lumo Skëndo", duke u cilësuar botimi më i mirë i vitit 2008. Poezitë që gjuhëtari ia kushtoi bashkëshortes gjysmë shekulli më parë, lanë pas "Tregime të zgjedhura" të Vedat Kokonës dhe "Fjalorin e Frang Bardhit"
Për të tretin vit radhazi Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve akordoi çmimin kombëtar të bibliofilisë "Lumo Skëndo". Këtë herë i takoi shtëpisë botuese "Çabej" për botimin e vëllimit "Sonete" të Eqrem Çabejt.
Juria e ngritur për dhënien e këtij çmimi shqyrtoi të gjitha botimet e paraqitura në Bibliotekën Kombëtare për gjatë gjithë vitit 2008 dhe vendimin e saj e dha vetëm ditën e djeshme.
Përbëhej nga drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari (kryetar), studiuesi i veprës së Mid'hat Frashërit, Uran Butka, drejtori i Bibliotekës së Shkodrës, Gjovalin Çuni, specialisti i librit në Ministri, Ermir Nika dhe Fahri Balliu, si fituesi i edicionit të parë.
Drejtori Plasari tha se mes gjithë librave të paraqitur në Bibliotekën Kombëtare gjatë vitit të kaluar, juria arriti të veçonte tre më të mirët: Botimin kritik të "Dictionarium latino-epiroticum" të Frang Bardhit, i përgatitur nga Bardhyl Demiraj, Botime Franceskane, Shkodër, 2008; botimin "Tregime të zgjedhura" nga Vedat Kokona, Botimet Kokona; botimin "Sonete" e Eqrem Çabejt, Botimet Çabej.
Gjatë ceremonisë së dhënies së çmimit, Plasari shpjegoi se kjo përzgjedhje "është bërë me mekanizmin më demokratik, votën", e cila ishte më e madhe për "Sonetet" e Çabejt.
Libërthi me kapak në ngjyrë të përhime përmban poezitë që Çabej pati shkruar në vitet '50-të për bashkëshorten e tij, Shyhretin.
Në vëllim janë përfshirë edhe dy sonete kushtuar të birit, Artanit, që u nda nga jeta në moshë të re.
"Sonetet" u botuan për herë të parë 27 gushtin e vitit të kaluar, në 1-vjetorin e vdekjes së bashkëshortes së gjuhëtarit të shquar, plot gjysmë shekulli pas krijimit të tyre.
Pak momente pas marrjes së çmimit, e bija, Brikena, tha se "ky botim është i rrallë në Shqipëri, për cilësinë që ka dhe për përpjekjet që janë bërë. Nuk është se këto lloj botimesh janë të shpeshta, janë botime shumë të rralla, botime të bëra si para Luftës së Dytë Botërore, me beze. Janë paksa të vyera".
Ishte Ministri i Kulturës, Ardjan Turku, ai që i dorëzoi çmimin Brikena Çabejt për realizimin e një botimi me cilësi të veçanta estetike dhe vlera të spikatura në transmetimin dinjitoz të trashëgimisë sonë kulturore.
"Ky botim u dallua për kulturë të lartë botuese, për punë të kujdesshme redaktoriale, respektimin e normave drejtshkrimore, si edhe minimum gabimesh shtypi. Në këtë vlerësim u mbajtën parasysh edhe vlerat intelektuale të botimit", - vijoi Turku me motivacionin e çmimit.
Gjatë kësaj ceremonie ministri theksoi se "krijimi i traditës është një sfidë që u vihet përpara institucioneve shtetërore, krijuesve, intelektualëve, grupeve të interesit dhe krejt shoqërisë shqiptare".
Ai e cilësoi çmimin Kombëtar i Bibliofilisë "Lumo Skëndo", si një vlerë në promovimin e risive të arritura në lëmin e botimeve dhe në përkujdesjen ndaj kujtesës kombëtare.
Duke qenë se po jepej një çmim që mban emrin e një prej figurave më të njohura të letrave shqipe, një hapësirë e vogël ju kushtua edhe ekspozimit të katër botimeve të veprave të Mid'hat Frashërit që janë bërë më 2008-2009-ën.
Historiani Luan Malltezi tha se çmimi përkon me botimin e këtyre veprave dhe më pas bëri një prezantim të shkurtër të tyre: "Fati i Shqipërisë", që përmban ese të zgjedhura ku Frashëri trajton tema si Popullsia e Epirit, Shqipëria dhe shqiptarët, Shqipëria dhe Shqiptarët në emigrim", etj; "Foleja Kombëtare", një dramë me katër akte, kushtuar shkollës së vajzave në Korçë; "Or' e Fundit", që përmban proza letrare dhe dokumentare.
Në këtë linjë botimesh është edhe studimi i Uran Butkës, "Elita shqiptare", një studim me mbi veprimtarinë kryesore të Mid'hat Frashërit dhe pjesë të zgjedhura nga vepra e tij.
Çmimet Kult bëhen 5 vjeç
Në prag të edicionit të pestë të Çmimeve Kult 2009, organizatorët shpallën dje zyrtarisht fazën e dytë të çmimeve, që është votimi i publikut. Janë 40 artistë kandidatë për 10 trofe në kategorinë e librit (letërsia artistike konkurron me publicistikën), e përkthimit dhe arteve pamore.
Për interpretuesin lirik, dy nga kandidatët janë sërish (si në vitet e shkuara) tenori Armaldo Kllogjeri dhe sopranoja Mariana Leka. Pastaj vijojnë kategoritë për instrumentistin e vitit, për albumin muzikor.
Për aktoren më të mirë të teatrit konkurrojnë Margarita Xhepa dhe Luiza Xhuvani, të cilat kanë përballë aktore të reja që kanë luajtur në role të dyta ose të treta. Për kategorinë e aktorit më të mirë të skenës konkurrojnë, ndër të tjerë, Ndriçim Xhepa e Enver Petrovci.
Për regjinë më të mirë teatrale kandidatë janë Arben Kumbaro, Arben Basha, Milto Kutali dhe Erion Kame. Për filmin artistik janë emrat e Dhimitër Anagnostit për "Gjoleka, djali i Abazit", Kujtim Çashku për "Syrin magjik", Fatmir Koçi për "Kohën e Kometës" dhe Milkanët Eno dhe Pirro për filmin "Trishtimi i zonjës Shnajder".
Do të akordohen edhe dy çmime speciale: Aktiviteti më i mirë dhe Personaliteti kulturor i vitit. Ceremonia do të jetë më 10 qershor.
"Menaxheria e qelqtë" në Vlorë
Pas premierës në Tiranë, vepra e Tennessee Williams, "Menaxheria e qelqtë", udhëton drejt Vlorës. Nesër dhe pasnesër publiku ka mundësinë ta ndjekë shfaqjen në orën 19:00, në teatrin "Petro Marko". Nën regjinë e Adonis Filipit interpretojnë Yllka Mujo, Monika Lubonja, Neritan Liçaj dhe Arben Derhemi.
Ekspozitë me fëmijët romë
Jeta e fëmijëve në zonat e thella rurale është subjekti i ekspozitës fotografike që studenti i regjisë Artan Kazazi hapi dje në "Raum Gallery Bar".
Në këtë galeri ai prezanton një seri fotografish që ka realizuar në zonat rurale ku jeton komuniteti rom. Ekspozita qëndron e hapur gjatë dy javëve në vazhdim. Gjatë kësaj kohe prezantohen edhe dy artistët, Fani Zguro dhe Ray Caesar.