E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i energjisë, PS-Priftit: Gënjen për kompensimin

UPDATE- Partia Socialiste i është kundërpërgjigjur sot Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Dritan Priftit, për deklaratën e bërë pas tryzës së mbledhur nga socialistët për çmimin e energjisë elektrike.
"Ministri Prifti deklaroi se për të zbutur pasojat sociale nga rritja e çmimit të energjisë elektrike në projektbuxhetin e vitit 2010 janë parashkuar 2 miliardë lekë kontigjencë. Ministri ynë i Ekonomisë përsëri ia fut kot, sepse për kompensimin e energjisë elektrike në projektbuxhetin e vitit 2010 ka vetëm 1 miliard lekë"- tha deputeti Ilir Beqja gjatë një konference për shtyp.
Më tej, ai duke përsëritur fjalët e Priftit për privatizimin e OSSH-së, kujtoi për shqiptarët se ministri deklaroi botërisht se ia ka futur kot kur bënte opozitë.
"Ministri Prifti deklaroi se janë ulur humbjet, por kushdo mund të shohë çfarë thotë Instituti i Statistikave për humbjet në rrjetin e energjisë në 6 muajt e parë të vitit 2009. Aty dëshmohet se humbjet janë 8 % më të larta se në të njëjtën periudhë të vitit 2008.
Po ashtu, kushdo mund të shohë se çfarë raporton Banka e Shqipërisë për humbjet në rrjetin e energjisë në 8 muajt e parë të vitit 2009. Aty dëshmohet se humbjet janë 13.7 % më të larta se në të njëjtën periudhë të vitit 2009.
Ministri Prifti, tha më tej Beqja deklaroi se matësit do të instalohen në fund të vitit 2010, por Prifti harroi të tregojë se shefi i tij, Sali Berisha, pati premtuar se matësit do të instaloheshin deri në fund të vitit 2006. Ndërkohë, ministri Prifti neglizhon vendimin e ERE-s që faturimi aforfe do të mbarojë në vitin 2009.
"Ajo që ministri Prifti nuk u shpejgoi dje është pse KESH, kompani publike nën Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjitikës, ka kërkuar rritje të çmimit të prodhimit me 56 % .Ajo që ministri Prifti nuk shpjegoi dje është pse OST, kompani publike nën Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjitikës, ka kërkuar rritje të çmimit të transmetimit me 80 %"- tha ai.


****

Prifti: Për çmimin e dritave vendos ERE

UPDATE- Pas takimit të PS-së për rritjen e çmimit të energjisë ka reaguar ministri i Energjitikës, Dritan Prifti, sipas të cilit për çmimin vendos ERE.

Duke pranuar se privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes është ndër më të suksesshmit, realizuar ndonjëherë.

"Për çmimin e energjisë vendos ERE, ne nuk mund të ndikojmë, dhe nëse do të ketë rritje kjo do të vendoset nga ky Ent", u shpreh Prifti, duke shtuar se në rast të rritjes së çmimi janë marrë masat për të kompensuar këtë rritje për shtresat në nevojë.

****

PS, tryezë për rritjen e çmimit të energjisë

TIRANË- Jo më lajm, por një fenomen të përvitshëm me kosto tejet të lartë për familjet shqiptare i ka quajtur kreu i PS-së, Edi Rama debatet për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Gjatë një tryeze të organizuar nga Partia Socialiste me ekspertë të fushës për rritjen e çmimit të energjisë, Rama shpreh shqetësimin për lajmet që njoftojnë rritjen e çmimit, që po shndërrohet në një fenomen të përvitshëm me kosto për shqiptarët.

"Qeveria duhet të sqarojë se kur do të marrë fund monopoli në sektorin e energjisë, si dhe kur do të përfundojë vendosja e faturave aforfe", u shpreh Rama, duke kërkuar gjithashtu nga qeveria të tregojë se kur do të instalohen matësit, kur do të largohet
faturuesi i fundit abuziv dhe kur do të mbarojnë humbjet në sektorin energjitik shqiptar.

****

Çmimi i energjisë, Dobjani: Veproni në interes të konsumatorit

TIRANË- Avokati i Popullit, Ermir Dobjani ka kërkuar nga Enti Rregullator i Energjisë Elektrike që vendimi për rritjen e çmimit të energjisë të mbajë parasysh interesin e konsumatorit.

Gjatë takimit mes kreut të ERE-s dhe Dobjanit u diskutua për cilësinë e shërbimeve të furnizimit me energji elektrike të konsumatoreve dhe për propozimet e fundit të OSSH për rritjen e çmimit të energjisë.

Dobjani dhe Nepravishta shprehën në mënyrë të përbashkët shqetësimin për abuzimin dhe vjedhjen e energjisë elektrike nga një pjesë e qytetarëve në bashkëpunim ngandonjëherë edhe me punonjës të OSSH-së, e cila po sjell në vijimësi humbje për këtë kompani, duke ndikuar edhe në kërkesën për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.



KESH dakord me OSSH-në: Të rritet çmimi i energjisë elektrike

TIRANË- Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare është shprehur pro rritjes së çmimit të energjisë elektrike, duke e argumentuar këtë me shitjen nën kosto të energjisë.

Deklaratën e ka bërë vetë drejtori Muharrem Stojku, i cili tha se KESH-i është dakord me propozimin e OSSH-së për të rritur çmimin.

Sipas tij, është kërkuar një tarifë minimale, në mënyrë që të arrihen kostot. "Ne kemi kërkuar që çmimi i kostos të jetë 2,55 lekë"- ka thënë Stojku. Në këtë mënyrë çmimi rritet nga 1.6 në 2.5 lek për kilovat orë.

