Ëndrra e bërë realitet

Ferhan Hasani po kalon momente emocionuese këto ditë në Wolfsburg. Sulmuesi shqiptar po stërvit intensivisht me klubin gjerman, ku dëshiron ta japë maksimumin dhe të tregohet para trajnerit Felix Magath.
“Mundohem të punoj mirë, aq sa mundem. Në një moment të parë kam menduar se do të ishte mjaft vështirë, por me kohë jam përshtatur me të gjitha dhe gjërat po shkojnë gjithmonë më mirë. Këtu kam takuar njerëz mjaft të mirë dhe kam bërë miq të shumtë”, deklaroi 21 vjeçari për ueb faqen zyrtare të klubit.
Për ish futbollistin e Shkëndijës së Tetovës transferimi në ekipin nga Bundesliga është si të futej në një botë tjetër. Ai e zgjodhi numrin 43, ndërsa i është bashkuar ekipit të ri në fillim të këtij viti.
“Kur e kam kuptuar se Wolfsburgu është i interesuar për mua, nuk mund t’i besoja fatit tim. Prej nga vij unë, të gjithë lojtarët ëndërrojnë mundësi të tilla. Për të luajtur jashtë, sidomos në Bundesligë, e cila është mjaft e popullarizuar tek ne, është mundësi jetësor për të gjithë”, vazhdoi mesfushori ofanziv i cili nuk dëshiron ta lëshojë këtë mundësi të artë.
“Do të jap gjithçka për ta rrëmbyer këtë mundësi dhe për ta ndihmuar ekipin që të ngrihet sa më lart. Dëshiroj të përshtatem në çdo moment dhe të jem i integruar në ekip. Çdo ditë do ta jap maksimumin tim”, vijoi futbollisti tetovar.
Hasani i kaloi tri vjet të suksesshme te Shkëndija para se të transferohej në Wolfsburg, me të cilin ka nënshkruar kontratë trevjeçare. Futbollisti ofanziv është pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë.