“Ëndrra kineze”, një shans për shqiptarët*
Ye Hao ambasador i Republikës Popullore të Kinës
-Ëndrra Kineze është aktualisht fjala më e modës në Kinë, si dhe është bërë tema më shumë e diskutuar nëpër botë. Disa miq shqiptarë që ndjekin Kinën më pyetën se çfarë është ëndrra kineze? Në fillim të reformës dhe hapjes ndaj botës, ëndrrat e shumë kinezëve ishin të njëjta me ato të shqiptarëve kur dera e vendit u hap; ishin lëvizja drejt vendeve të huaja për studime, punë ose qëndrim atje. Qysh nga viti 1978 kur u ndërmorën reforma dhe hapja ndaj botës e deri më sot, 65 milionë kinezë kanë shkuar jashtë vendit për studime, shumë prej tyre kanë përfunduar studimet dhe kanë qëndruar jashtë. Shumë shokë klase të mi të Universitetit, dolën jashtë vendit edhe në këtë mënyrë. Njëri prej tyre ka studiuar në Amerikë, atje ai u bë menaxher i lartë i kompanisë “Ford” falë inteligjencës dhe zellit të tij, ai kishte vilën dhe makinën e vet, dhe ishte një njeri i suksesshëm. Gjatë një vizite pune që kam bërë në Amerikë, ai me krenari më ftoi për të vizituar kompaninë ku ai punonte si dhe vilën e tij. Muajin e kaluar u ktheva në Kinë për pushime, mësova se ky shok ishte kthyer në Kinë dhe është punësuar si menaxher i lartë në një fabrikë makinash në Nankin.
Ai ka gjetur Kinën me zhvillimin e shpejtë dhe ka kuptuar se mundësitë e shumta gjenden në Kinë, prandaj dhe ka hequr dorë nga jeta në Amerikë për t’u kthyer në Kinë. Vitet e fundit, me rritjen e vazhdueshme të ekonomisë së Kinës, forca kombëtare gjithëpërfshirëse është ngritur shpejt, ndikimi ndërkombëtar është shtuar, studentët kinezë, të cilët kanë studiuar jashtë, gradualisht i kanë ndryshuar ëndrrat e tyre për punë dhe qëndrim jashtë vendit, dhe janë kthyer në atdhe për t'u punësuar dhe për të zhvilluar biznesin. Deri në fund të vitit 2012, numri i studentëve që janë kthyer në Kinë ka arritur në 1.09 milionë, sidomos në vitin 2012 kur ky numër ka qenë 270.29 mijë, i rritur me 46.57% krahasuar me vitin e mëparshëm. Me vazhdimin e prurjes së kthimit të studentëve nga jashtë, besoj se do të ketë më shumë njerëz që do të kthehen në Kinë, të cilët do të integrojnë ambiciet dhe idealet personale në rilindjen e kombit, duke u përpjekur për të realizuar ëndrrën e vet si dhe ëndrrën kineze e të gjithë kombit. Përvoja e shokut tim ka reflektuar ndryshimin e ëndrrës së tij. Po në fund të fundit çfarë është ëndrra kineze? Presidenti Xi Jinping mendon se ëndrra kineze është që të realizohet lulëzimi dhe prosperiteti i vendit, rilindja e kombit dhe mirëqenia e popullit. Në Kongresin e 18-të të Partisë Komuniste Kineze është bërë një ekspoze e detajuar mbi këtë çështje.
Në vitin 2020, pra në 100-vjetorin e themelimit të Partisë Komuniste të Kinës, PPB dhe të ardhurat për frymë të banorëve në fshat dhe qytet në Kinë, do të dyfishohen në krahasim me ato të vitit 2010, do të ndërtohet në gjithë vendin një shoqëri me begati të moderuar. Në vitin 2049, pra në 100-vjetorin e themelimit të Kinës së Re, do të ndërtohet shteti modern socialist me harmoni, kulturë, demokraci dhe begati. Duke u bazuar mbi këto dy objektiva 100-vjeçare, më pas do të realizohet rilindja e kombit kinez. Ky është realizimi i trilogjisë së ëndrrës kineze. Ëndrra kineze ka reflektuar idealin e kinezëve të tanishëm, si dhe ka pasqyruar traditën e lavdishme të paraardhësve tanë për t’u përpjekur dhe për të ecur përpara pa u lodhur. Parakushti i ëndrrës kineze është që shteti të jetë i begatë; vetëm kur shteti të jetë i begatë, rilindja e kombit do të ketë një bazë të fortë, mirëqenia e popullit mund të ketë shpresë. Pika Kyçe e ëndrrës kineze është rilindja e kombit. Rilindja e kombit është shenja thelbësore e begatisë së shtetit dhe është garancia e rëndësishme e lumturisë së popullit. Pas Luftës së Opiumit në vitin 1840, Kina, e cila deri atëherë ishte një nga vendet më të zhvilluara në botë, filloi të pësonte një rënie dita-ditës. Lufta hapi një faqe në historinë e poshtërimit, ku sovraniteti kishte humbur, por pikërisht në këtë moment filloi edhe historia e rilindjes së kombit si dhe historia e ëndrrës kineze.
