nënshkruhet marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe fondacionit gjerman "Hanns Seidel
Sot paradite, në ambientet e kryeministrisë u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe fondacionit gjerman "Hanns Seidel". Mbi bazën e kësaj marrëveshjeje, Fondacioni do të ofrojë asistencë në sektorin politik, ekonomik dhe të administratës publike. Në sektorin politik, marrëveshja synon thellimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Në sektorin ekonomik, Fondacioni do të ofrojë mundësi trajnimi në fushën e menaxhimit dhe marketingut për punonjësit e ndërmarrjeve private dhe shtetërore. Në sektorin e administratës publike, Fondacioni do të hartojë dhe zbatojë projekte për kualifikimin e nëpunësve të niveleve të ndryshme në sektorët e administratës qendrore dhe vendore.
Gjatë ceremonisë, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Drejtorin e Përgjithshëm Ekzekutiv të Fondacionit "Hanns Seidel", z. Rainer Gepperth dhe Përfaqësuesin e këtij fondacioni për Bullgarinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë, z. Wolfgamg Glesker.
Takimi u përqendrua në reformat e ndërmarra nga qeveria dhe bashkëpunimin e mëtejshëm mes qeverisë shqiptare dhe këtij fondacioni, në aspektin politik, ekonomik dhe përmirësimit të kapaciteteve të administratës publike.
Kryeministri shprehu vlerësimin e tij për kontributin që Fondacioni "Hanns Seidel" ka dhënë nëpërmjet trajnimeve të shumta, projekteve dhe asistencës së ofruar. Kryeministri Berisha i njohu bashkëbiseduesit edhe me përpjekjet për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian, progresin e vendit drejt anëtarësimit në NATO dhe krijimin e një klime atraktive për investimet në Shqipëri. Në mënyrë të veçantë, Kryeministri u ndal në reformën që ka ndërmarrë qeveria për futjen e metodave elektronike në regjistrimin e biznesit, regjistrimin e pronave, pagimin e taksave dhe detyrimeve doganore, pra në tërësi për kryerjen elektronikisht të veprimeve administrative. "Lehtësimi i procedurave burokratike, vijoi Kryeministri, është qëllimi kryesor i qeverisë".
Drejtuesit e Fondacionit falënderuan Kryeministrin për mikpritjen dhe shprehën kënaqësinë për bashkëpunimin me qeverinë shqiptare dhe për intensifikimin e tij në të ardhmen.
Marrëveshja u nënshkrua, në prani të Kryeministrit Berisha, për palën shqiptare nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, z. Myqerem Tafaj dhe për palën gjermane nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Fondacionit "Hanns Seidel" z. Rainer Gepperth.