E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çndodhi me të majtën?!*

Nga Elian Gjini

EGRezultatet e qershorit 2013, siç i lexoj unë, na japin këtë pikturë: LSI fitore; PD humbje; dhe PS stanjacion, që vazhdon prej vitesh. Sa për Shqipërinë nëse humbi apo fitoi është një pyetje tendencioze që për momentin nuk kërkon shpjegim çdo rast zgjedhjesh mund të paraqitet si fitore e Shqipërisë (p.sh. nga krahu që fiton). Një mangësi e të gjitha forcave politike ka qenë pamundësia për të kuptuar realitetin shqiptar dhe pastaj për ta matur, d.m.th. materializimi ne vota. Si (arch) arsye kryesore e së majtës për tu bashkuar ka qenë mundja e kreut të PD-së pra një arsye politike – dhe jo realiteti ekonomik shqiptar. PD nga ana e saj habitej me ankesat e anës tjetër pasi shifrat ekonomike tregonin se Shqipëria është i vetmi vend në rajon që ka mundur të ketë një rritje ne GDP. Për sektorët që kanë ndikuar këtë rritje pak është folur.
Ajo çfarë ngatërrohet në këto shifra të GDP-së është transformimi i rritjes ekonomike në mirëqenie mbarë-shqiptare, në shanse të barabarta punësimi, në drejtësi ligjore, në funksionim institucional të tregut, me një fjalë, në ri-shpërndarje të drejtë të të gjithë kësaj rritjeje ekonomike (pasurie të fituar) etj. Pra, ngatërrohet  harta për terrenin.
Fakte të tilla tregojnë një shkëputje dramatike mes politikë-bërjes dhe praktikës, pra realitetit që përjeton populli. Prandaj pragmatizmi nuk është karakteristikë (veçori) e politikanit shqiptar. Nën ajrin e kondicionuar dhe i rrethuar (mbrojtur) nga analizat e analistëve, po aq të shkëputur nga realiteti, politikani shqiptar (i të gjitha forcave) kujton se bën politikë. Një shembull: në fund të shekullit të 18-të kur Amerika filloi ndërtimin e strukturave shtetërore një hap themelor ishte përfshirja e politikanëve praktikë në politikëbërje. Kush ishte politikan praktik? Dikush që mbasi dilte nga parlamenti dhe shkonte punonte në fermën (apo biznesin) e vet. Por nëse me politikë kuptojmë menaxhimin e xhepave të dikujt, natyrisht politikani shqiptar (i të gjitha ngjyrave kur ka pozitë) meriton për tu lëvduar.

*    *    *
Një lajm tjetër ishte dhe dorëheqja e kreut të PD-së. Një karrierë 23 vjeçare në politikë të cilën unë e ndaj në tre faza: (1) realizmi fëmijnor,
(2) metafizikë adoleshenti,
dhe (3) pleqëri empiristi. Duhet theksuar fakti se në të trija fazat struktura e PD-së ka qenë piramidale përkundrejt mullarit të PS-së.
Gjatë fazës së parë çdo gjë ishte e mundur rrethanat pak (ose aspak) kuptim kishin. Cdo adoptim apo e re merresh e mirëqenë natyrisht faktori i huaj nuk do përjashtuar – e mundur dhe e dëshiruar. Si në lojë lufte fuqia e mobilizimit ishte përcaktuese dhe forca dominuese. Një meritë është fakti i mobilizimit të gjithë forcave të ashtuquajtura nga sistemi komunist regresive. Të gjithë ata u përfshinë në sistemin e ri që po ndërtohesh mbi të vjetrin nën piramidën e PD-së. Kontroll kaq të fortë institucional i këtyre energjive do ta kishte zili edhe vetë komunizmi.  Kulmin kjo fazë e arriti në 97-ën.
Faza e dytë ka qenë faza më e gjatë e karrierës së liderit të PD-së. Modelet, këshillat, faktet etj., nuk merreshin të mirëqena. Ekzistonin faktorë të tjerë që provonin të kundërtën. Aleancat ishte themeli i shtet-bërjes dhe tek ato qëndronte dobësia. Kjo fazë mbaroi me marrëveshjen e 2009-s.
Faza e tretë është ajo më interesantja pasi arkitekti i PD-së përpiqet të shfaqë pjekurinë e një lideri të vërtetë. Kulmin kjo faze e arriti në fjalimin e dorëheqjes. Ndryshe nga herët e tjera, një dorëshkrim lexohej dhe një pasqyrë iu bë PD-së ku shumë arritje u përmendën. Analistët, të mërzitur, kërkuan më tepër duke harruar faktin se në shumë gjëra çfarë thuhen, ajo që ka shumë rëndësi është çfarë nuk thuhet. E njëjta gjë ndodh me drejtësinë shqiptare.
Në një parashikim midis miqve unë parashtrova këtë skenar: nëse PD do të humbte thellë, do të vijonte një kaos midis radhëve të saj dhe FRD do të absorbonte këto energji të së djathtës. Natyrisht ky ishte një skenar i ekzagjeruar. Lideri i PD-së kaloi – me një lëvizje historike – nga rrafshi personal (individual) që kishte karakterizuar gjithë karrierën e tij politike në një universalizëm që edhe Cezari i madh do ta kishte zili për emrin të cilin e morën perandorët e tjerë. Këta që do vijojnë në kryesinë e PD-së nuk do mund ta marrin dot emrin e liderit historik të PD-së.

*    *    *
Gjatë këtyre viteve përfshirja e individëve meritokratë nga PD në institucione shtetërore (edhe partiake) ka qenë e ulët. Ka qenë pikërisht kjo dobësi (1) e cila, në një kohë të mesme dhe të gjatë siç ishin këto 8 vite qeverisje, krijoi çarjen në qënësinë e saj. Një dobësi (2) tjetër ka qenë mungesa e përfshirjes së mendimit ndryshe (apo fraksioneve). Nga e merr informacionin kupola politike? Ekziston një zinxhir informacioni prej, të themi, 4-5 hallkash, informacion ky që përcillet tek kupola e cila reagon sipas fakteve të dhëna. Ky zinxhir informacioni ka funksionuar si telefon i prishur pasi njerëz që kanë ditur të thonë vetëm PO janë punësuar në këto hallka dhe po njerëz të tillë janë pyetur për informacion. Pra fajin për humbjen e zgjedhjeve që lideri i PD-së mori me modesti nuk është aspak i tiji, madje mund të them që ka qenë i vetmi që ka punuar dhe djersitur me fort nga gjithë dembelët dhe fodullët që e ndiqnin duke duartrokitur.
Probabiliteti i një mundësie tjetër nuk u mendua le më të jetë folur. Interesant është fakti se të dyja këto dobësi i ngjasojnë strukturës së Partisë së Punës së atëhershme. Ka thënë Hegel: njerëzit kurrë nuk mësojnë nga historia.

* Titulli i këtij artikulli është huazuar nga artikulli i z. Fevziu çndodhi me të djathtën?! (Panorama, dt. 26 qershor 2013). I kërkoj ndjesë lexuesit për mospërputhjen e titullit me përmbajtjen por qëllimi është i mirë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›