Çollaku, 22 vjet për të thyer rekordin e ToskësÇekiçi shqiptar ka pasur disa nga emrat më të shquar të atletikës. Doriani ka marrë pjesë në Lojërat Olimpike “Athinë 2004” dhe “Pekin 2008”

Rrjetet sociale:
Dorian Çollaku, rekordmeni absolut shqiptar në hedhjen e çekiçit, ishte një nga 11 sportistët shqiptarë që morën pjesë në Lojërat Olimpike “Pekin 2008”. Për Çollakun kjo ishte hera e dytë që merrte pjesë në një Olimpiadë, pasi e para ishte ajo në Greqi, “Athinë 2004”. Atleti 32-vjeçar shqiptar, më 22 qershor 2008 në kampionatin finlandez “Espoo Finlandë”, hodhi “hekurin” në distancën 76.96 metra duke thyer rekordin e mbajtur për 22 vjet me radhë nga Ajet Toska (75.92 metra, të vendosur më 22 gusht 1986). Rekordi i Çollakut është njohur nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës. Çekiçi shqiptar është përfaqësuar në aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare prej disa nga emra më të shquar të atletikës shqiptare, si Fatmir Barjaktari (64.48 metra, 08.08.1983), Ajet Toska (75.92, 22.08.1986) dhe së fundi Dorian Çollaku (79.96, 22.06.2008).
Si e mban mend Çollaku thyerjen e rekordit 22-vjeçar?
Rekordin e theva në vitin 2008, në Finlandë, në “Espoo”. Ishte fryt i një përgatitjeje serioze, pasi përgatitesha për vitin olimpik. Mund të kisha arritur shumë më tepër se distanca 76.96 metra, nëse do të isha ndihmuar edhe nga Federata jonë e Atletikës, dhe nuk mund të arrija rezultate të larta në “Pekin 2008”. Rekordi im është 76.96 m, ndërkohë që rekordi që mbante Ajet Toska është 75.92m.
Sa kohë iu deshën për të thyer një rekord të mbijetuar për 22 vjet?
Unë e kam filluar qysh në moshën 9-vjeçare sportin e hedhjes së çekiçit. Rekordi i Ajet Toskës ishte vendosur kur unë e fillova sportin. Synimi i im parë ishte të bëhesha një hedhës i mirë. Me kushtet që ofronte Shqipëria ishte shumë e vështirë. Nëse unë do të trajtohesha nga federata e atletikës edhe në kohën që isha student, do ta kisha thyer në vitet 2001-2002 dhe jo në vitin 2008. Pas vitit 2002 i jam afruar disa herë me centimetra, 20-30 cm.
Jeni shumë herë kampion i Shqipërisë në disiplinën tuaj.
Për herë të parë kam fituar në vitin 1996, kur kam qenë 19-vjeç dhe deri në vitin 2009 në Shqipëri nuk ka pasur asnjë atlet tjetër që ta hedhë çekiçin mbi rezultatin tim. Gjithsesi, jo në të gjitha kampionatet e zhvilluar në Shqipëri kam marrë pjesë, kjo për arsye objektive. Në Shqipëri nuk kam rivalë pasi në të vërtetë këtu nuk ka kushte.
Si ndihet Doriani në raport me hedhësit e çekiçit në Finlandë?
Kam fituar tri herë kampionatin finlandez dimëror, madje kam edhe një medalje bronzi në kampionatin finlandez. Jam një hedhës shumë i respektuar.
Sportist, por dhe trajner. Çfarë jeni duke bërë aktualisht?
Jam duke trajnuar një vajzë finlandeze, e cila është treta në Finlandë me 17-vjeçarët. Besoj se do ta vazhdoj karrierën si trajner në Finlandë, por dhe duke ndihmuar sportistë shqiptarë, njëri nga këta është Alko Leka, i cili ka ardhur me studime në Finlandë. E ndihmoj nga ana teknike.
Pjesëmarrës në Lojërat Olimpike “Athinë 2004” dhe “Pekin 2008”. Çfarë pretendoni nga “Londër 2012”?
Kam shkuar në dy olimpiada me normë të kualifikuar. Jam duke punuar fort për të qenë edhe në Olimpiadën e Londrës. Stërvitja apo dëmtimet nuk më pengojnë.
Numri i klikimeve - 282
E Hene, 16 Nentor 2009