E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barazi e pabarabartë!

Nga Eva Sinanaj
Sociologe

opinionLiria, barazia i dëgjojmë shpesh këto terma të përdoren dhe pothuajse të gjithë ne aty për aty mund të japim një përkufizim apo ide se çfarë është njëra apo tjetra. Vetë natyraliteti ynë si qenie shoqërore dhe natyrore na bën ti gëzojmë edhe lirinë edhe barazinë, por absolutisht jo në mënyrë absolute. Qenia njerëzore, si e tillë ka një sërë të drejtash të gjithë i njohim me terminologjinë të drejtat dhe liritë e njeriut. Mirëpo këto janë të vendosura në kohë dhe në hapësirë dhe ndryshojnë në varësi të kohës dhe hapësirës. Realisht liritë janë të kufizuara, mjafton vetëm të përmendësh shprehjen që ne e dimë më së miri, e cila thotë se liria ime përfundon aty ku fillon ajo e tjetrit. Ajo që dua të përmend këtu është barazia, e cila jo vetëm diskutohet midis individëve, por realisht më tepër diskutim hap midis gjinive. Diskriminimi gjinor, frazë kjo aq e përdorur dhe e dëgjuar kohët e fundit. Barazia gjinore është njëra ndër vlerat themelore të zhvillimit demokratik të shoqërisë prandaj edhe është detyrë e gjithë shoqërisë që të mënjanoj pengesat duke garantuar sjellje, pozitë, mundësi dhe përfitime të barabarta për të dy gjinitë në të gjitha sferat e jetës. Diskriminimi gjinor fillon që nga familja,sistemet tona të edukumit,dhe vazhdon më tej me aktorë të tjerë social. Sipas Habermas dhe sociologeve liberal gruaja e mbulon me së miri sferën private, familjen ndërsa burrat edhe atë private edhe atë publike. Neni 1 i Deklaratës për të Drejtat e Gruas dhe Qytetares Femër, 1798 thotë se: Gruaja lind e lirë dhe gëzon të drejta të barabarta me mashkullin në çdo aspekt.
Indeksi i barazisë gjinore në Shqipëri shumë i ulët
Shqipëria klasifikohet nga rrjeti social “Watchdog Organization” si tre vendet me Indeksin më të ulët të Barazisë Gjinore në Europë. Klasifikimi i sapo publikuar i bashkohet shqetësimit të BE-së, për pjesëmarrje të ulët të grave në poste drejtuese në aktivitetin ekonomik, dhe hedhjes së idesë për vendosjen me ligj të një kuote njëlloj për pjesëmarrjen e gruas në politikë. Andora është i vetmi vend në botë me parlament të sunduar numerikisht nga gratë.
Indeksi i Barazisë Gjinore, 2012 nga Organizata ndërkombëtare Watchdog, një rrjet social ndërkombëtar që lufton për zhdukjen e të gjitha formave të diskriminimit, ka marrë në analizë 154 vende të botës lidhur me aksesin e gruas në arsimim, ekonomi dhe në politikë. Në bazë të treguesve në këto tri fusha, Shqipëria rezulton të ketë një indeks prej 55 pikësh të barazisë gjinore. Kjo e cilëson atë si vend në Europë me një nivel “shumë të ulët të barazisë gjinore”. Kjo sepse indeksi i nivelit “të ulët” të barazisë gjinore në Europë është 73 pikë. Ndërsa pjesëmarrja e gruas në ekonomi dhe politikë për Shqipërinë klasifikohet me 13 pikë ose në nivelin ” kritik”.
I vetmi klasifikim “i pranueshëm” për Shqipërinë është aksesi i grave dhe i vajzave në arsimim. Me të tillë tregues Shqipëria zë vendin e 111-të ndër 154 vendet e analizuara nga “Watchdog Organization” dhe është në të njëjtin nivel me Bangladeshin, Kamboxhian, Libanin dhe Zimbaven. Me këtë pozicion Shqipëria është mjaft larg nga Norvegjia, Finlanda, Suedia dhe Mongolia, që kryesojnë me indeksin më të lartë të barazisë gjinore.
Klasifikimi i Shqipërisë si një nga tre vendet me nivelin më të ulët të barazisë gjinore në Europë tregon se arritjet në arsimim janë ende larg të qenit në nivelin, që të ndikojnë në përmirësimin e aksesit të gruas në pozicione drejtuese në ekonomi dhe në politikë në mënyrë të barabartë me burrat. Në legjislacionin e Shqipërisë ka një ligj të standardeve europianëve “Për barazinë gjinore”, por realiteti i sapozbuluar nga “Watchdog Organization” tregon se ky ligj ka mbetur në letër. Edhe pse barazia gjinore vlerësohet si një nga mundësitë më të mëdha për zhvillimin e shoqërisë. Indeksi i barazisë gjinore 2012 tregon se në Shqipëri këto potenciale kanë mbetur deri më tani të pashfrytëzuara.
Një studim i sapo botuar nga Aleanca Gjinore për Zhvillim lidhur me pabarazinë gjinore në pagë vëren se: “Pjesëmarrja e burrave në pozicione drejtuese në aktivitetet ekonomike është më e lartë se ajo e grave. Në Shqipëri ka një pjesëmarrje shumë të ulët të gruas në pozicione drejtuese në ekonomi, pa folur këtu për përfaqësimin e tyre të ulët në politikë. Gratë kanë paga më të ulta se burrat për të njëjtën punë, ndërkohë që një përqindje e konsiderueshme janë të punësuara në punë të parregullta.”
Duket se familja shqiptare e mbështet gjininë femërore duke i dhënë suportin e arsimit. Po të shikojmë të dhënat statistikore të publikuara nga INSTAT, duket qartë se nga të gjithë studentet që arsimohen në Shqipëri, femrat janë në numër më të madh se sa meshkujt, të cilët ndjekin arsimin e lartë. Fakti që femrat janë më të shumta në numër sesa meshkujt, të cilët arsimohen nuk do të thotë se ky tregues sjell barazi apo liri. Ky është një tregues pozitiv, por realisht lufta e tyre për liri dhe barazi mbetet familja. Aty vërehen dhe luftohet për hapësirat e para të lirisë, aty krijohen steriotipat e parë dhe pse jo veçimi gjinor.
Në Shqipëri ekzistojnë një sërë institucionesh dhe mekanizma, si:
1 – Ministria që mbulon çështjet e barazisë dhe dhunës në familje
2 – Këshilli Kombëtar i Barazisë
3 – Drejtoria e Politikave për Shanset e Barabarta dhe Familjen (DPSHBF)
4 – Institucionet përgjegjëse për zbatimin e SKBGJDHF, etj, të cilët duket se mbrojnë familjen, barazinë gjinore dhe liritë e individit, por sesa efektive janë ato, kjo është diçka tjetër.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›