Spanja, grevë kundër masave të marra nga qeveria
Spanja është paralizuar dje nga një grevë 24-orëshe, kur rreth 3 milionë nëpunës publikë spanjollë kanë lënë punën për të protestuar kundër reduktimit të rrogave të vendosura në kuadrin e një plani të ashpër për të reduktuar deficitin buxhetor. Sipas të dhënave të para të shpërndara nga sindikata CCOO, të paktën 80 për qind e punëtorëve e kanë ndaluar punën. Komunitetet autonome garantojnë shërbimet minimale në sektorët e shëndetësisë, edukimit dhe transportit. Greva e djeshme konsiderohet vetëm si fillimi i një greve të përgjithshme në të ardhme, ku mendohet se do të përfshihen të gjithë sektorët prodhues kundër projektit qeveritar për reforma në tregun e punës. Sindikatat u kërkuan punëtorëve që të mos punojnë për 24 orë dhe të protestojnë kundër shkurtimit të rrogave prej 5 për qind, të vendosura nga qeveria socialiste e José Luis Rodriguez Zapatero, që pritet të hyjnë në fuqi më 1 qershor. Në ditët në vijim janë programuar manifestime në të gjitha qytetet e mëdha të Spanjës. Qeveria spanjolle është nën presion nga Bashkimi Europian për të ulur shpenzimet. Deficiti buxhetor i Spanjës është 11 për qind i GDP-së së vendit dhe sipas BE-së, nuk duhet të jetë më i lartë se 3 për qind. Mbi 5 për qindëshin e uljes së shpenzimeve publike, masat shtrënguese të qeverisë përfshijnë edhe heqjen e të ashtuquajturit "çeku për bebet", që është një shumë e cila u jepet familjeve kur kanë fëmijë, si dhe një shkurtim drastik i shpenzimeve për projekte të infrastrukturës dhe ndihmës për jashtë. Spanja nuk është vendi i vetëm që po zbaton masa shtrënguese. Qeveritë në mbarë Europën janë duke e bërë këtë në përpjekje për të ulur deficitin e lartë buxhetor dhe për të rifituar besimin e tregjeve financiare.
Nga 16 vendet e Eurozonës, Gjermania është vendi më i fundit që ka njoftuar ulje të shpenzimeve në një shifër rekord, prej 86 miliardë dollarësh deri në 2014-n. Italia, Irlanda dhe Portugalia kanë njoftuar gjithashtu një seri masash shtrënguese.
#