E Diel, 1 Nëntor 2026

Shala, princesha e atletikësKlodiana është atletja shqiptare më e mirë e të gjitha kohërave. Mbajtësja e pesë rekordeve zbulon dashurinë e tretë të saj: kërcimin

Rrjetet sociale:

Te Klodiana Shala duket se atletika shqiptare ka dhuruar gjithçka: fuqi motorike në garat e shpejtësisë, pasion të pavdekshëm për pistën, trofe e medalje të panumërta. Atletja më popullore në Shqipëri, “pronare absolute” e më se 50 rekordeve kombëtare, rekordmene shqiptare në pesë disiplina, përkatësisht në 60 metra në salla të mbyllura, ndërsa në vijë të drejtë në pistë të hapur kam ato të 100m, 200m, 400m si dhe 400 metra me pengesa, një ndër 11 sportistët shqiptarë që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike “Pekin 2008”, por edhe me një rekord të veçantë: është e vetmja sportiste shqiptare që ka në llogarinë e saj tre Olimpiada: “Sidnei 2000”, “Athinë 2004” dhe tani “Pekin 2008”. Pjesëmarrësja e më se 80 garave ndërkombëtare në 13-vjet aktivitet sportiv dhe “pronarja” e një muzeu simpatik medaljesh të arta, argjendi e bronzi, ka zbritur për herë të parë në pistë (në atë me dhe të “Qemal Stafës” e “Selman Stërmasit”) në moshën 14 vjeç, dhe gjatë 16 viteve të saj është shndërruar nga një atlete premtuese në një “princeshë” të “Mbretëreshës së sporteve”, siç konsiderohet atletika. Dikur nën drejtimin e trajneri të njohur Sabri Beljerit’ “Bikes” së famshëm, sot punon me trajnerin e saj personal, Taulant Stërmasin, njëherësh edhe bashkëshorti i saj i ardhshëm. “Me Taulantin zhvillojmë thuajse çdo ditë stërvitje tërësisht moderne me metodologjinë më të përparuar europiane, për të kapur gjithmonë rezultate të larta”, - thotë Shala. Në vitin 2004, Klodiana theu rekordin kombëtar në 400 metra drejt dhe në 400 metra me pengesa. Më pas në vitin 2005, 2006, 2007 u thyen çdo vit nga 5-6 rekorde kombëtare, të cilat tani janë pronë e Klodit në 50, 100, 200 e 400 metra, salla të hapura e të mbyllura.

Klodiana, le ta nisim me një pyetje ngacmuese. Ju konsiderojnë të gjithë si “princesha e plotfuqishme” e atletikes shqiptare. Sa ju ngacmon ky përcaktim?
Absolutisht, që më kënaq shumë, por tregon njëherësh edhe respektin që kanë të tjerët për mua dhe rezultatet e mia. Për momentin është shpejt t’ia dorëzoj dot kurorën e “miss-it dikujt tjetër, pasi nuk ka (qesh)...

Kur keni vrapuar për herë të parë si atlete dhe jo si një vajzë çapkëne?
Eh, duhet të rikthehem 16 vite pas. Ka qenë qershori i vitit 1993, kur kam nisur stërvitjet e para nën drejtimin e trajnerit të njohur Sabri Bejleri dhe bashkëshortes së tij, Lilianës. Nga viti 2003 nisa të ndihesha një sportiste profesioniste, më tërë kuptimin e fjalës, por edhe kundërshtarët më kanë parë me këtë sy.

Sporti është gjithmonë një garë rivalësh, ku fiton më i miri. Sa i ashpër është rivaliteti në garat ku merr ti pjesë në Shqipëri dhe në arenën ndërkombëtare?
Në Shqipëri, të jesh i bindur që është zero. Ka diferenca të mëdha. Madje më duket sikur garoj e vetme. Më vjen keq ta them këtë. Unë e para do të doja të kisha rivale të forta. Do të më ndihmonin shumë. Do t’i jenin tjetër ritëm garës. Jashtë është tjetër gjë, pasi të duhet të garosh kundër sportistëve më të mëdha të botës. Duhet një punë e jashtëzakonshme dhe shumë serioze që të ballafaqohesh me sukses. Ata që janë sportistë e dinë këtë.

