E Diel, 1 Nëntor 2026

Ëndrra kryeministrore rikthen sherrin brenda opozitës

20-05-2013 / Gazeta 55

Rama dhe Meta, të dy pretendojnë karrigen e Kryeministrit – përçahen votuesit e majtë

“Kryeministri zgjidhet sipas Kushtetutës dhe vullnetit të popullit”. Kjo është përgjigjia e kreut të PS-së, Edi Rama për deklaratën e ardhur nga deputeti i LSI-së, Nasip Naço, për kreun e ri të ekzekutivit të pas 23 qershorit. “Asnjë diversion mbi fjalime apo fjali të thënë mes entuziazmit të fushatës nuk funksionon, aleanca jonë është kompakte PS është forca udhëheqëse e kësaj aleance në sintoni të plotë me LSI si pjesë e boshtit dhe mos kini as merakun më të vogël se kush do të jetë kryeministri pas fitores është gjëja më e thjeshtë dhe më e shpejtë për tu zgjidhur bazuar mbi çfarë thotë Kushtetuta dhe vullneti i popullit, më vjen keq po nuk kemi ç’të shtojmë”- u shpreh rama, gjatë një komunikimi me mediat, ku foli për ditën e dytë të konventës së PS-së.
I pyetur në lidhje me deklaratat e Nasip Naços në Berat për Metën si kryeministër, kryesocialisti Rama u përgjigj se kryeministri zgjidhet sipas Kushtetutës dhe vullnetit të popullit.

Meta nuk e fsheh ambicien për të qenë Kryeministër
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, gjatë një komunikimi me mediat, la të kuptohet se emri i kandidatit për kryeministër nuk është i paracaktuar. I pyetur nga gazetaret mbi ambicien e tij per postin e kryeministrit pas 23 qershorit, Ilir Meta nuk e mohon këtë mundësi. “Pas fitores, marrëdhënia me Partinë Socialiste do të bazohet në rregullat e demokracisë”, pohoi Meta. “Koalicioni është në një sintoni të plotë dhe me një rritje të jashtëzakonshme të frymës së bashkëpunimit që thellon çdo ditë fitoren e 23 qershorit. Me rëndësi është fitorja e opozitës së bashkuar dhe diferenca do jetë mbi 200 mijë vota. Çështjet e tjera janë në përputhje me normat dhe rregullat e demokracisë, marrëdhëniet me PS janë konstruktive, edhe me forcat e tjera të koalicionit dhe do vazhdojnë të jenë edhe pas 23 qershorit që t’i qëndrojnë besnik parimive që u firmosën”, sqaroi Meta.
Ndërkaq, në këtë komunikim me mediat, Meta ka ripërsëritur apelin drejtuar kryeministrit Sali Berisha që të pranojë propozimin e tij për miratimin e 3 ligjeve për integrimin para zgjedhjeve.

Paskal Milo: Opozita drejt përçarjes, po rikthehen djajtë e së kaluarës
Pas ngritjes së zërave nga LSI në lidhje me postin e Kryeministrit, kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, paralajmëron aleatët që të bëjnë kujdes. Sipas tij, deklarata të tilla në fushatë janë të dëmshme, dhe rrezikojnë kthimin e djajve të së kaluarës. Synimet e LSI-së për postin e Kryeministrit, i sheh si të rrezikshme për kohezionin e koalicionit. Paskal Milo paralajmëron aleatët të bëjnë kujdes nga djajtë e së kaluarës. Në ekuilibrin e fjalëve që e karakterizon, kreu i Partisë Demokracia Sociale jep edhe interpretimin e tij mbi zërat që ngrihen nga LSI. Milo uron që lokomotiva e Ramës të ketë fuqinë e nevojshme për të mos e lënë trenin e opozitës në rrugë. Për liderin e PDS, programi i tij është më pranë shtresave të varfra e në nevojë. Si shembull, sjell një propozim konkret për minatorët. “Të fitojmë të ardhmen” është slogani që ka zgjedhur për këtë fushatë. Pasi shpjegon se fitorja nuk vjen vetë. Për këtë, PDS po punon në shumë qarqe si Tirana, Vlora, Korca, Fieri, Lezha dhe Elbasani, përmes një përzgjedhje të kandidatëve që Milo e quan të vëmendshme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›