Çmimi i naftës bie me 25%, Financat: Ka monopole
Tregu vendës reflekton me ngadalë ndryshimet, qeveria akuzon tregtarët për kontroll të çmimit
Çmimet e naftës vazhdojnë që të bien në bursa, ndërsa reflektimi i tyre në tregun vendës mbetet në nivele të ulëta. Gjatë ditës së djeshme, çmimet e arit të zi në bursa shkuan deri në 111 dollarë për fuçi, duke shënuar një rënie me rreth 25 për qind nga muaji i kaluar ku çmimet kapën një rekord historik. Çmimet kanë rënë me 36 dollarë për fuçi, në harkun kohor të një muaji. Gjithsesi, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë bën të ditur se është ende herët për të folur për një stabilitet të çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare. Rënia e çmimit të naftës, sipas specialistëve ka ardhur pas një kërkese të ulët nga industritë në këtë periudhë dhe një prodhim në maksimum nga vendet e OPEC, nga ana tjetër. Nga ana e saj qeveria shqiptare, me anë të udhëzimi të Ministrisë së Financave kërkon që të bllokojë spekulimet në treg, duke vendosur rregulla të reja për kontratat midis importuesve dhe shitësve me pakicë.
Nafta në tregun vendës mbetet në nivele të larta, nëse e krahasojmë me rënien në bursa. Nga ana e grosistëve bëhet e ditur se nafta që po shitet në treg është e importuar me periudhën e çmimeve të larta, ndaj edhe çmimet do të reflektohen në javët që vijojnë. Me këtë çmim prej 111 dollarë për fuçi, nafta në treg duhet të jetë në nivelin e 142 lekëve për litër, nëse krahasohet me periudhat e mëparshme. Në këtë llogari të çmimeve hyjnë kursi i këmbimit, njëkohësit edhe niveli i taksave, që gjatë kësaj periudhe ka mbetur i pandryshuar. Në tregun vendës, gjatë ditës së djeshme, një litër naftë shitej me një çmim rreth 157 lekë për litër, përsa i përket cilësisë D2 dhe 162 lekë, nafta D1. Çmimet mbeten ende sipër reflektimit që ato duhet të kishin nga rëniet në bursa. Çmimet e larta të naftës në vend janë bërë shqetësim edhe për pushuesit që vijnë nga Kosova, të cilët bëjnë të ditur se çmimi i arit të zi mbetet 20 për qind më i lirë në shtetin e ri fqinj.
Mosreflektimi i çmimeve të naftës gjatë periudhave të uljeve në bursa është kontestuar edhe nga Ministria e Financave, që ka akuzuar për kontrolle të çmimit në treg, kompanitë e importimit dhe tregtimit të karburanteve. Pas një sërë akuzash dhe një hetimi të nisur nga Autoriteti i Konkurrencës, që mbetet pa asnjë rezultat, Financat kanë nxjerrë një udhëzim të ri. Me anë të këtij udhëzimi, kërkohet që të kontrollohet çmimi në treg dhe të ulet spekulimi. Në bazë të udhëzimit të ri, përcaktohet që midis tregtarit dhe importuesit të naftës duhet të caktohet një çmim fiks për sasinë e naftës që do të tregohet. Në këtë mënyrë Ministria e Financave kërkon që të mbajë stabël çmimin e naftës në treg, për një kontingjent të caktuar të importuar. Sipas specialistëve të kësaj ministrie bëhet e ditur se në treg, nafta nuk reflekton lëvizjet kur bursat janë në rënie por vetëm kur çmimet rriten. Në këto kushte, edhe fitimet e pikave të tregtimit me pakicë mbeten të kontrolluara, pasi çmimet e blerjes dhe të shitjes do të jenë të fiksuara. Në tregjet e zhvilluara, kontrolle të tilla në tregtimin e karburanteve janë tejet rigoroze, veçanërisht në kushtet e krizës së çmimeve të arit të zi. Kompani të ndryshme kanë marrë gjoba prej disa milionë eurosh për spekulime me çmimet e naftës.