E Diel, 1 Nëntor 2026

Ëndrrat e Igli Tares, Shqipëria në Botëror dhe triumfi me Lacion

tareGentjan Alinani

I ftuar në emisionin La tribu del Calcio, ish-sulmuesi i kombëtares tregon të shkuarën dhe ambiciet e së ardhmes

Futbollisti shqiptar që po lë gjurmë në futbollin italian. Në të shkuarën si lojtar i Breshias, Bolonjës dhe Lacios dhe tani si drejtor sportiv tek këta të fundit. Bëhet fjalë për Igli Taren, vlonjatin shtatlartë. Tek Lacio, ka bërë një punë të mirë pavarësisht buxhetit të vogël që ka në dispozicion.

Ka arritur të sigurojë shërbimet e lojtarëve shumë të mirë si Klose, Hernanes, Gonzales, Luliç, Kandreva, Konko, Marketi dhe shumë të tjerë. I ftuar në emisionin La tribu del Calcio, Tare ka rrëfyer të shkuarën e tij si futbollist dhe ka folur për të ardhmen jo vetëm të tij, por edhe të Lacios.

Gjithçka nis me fëmijërinë, në origjinën e tij. Kur isha 15 vjeç u thashë shokëve të mi se një ditë do të më shihnin në Seria A. Qeshën Pas shumë vitesh i takoj tani dhe bëjmë shaka gjithmonë, tregon Tare. Për të, ekipi më i fortë i të gjitha kohërave është Milani i Sakit. Inspirohesha nga Van Basten, adhuroja Gulit dhe Rajkard, ai ekip ishte fantastik, tha Igli.

Një pjesë të karrierës së tij e kaloi në Gjermani duke luajtur për shumë ekipe. Ai kujton vitet tek Kaizerslautern si më të vështirat. Kur shkova në Gjermani u përballa me shumë vështirësi, së pari nuk dija gjuhën. Tifozeria kërkonte shumë aty dhe nëse gaboje të fërshëllenin, tregon Tare. Pavarësisht vështirësive, ish sulmuesi i kombëtares, tha që ka mësuar shumë në Gjermani.

Në verën e vitit 2001, ëndrra e Igli Tares u bë realitet. Shtatlarti shqiptar kalon tek skuadra e Breshias duke luajtur përkrah kampionëve të mëdhenj si Baxho dhe Guardiola. Breshia ka një vend special në zemrën time, në atë kohë ishim ekip shumë i fortë. Në ekip ishin lojtarë si Toni, Pirlo, Baxho dhe Guardiola,tha drejtori sportiv i Lacios.

Ai nuk hezitoi të thoshte fjalët më të mira për ta. Macone më ka mësuar shumë gjëra si futbollist, ishte një trajner që e respektonin të gjithë madje edhe kundërshtarët. Guardiola kishte shumë respekt për të, edhe pse kishin ide shumë të ndryshme nga njëri-tjetri, tha Tare. Për Baxhon ai tha se në atë kohë ishte një ndër sulmuesit më të fortë në botë.

I pyetur për golin më të bukur me Lacion ai ka përzgjedhur golin kundër Askolit. Nuk kam shënuar shumë gola me Lacion, më i bukuri është ai që kam shënuar me roveshatë ndaj Askolit në fitoren 4-1, tregon 39-vjeçari.

Në vitin 2008 i jep  fund futbollit të luajtur dhe merr postin e drejtorit sportiv tek Lacio. Shumë premtime, shumë vështirësi, shumë bisedime, për Taren nuk është aspak punë e lehtë. Marrëveshja më e bukur dhe më e vështirë për të është ajo e Hernanes. Kishim rivalitetin e Lionit për Hernanes, ishin ditë shumë intensive dhe të vështira për mua. Kur Hernanes vendosi që të vinte tek Lacio mësova se Lioni kishte bërë një ofertë më të lartë, por fatmirësisht ai zgjodhi Lacion, tregoi Tare.

Me kombëtaren shqiptare, Tare luaji 68 ndeshje, mes të cilave kujton me kënaqësi ndeshjen Gjermani 4-3 Shqipëri. Luajtëm me shpirt dhe forcë për fanellën e kombëtares, kujtoj tifozët tanë të cilët në atë kohë jetonin një moment të vështië tha me nostalgji Igli.

Si përfundim ai ka folur për ëndrrat e tij në sirtar. Ato ishin dy dhe preknin si Lacion ashtu edhe Shqipërinë. Së pari dua që të fitoj diçka të rëndësishme me Lacion dhe dua të kontribuoj për të parë vendin tim, Shqipërinë në një Europian apo Botëror, përfundoi Igli tare.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›