Prej shumë vitesh jeni shndërruar në ikonën e atletikës shqitare, sidomos në aktivitetet ndërkombëtare.
Unë kam qenë pjesëmarrëse e të gjitha aktiviteteve të mëdha ndërkombëtare të atletikës, në pista të hapura e salla të mbyllura, në Olimpiada, Kampionate Botërore, europiane, ballkanike, turne ndërkombëtare e Lojëra Mesdhetare, madje në këtë të fundit, në Almeria të Spanjës, ka vendosur edhe rekordin kombëtar në 400 metra me pengesa, me kohën 56”48. Në “Almeria 2006” kam marrë edhe medalje.

Le t’i lëmë mënjanë shifrat e rekordeve, e le të kalojmë te pasioni i Shalës për të vrapuar, kur me pamjen tërheqëse që keni mund të ishit e suksesshme edhe në fushën e aktrimit apo shout. Si lindi ky pasion i madh i për atletikën?
Të vrapoja ishte diçka natyrore për mua. Pastaj, duke i bashkuar edhe pasionin e madh e një punë të jashtëzakonshëm, në diell apo edhe shi, në mes të vapës apo dhe të ftohtit, kam arritur këto rezultate, pasi për përfitime të mëdha financiare as që bëhet fjalë.

Klodi, për momentin mban edhe një rekord unik në Shqipëri, je sportistja e vetme shqiptare që ke mundur të marrësh pjesë në tri Olimpiada dhe për më tepër rresht.
Më bën shumë krenar ky fakt. Lojërat Olimpikë janë ëndërr për të gjithë sportistët.  Për mua si sportiste kjo është një arritje e  Kam marrë pjesë në Australi në “Sidnej 2000”, në Greqi në “Athinë 2004”, ku kam mbajtur edhe flamurin e delegacionit shqiptar në Ceremoninë e Hapjes dhe së fundi në Kinë në “Pekin 2008”. Gjithsesi, dua të them se Olimpiada ime më e keqe është ajo në “Athinë 2004”. Dua ta theksoj këtë moment, edhe pse është i keq.

Përse e konsideron si më të keqen?
Në Athinë shkova për rezultat të mirë, por fati atë ditë nuk ishte me mua në garën time në 400 metra. Më dhembi shumë, pasi nuk dola me atë rezultat ku të gjithë, përfshirë edhe trajnerin tim Taulant Stërmasi prisnim. Në “Athinë 2004” ditëlindjen e festova mbyllur në dhomë, duke qarë, pasi unë garova, më 21 gusht dhe pata një rezultat të keq. Qëndrova e mbyllur në dhomë për dy ditë rresht dhe vetëm thirrja me megafon e vullnetareve shqiptare, të cilat kishin ardhur edhe me një tortë, me riktheu humorin dhe më bënë të kujtoja se kisha ditëlindjen dhe mbushja 25 vjeç.

Pas përfundimit të vitit atletik 2009, në prag është sezoni ri, i 2010-ës. Cili është programi i Shalës?
Në shkurt të vitit të ardhshëm kemi Kampionatin Ballkanik në salla të mbyllura e që zhvillohet gjithmonë në Athinë. Do të shkoj për të thyer një tjetër rekord kombëtar në garën time dhe për medalje. Në kampionatin e këtij viti dola nënkampione e Ballkanit. Ky vit, 2010, shpresoj se do të jetë edhe një vit i rezultateve të mëdha, pasi i bie të jetë viti i dytë në pistë pas rikuperimit të dëmtimit.

Cilat janë garat ku do të merrni pjesë?
Pas kampionatit Ballkanik, vjen menjëherë Kampionati Botëror i Atletikës në salla të mbyllura, që do të zhvillohet nga 12 deri më 14 mars 2010 në Katar të Dubait. Më pas hapet sezoni i ri veror i atletikës si Kampionati Europian, Kupa e Europës “Bruno Zauli”, e shumë aktivitete të tjera ku atletika shqiptare merr pjesë.