Qëllimi i ëndrrës kineze është që t’i sjellë lumturinë popullit. Kur njerëzit janë vënë në themel të punës, aspiratat e popullit janë marrë parasysh, kur idetë e publikut respektohen dhe të ketë kohezion të mençurisë popullore. Kur populli ka një jetë më të mirë e të lumtur, begatitë e vendit si të tilla mund të kenë mbështetje shpirtërore dh rilindja e kombit si e tillë, do të ketë shpresë thelbësore. Presidenti Xi është shprehur: “Të gjithë ne do të ishim mirë vetëm atëherë kur shteti të ishte mirë, kur kombi të ishte mirë.” Në fakt, aspirata e çdo kinezi për një jetë të mirë dhe etja për shanset për një jetë të ndriçuar janë ëndrra kineze. Ajo është si një kristal, ka shumë anë që shkëlqejnë, por ëndrrat personale mund të shkëlqejnë më shumë vetëm me rilindjen e kombit dhe lulëzimin e shtetit. Këtë gjë edhe populli shqiptar e kupton shumë mirë. Përpara 100 vitesh, ju jeni shkëputur nga prangat e pushtimit osman duke ngritur flamurin e madh të pavarësisë në Vlorë; përpara 70 vjetësh ju çliruat Shqipërinë duke i dhënë fund agresionit të fashizmit; sot nuk dëshironi të mbeteni mbrapa duke shkuar drejt familjes së BE-së. Me zhvillimin e vazhdueshëm dhe me anë të rilindjes në Shqipëri, populli shqiptar mund të ketë një jetë të lumtur dhe mund të realizojë ëndrrat që ju përkasin juve. Disa miq të mi shqiptarë më kanë thënë se edhe shqiptarët kanë ëndrrën e tyre, të cilat janë anëtarësimi në BE, integrimi në Evropë dhe të kenë një jetë të vendit të zhvilluar. Këto ndoshta mund të quhen ëndrrat shqiptare, megjithëse çdo shtet ka ëndrra të veta dhe të ndryshme nga të tjerët, në thelb ato janë të njëjta: ekonomia në zhvillimin e sipër, politika e pastër, shoqëria harmonike dhe populli i lumtur.
Ëndrra jonë kineze, jo vetëm do të jetë në dobi të popullit kinez, por edhe në dobi të popujve të botës duke përfshirë edhe popullin shqiptar. Në 5 vitet e ardhshme Kina ka nevojë të importojë mallrat me një vlerë prej mbi 10,000 miliardë dollarësh, përmasat e investimeve jashtë do të arrijnë në një shumë prej 500 miliardë dollarësh, turistët kinezë që shkojnë jashtë vendit, do të jenë 400 milionë persona, sipas statistikave të Doganës Kineze, në vitin 2012 vëllimi i tregtisë kinoshqiptare ishte 480 milionë dollarë, duke u rritur me 11.6 % në krahasim me vitin e kaluar. Kina tashmë zë vendin e tretë për sa i përket importeve shqiptare dhe këto shifra do të rriten në vazhdimësi. Sa më shumë zhvillohet Kina, aq më shumë shanse të zhvillimit do t’i sjellë botës duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Shkrimtari i madh francez Viktor Hygo në librin e tij “Të Mjerët” shkruante një fjali të njohur “Në këtë botë nuk ka gjëra që mund të krijojnë një të ardhme më shumë sesa ëndrrat, mund të duket utopi sot, por nesër kjo është jeta reale”. Duke i hedhur një sy zhvillimit marramendës të Kinës prej 30 viteve pas reformës dhe hapjes ndaj botës, për kinezët e gjithë kjo sikurse është një ëndërr, hendeku midis Kinës dhe vendeve të zhvilluara perëndimore është duke u zvogëluar, ëndrrat kineze do të realizohen hap pas hapi. kështu do të jenë ëndrrat kineze, kështu do të jenë edhe ëndrrat shqiptare, sot janë ëndrra, nesër do të bëhen realitet. *Titulli është redaksional