E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet, ndërrojnë jetë dy të rinj

SHPEJTËSIA/ Avni Lika, 19 vjeç, nga Kruja, ka vdekur mëngjesin e së enjtes teksa transportohej në spital


Përplasja e dytë ndodhi në aksin Gjirokastër - Tepelenë ku humbi jetën 24-vjeçari Altin Lacaj, nga Tirana


GJIROKASTËR- Dy të vdekur dhe dy të plagosur është bilanci i dy aksidenteve të rënda të ndodhura në harkun kohor të 10 orëve në rrethin e Gjirokastrës. Mesnatën e së enjtes, është shënuar aksidenti i parë automobilistik në rrugën kombëtare Gjirokastër- Kakavijë në vendin e quajtur Kordhocë.

Mësohet se automjeti tip Audi me targa FR 6836 A, në të cilin udhëtonte vetëm drejtuesi Avni Lika, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në kanal.

Duket se goditja ka qenë mjaft e fortë, pasi shoferi ka humbur jetën ndërsa po e transportonin për në spital. Identifikimi i drejtuesit të automjetit është bërë pasditen e vonë, pasi makina nuk kishte dokumente dhe gjithashtu viktima nuk kishte mjete identifikimi me vete.


Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se bëhej fjalë për Avni Likën, 19 vjeç, nga Thumana e Krujës. Por ende nuk janë dhënë shkaqet e këtij aksidenti të rëndë.


Gati 10 orë pas aksidentit të parë, një tjetër është shënuar në orën 09:00 të paradites së të enjtes, pas përplasjes së dy automjeteve.


Aksidenti i rëndë, ku një i ri humbi jetën dhe dy drejtuesit e mjeteve mbetën të plagosur, ndodhi në aksin rrugor nacional Gjirokastër - Tepelenë, në vendin e quajtur "Serat e Mashkullorës", ku automjeti tip "Lada" me targa TR 2624 E, i cili drejtohej nga shtetasi Astrit Çullhaj, 42- vjeç, me banim në Tiranë, është përplasur me automjetin tip "Opel" me targa të huaja AN 794 MS, i cili drejtohej nga shtetasi Orges Selmani, 28 vjeç, lindur dhe banues në Këlcyrë të rrethit Përmet. Informacionet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se si rezultat i kësaj përplasjeje ka gjetur vdekjen e menjëhershme shtetasi Altin Lacaj, 24 vjeç, banues në Tiranë, i cili ishte pasagjer në automjetin tip "Lada", ndërsa automjeti tip "Opel" ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një arë në anë të rrugës.


Të dy drejtuesit e automjeteve janë transportuar për në spitalin rajonal "Omer Nishani" të qytetit të Gjirokastrës, për të marrë ndihmën mjekësore dhe mjekët kanë deklaruar se janë jashtë rrezikut për jetën.


Mësohet se shtetasi Astrit Çullhaj, së bashku me viktimën, udhëtonte nga Ksamili për në Tiranë, pasi punonin në një firmë që ndërtonte ujësjellësin e Ksamilit.


Hetimet paraprake nga dëshmitë e mbledhura në vendngjarje kanë treguar se automjeti tip Opel është futur në parakalim të gabuar dhe për pasojë ka shkaktuar këtë aksident, ndërsa të dy drejtuesit e automjeteve, pas ndihmës mjekësore, do të shoqërohen në Komisariatin e Policisë Gjirokastër për veprime të mëtejshme ligjore.


Në të njëjtin vend "Serat e Mashkullorës", tri ditë më parë, humbi jetën një tjetër person. Aksidentet e ndodhura në akset kombëtare rrugore, gjatë këtij viti kryesisht në rrethin e Gjirokastrës kanë shkaktuar një numër të madh viktimash (gjithsej 15) e të plagosurish.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›