Çmimi i bibliofilisë për Statutet e Drishtit
“Statutet e Drishtit”, vepra e botuar nga shtëpia botuese “Ombra GVG”, u vlerësua dje paradite me çmimin kombëtar të bibliofilisë “Lumo Skëndo 2009” me motivacionin “Për botimin me kulturë të lartë dhe punë të kujdesshme për vlerat intelektuale dhe respektimin e normave drejtshkrimore të treguara në botimin e veprës ‘Statutet e Drishtit’”. Juria e përbërë nga kryetari Aurel Plasari, drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe anëtarët Flora Dervishi, drejtoresha e Bibliotekës së Durrësit, Afërdita Sharrxhi, përfaqësuese e këshillit shkencor të Bibliotekës Kombëtare, Agim Zeka, përfaqësues i shoqatës “Lumo Skëndo” dhe Ermir Nika, drejtor i Drejtorisë së Trashëgimisë së Shkruar në MTKRS, zgjodhën “Statutet e Drishtit” mes të gjitha botimeve të vitit 2009. Drejtuesi i shtëpisë botuese Gëzim Tafa, tërhoqi çmimin, i cili iu dorëzua gjatë ceremonisë së mbajtur në sallën “Tefta Tashko Koço” të Ministrisë së Kulturës. “Falënderoj Bibliotekën Kombëtare si nismëtare e çmimit, Ministrinë e Kulturës si kujdestare serioze për librin. Falënderoj të gjithë kolegët e mi botues, pa të cilët standardi i botimit nuk do të arrinte në këtë nivel që është sot. Tani them që diferenca për cilësinë e botimeve që na vijnë nga jashtë janë zvogëluar. Destinacioni i botimeve tona është biblioteka. Libri është shpikur për biblioteka”, tha me këtë rast Gëzim Tafa. “Statutet e Drishtit” konkurroi me një sërë veprash të tjera, si “Albumi Shima” i shtëpisë botuese “Toena”, “Komedia Hyjnore - Dante Aligeri” i shtëpisë botuese “Argeta LMG”, “Fati i Shqipërisë” botimet “Belina. H”, “Kostandin Kristoforidhi - Bibla në Gegnisht”, botuar nga Shoqëria Biblike, “Pylli i Mrekullive” përralla për fëmijë nga Tony Wolf botuar nga “EduAlba”, “Mjeda” nga “Ilar”, “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar” botimet “Përpjekja”, “Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë”, botimet “Balli i Kombit”. çmimi kombëtar i bibliofilisë “Lumo Skëndo" i shërben vlerësimit dhe stimulimit të botimeve me vlera të spikatura bibliofilike e intelektuale, nëpërmjet evokimit të personalitetit të kulturës, diplomacisë dhe politikës shqiptare Lumo Skëndo (Mit’hat Frashëri), veçanërisht si themelues i bibliofilisë shqiptare. Ky çmim i përvitshëm, i vetmi në llojin e tij në vendin tonë, synon të promovojë dhe nxisë cilësinë në fushën e botimeve për t’iu kushtuar veçanërisht përkrahjes së prirjeve moderne, emancipuese dhe estetike të botuesve shqiptarë.
Krijimi i standardeve dhe ruajtja e traditës është një sfidë që u vihet përpara institucioneve shtetërore, krijuesve, intelektualëve, grupeve të interesit dhe krejt shoqërisë shqiptare. çmimi kombëtar i bibliofilisë “Lumo Skëndo” përbën një vlerë si në promovimin e risive të arritura në lëmin e botimeve, ashtu edhe në përkujdesjen ndaj kujtesës kombëtare.
Vitin që shkoi, me çmimin “Lumo Skëndo 2008” u vlerësuan "Sonetet" e Eqrem çabejt, botim i shtëpisë botuese "çabej". Ai u vlerësua për cilësi të veçanta estetike dhe vlera të spikatura në transmetimin dinjitoz të trashëgimisë sonë kulturore.
#