Pak ditë më parë Operatori i Sistemit të Transmetimit të Energjisë Elektrike bëri kërkesë zyrtare te ERE për rritje të çmimit nga 0,5 lekë për kilovat/orë në 0.9 lekë për kilovat.

****

OSSH rrit energjinë elektrike me 23%

TIRANË- Nga data 1 janar 2010, shqiptarët do ta paguajnë më shtrenjtë çdo kilovat orë energji elektrike të konsumuar. Pronarët e rinj të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes kanë dorëzuar pranë Entit Rregullator të Energjisë kërkesën për rritjen e çmimit duke filluar që nga janari i vitit të ardhshëm.


Ende nuk është bërë zyrtarisht publike masa e rritjes që ka kërkuar OSSH-ja, por burime pranë ERE-s, bëjnë të ditur se bëhet fjalë për shifër që vërtitet nga 20 në 23 për qind. Sipas tyre, kërkesa e OSSH-së ka mbërritur por ende nuk është hapur. Më pas do të ngrihet një grup pune që do të shqyrtojë kërkesën si dhe do të vendosë se sa do të jetë masa e rritjes së energjisë elektrike.


Për momentin ERE do të miratojë një rritje çmimi bazuar në tre skenare, dy prej të cilëve janë bërë publike edhe nga Banka Botërore në mes të muajit prill.


Sipas raportit të BB-së, publikuar para Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, masa e rritjes për konsumatorët vendas do të varej nga ecuria e tij në tregun ndërkombëtar.


Banka botërore ishte garanti i kontratës së shitjes së OSSH-së tek çekët e ÇEZ, ky ishte edhe shkaku i këtij raportimi në Kuvend.


Në bazë të raportit dy janë skenaret për rritjen e çmimit të energjisë gjithnjë në varësi të ecurisë së tij në tregun ndërkombëtar.


Kështu, nëse ecuria në tregun e jashtëm edhe gjatë 2010-ës do të jetë në kuotat e fillimit të këtij viti, atëherë për konsumatorin shqiptar do të ketë një rritje 8 deri në 9 për qind, ndërsa një shtrenjtim i mundshëm i energjisë në tregjet ndërkombëtare gjatë vitit 2010, do të pasqyrohej më një rritje nga 10 deri në 15 për qind.


Gjatë fillimit të këtij viti por edhe muajt në vazhdim, çmimi i energjisë elektrike ka qenë i ulët ndikuar edhe nga ulja e kërkesës nga disa vende për shkak të krizës ekonomike.


Gjatë muajve të parë të vitit 2009, çmimi më i ulët i energjisë elektrike që një kompani importuese ka ofruar për Shqipërinë, ka qenë 49 euro për MW/h, ose deri në 41 euro më lirë sesa është ofruar gjatë vitit 2008, ku çmimet e ofruara nga kompanitë arrinin deri në 100 euro për MW/h.


Referuar të dhënave nga raporti i BB-së pranë Komisionit të Ekonomisë, në rast se regjimi i çmimeve në tregun rajonal për vitin 2009, vazhdon të ndiqet edhe gjatë vitit 2010, atëherë një konsumator familjar, i cili ka konsumuar nën 300 kilovat, nuk do të paguajë më 7 lekë, por 7.6 lekë për kilovat.


Ndërsa një konsumator familjar që ka harxhuar mbi 300 kilovat, nuk do të paguajë më 12 lek por 13.8 lekë për çdo kilovat të konsumuar. Ndërsa, nëse çmimi arrin nivelet e vitit 2008, ku oferta më e ulët i importit ka qenë 63.5 euro për MW/h, konsumatorët familjarë do të paguajnë nga 8 deri në 13.8 lekë për kilovat orë.


Por, nëse merret në konsideratë kërkesa për një rritje prej 20 për qindësh, një konsumator që ka harxhuar më pak se 300 kilovat orë nuk do të paguajë më 7 lekë por 8.4 lekë. Ndërsa, dikush që ka harxhuar mbi 300 KW/h nuk do të paguajë me 12, por 14.4 lekë.


Përsa i përket bizneseve, ato paguajnë tarifa të ndryshme energjie, në varësi të nivelit të tensionit dhe periudhës. Tarifat variojnë nga 5.2 lekë deri në 12 lekë dhe çmimi mesatar është 8.71 lekë për kilovat/orë. Me rritjen e çmimeve që do të aplikohet vitin e ardhshëm, çmimi mesatar për kilovat/orë parashikohet t'i kalojë 10 lekët për KË\h.
*****

PS: Qeveria të planifikojë subvencionin

TIRANË- Pas kërkesës së Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes(OSSH) për rritjen e çmimit të energjisë elektrike ka reaguar Partia Socialiste, e cila i kërkon qeverisë të planifikojë subvencion për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Deputeti socialist Ilir Beqja, në një deklaratë pas publikimit të lajmit se duke nisur nga 1 janari do të ketë rritje të çmimit ka theksuar se bashkë me të duhet parashikuar ndihma që do të vijë për familjet shqiptare. "Rritja e çmimit të energjisë elektrike do të ndikojë në buxhetin e familjeve shqiptare, por edhe tek biznesi si dhe në rritjen e çmimit të bukës"- tha ai, duke shtuar se qeveria në buxhetin e 2010-ës, të planifikojë subvencionin e çmimit të energjisë elektrike për familjarët dhe për biznesin.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›