Kryeministri Sali Berisha takoi një përfaqësi të Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë
Sot në mesditë, Kryeministri Sali Berisha takoi një përfaqësi të Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë.
Duke uruar fillimisht të zgjedhurit në forumet drejtuese të Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Kryeministri i bëri biznesmenëve të pranishëm një ekspoze të veprimtarisë së qeverisë në fushën ekonomike, me reformat e ndërmarra dhe lehtësirat e krijuara për biznesin si reduktimi i çmimit të energjisë elektrike, uljet e taksave etj.. "Rezultatet tona në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, u shpreh Kryeministri, janë tashmë të njohura e të prekshme, por ne nuk jemi mjaftuar me kaq. Ne konsiderojmë se thjeshtimi i procedurave burokratike për biznesin, ku përfshihen procedurat e licencimit, procedurat e dhënies së lejeve, shkurtimi i kohës së regjistrimit dhe objektivi kryesor krijimi i sistemit "one stop shop" janë hapat konkretë, në të cilat është angazhuar qeveria". Kryeministri risolli në vëmendje edhe miratimin e një serie ligjesh dhe vendimesh që synojë shmangien e çdo subjektivizmi në prokurimet publike, dhënien e koncesioneve etj.. "Ligji i ri i prokurimeve publike, u shpreh Kryeministri, është një ligj i standardeve më të mira, duke synuar realizimin e prokurimit elektronik si një rrugë që shmang subjektivizmin. Kryeministri bëri të ditur se brenda vitit 2007 do të vendoset taksa e sheshtë, një taksë shumë e favorshme për biznesin në përgjithësi.
Kryeministri u ndal gjerësisht në përpjekjet e qeverisë shqiptare ndaj informalitetit në tërësi dhe informalitetit në ekonomi në veçanti. Kryeministri informoi gjithashtu të pranishmit edhe për përpjekjet e qeverisë për konsolidimin e mekanizmave kundër informalitetit nëpërmjet përcaktimit të procedurave transparente dhe të qarta. Lufta ndaj informalitetit në ekonomi, u shpreh Kryeministri, do të jetë konstante dhe ne nuk do të tërhiqemi në këtë betejë.
Nga ana e tyre, përfaqësuesia e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë falënderuan Kryeministrin për pritjen e rezervuar dhe mbi të gjitha dëshirën e tij për të folur hapur me biznesin. Ata vlerësuan reformat e ndërmarra nga qeveria dhe shprehën gatishmërinë e tyre për të mbështetur dhe për të qenë partnerë në luftën ndaj informalitetit në ekonomi. Ata u shprehën se mendimi unanim i komunitetit të biznesit, të cilin ne e konsultuam edhe para se të vinim në takimin me Kryeministrin, është që biznesi duhet të paguajë taksat dhe të mos tentojë shmangien e tyre. Informaliteti në ekonomi, vijuan ata, është mbi të gjitha në dëm të biznesit, sepse ne nuk arrijmë të zhvillojmë planet tona ekonomike, ndaj dhe kërkojmë nga qeveria që të godasë fort në këtë drejtim. Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se informaliteti është një kancer për ekonominë dhe se është e domosdoshme lëvizja me shpejtësi drejt zhdukjes së këtij fenomeni. Bashkëbiseduesit arritën në mendimin e përbashkët që gjatë vitit 2007 i duhet dhënë fund informalitetit në ekonomi me qëllim çlirimin e biznesit nga ky kancer që po e dëmton atë gjithnjë e më shumë.
Më tej, biseda u përqendrua në shkëmbimin e mendimeve dhe ideve rreth krijimit të lehtësirave të mëtejshme për biznesin. Biznesmenët paraqitën shqetësimet e tyre në funksion të përmirësimit të shërbimeve në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme apo edhe mundësinë e politikave subvencionuese për biznese prodhuese në fushën e bujqësisë etj., për të cilat Kryeministri premtoi se do t'i ndjekë me përparësi të veçantë.
Në përfundim të takimit, Kryeministri Berisha dhe përfaqësia e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë ranë dakord për zhvillimin e një dialogu të vazhdueshëm me biznesin me qëllim që biznesi të japë opinionet dhe ndihmën e tij në çdo hap të punës së qeverisë.