E Diel, 1 Nëntor 2026

Teodor Laço: Ndihma ndaj familjes Marko, krejtësisht e mundshme

Ministria e Kulturës vazhdon të qëndrojë në heshtje në lidhje me çështjen e familjes së Petro Markos. Zëdhënësja e MTKRS-së thotë se nuk ka ende asnjë reagim zyrtar. Ndërkaq, familja e Petro Markos, “Nderit të Kombit”, vazhdon të vuajë e të presë ndihmë

Duket sikur Petro Marko të mos ketë ekzistuar ndonjëherë. Sikur shkrimtari që i dha aq shumë shoqërisë sonë, të mos ketë kontribuar asgjë, të mos e ketë falur shpirtin dhe zemrën përmes veprave të tij për të lënë pas atë që sot e quajmë trashëgimi të shkruar. Asnjë reagim zyrtar nuk ka prej institucioneve. Ministria e Kulturës vazhdon të heshtë. Ministri gjithashtu. E pyetur në telefon nga gazeta “Shqip” në lidhje me çështjen e familjes së Petro Markos, zëdhënësja për shtyp e MTKRS-së, përgjigjet: “Nuk ka asnjë reagim zyrtar, por NëSE (mund edhe të mos ketë ndonjë reagim?) do të ketë, atëherë do të bëhet publik për të gjitha mediat”. Miqtë, kolegët, dashamirësit e shkrimtarit megjithatë vazhdojnë të reagojnë e ta kundërshtojnë këtë heshtje. Ka nga ata që flasin ashpër kur u drejtohen institucioneve përgjegjëse, e të tjerë që me diplomaci e kërkojnë reagimin prej tyre. Shkrimtari Teodor Laço i bashkohet gjithashtu apelit të gazetës “Shqip”, duke shprehur keqardhjen për gjendjen në të cilën ndodhet familja e Petro Markos dhe gatishmërinë për ndihmë nga ana e tij në numrin e llogarisë të vënë në dispozicion në gazetë. “Dua të shpreh edhe unë keqardhjen time për gjendjen e familjes së Petro Markos, të cilët i kam njohur, i kam dashur e vazhdoj t’i dua. Me Petron kam pasur një njohje e miqësi shumë të mirë, po ashtu edhe me Safon. Ju përgëzoj për iniciativën mjaft të mirë që keni ndërmarrë për të sensibilizuar shoqërinë, por edhe institucionet shtetërore për këtë familje dhe jam i bindur që apeli juaj do të dëgjohet shumë shpejt”, u shpreh shkrimtari. I pyetur se si e konsideron mosreagimin e institucioneve shtetërore më pranë artistëve Ministria e Kulturës, shkrimtari Teodor Laço thotë se nuk ka asnjë koment për heshtjen nga ana e ministrisë. “Por jam i bindur, vijon ai, se së shpejti do të ketë reagime pozitive për këtë rast. Por nuk mund të them se ka heshtje nga shoqëria apo intelektualë e shkrimtarë të ndryshëm. Kam parë që ata janë përgjigjur dhe për këtë jam i sigurt që sensibilizimi juaj do të gjejë përgjigjen e merituar”, komenton Teodor Laço, duke shtuar më tej se edhe ai dëshiron të japë kontributin personal për familjen e Petro Markos në numrin e llogarisë që është vënë në dispozicion. “Më duken të drejta kërkesat minimale të familjes Marko dhe krejtësisht të mundshme”, përfundon shkrimtari Teodor Laço.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›