Në cilat gara synoni të vendosni rekorde të reja?
Jam duke punuar shumë për të thyer rekordet në 60 metra dhe 400 metra në sallat e mbyllura. Në salla të hapura, pra në ato në pistë do të synoj 100, 200 dhe 400, e ndoshta rikthehem edhe në 400 metra me pengesa. Si Klodianë mbaj pesë rekorde, përkatësisht në 60 metra në salla të mbyllura, ndërsa në vijë të drejtë në pistë të hapur kam ato të 100m, 200m, 400m si dhe 400 metra me pengesa.

Kampione e padiskutueshme në garat e tua në Shqipëri, teksa jeni ngjitur edhe në podiumet e aktiviteteve ndërkombëtare, ku keni arritur të fitoni edhe medalje të arta. Cila ka qenë medalja e parë që keni fituar dhe ajo e fundit?
Kam thyer më se 50 rekorde kombëtare. Kuptohet që këto janë shoqëruar edhe me medaljet përkatëse. Medalja ime ndërkombëtare e parë ajo si nënkampione e Ballkanit për të reja në vitin 1997, në Izmir të Turqisë, 12 vjet më parë, kur kam qenë 18 vjeçe dhe ende një amatore. Një garë në Turqi, kur në Shqipëri ende ishin të freskëta gjurmët e luftës. Medalja e fundit është në Çmimin e Madh të Greqisë të zhvilluar në Kastoria, ku dola e parë në 400 metra (25 qershor 2008).

Atletika po përjeton edhe një ngërç institucional, që ka të bëjë me drejtuesit se sa me sportistët. Cili është mendimi juaj?
Duhet të krijohet një frymë pozitive pune, pasi atletika me të vërtetë ndodhet në rrezik, për të mos thënë dalëngadalë po shkon ne zero.
 

“Dy dashuritë e mia nuk vdesin kurrë”
Klodiana Shala nuk i ka fshehur kurrë dy dashuritë e saj më të mëdha në jetë, për atletikën dhe bashkëshortin e trajnerin e saj, Taulant Stërmasi. “Së pari, dashuria ime me atletikën ka nisur qysh në vitin 1993 dhe nuk besoj se do të vdesë kurrë, edhe kur ta lë sportin e ti shoh garat nga televizioni apo pistat. Përderisa unë bëj stërvitje edhe në shi e në të ftohtë apo dhe në mungesë të kushteve or një stërvitje normale, do të thotë se më lidh me atletikën një dashuri e madhe. Ajo me Taulantin është dashuria ime, nuk ka nevojë për shumë komente. Jemi shumë të lumtur bashkë, jetojmë 24 orë bashkë, si në stërvitje ashtu dhe në jetën familjare”, - thotë Shala.

Kërcimtare në “Dancing with stars” të Vizion Plus
Atletika është sporti që e ka bërë shumë popullore në Shqipëri, Klodiana Shalë. Por, cila  është “ëndrra e saj në sirtar”, nëse mund ta përkufizojmë kështu ndonjë pasion të fshehtë të Shalës. “Përveç të vrapuarit tani më ka hipur një dashuri e madhe edhe për kërcimin. Do të marr pjesë në një program të organizuar nga televizioni i njohur “Vizion Plus”, “Dancing with stars” (të vallëzosh me yjet), ku do të performoj kërcime në tango, cha-cha. Kaq detaje mund të tregoj, surprizat e tjera le t’i lëmë ti zbulojë koha, më 3 dhjetor, kur nis edhe transmetimi televiziv i programit.

Rekordet e Goteborgut
Në Kampionatin Europian të Goteborgut në Suedi (2006) ishte fatmbarë për Klodiana Shalën , pasi vendosi dy rekorde, në 200 dhe 400 metra. “Kampionati i Goteborgut ishte një aktivitet goxha i madh dhe me rezultate shumë të mira për mua. Mora pjesë në garën e 200 dhe 400 metrave. Në garën e 200 metrave arrita deri në gjysmëfinale dhe gjithashtu theva edhe rekordin kombëtar, duke e çuar atë në 23 sekonda e 55 të qindtat (23”55), që është një rezultat shumë i mirë. Në garën e 400 metrave arrita kohën 52”86, edhe ky një tjetër rekord, ai i mëparshëm ishte 23”02, i vendosur ky gjatë një turneu ndërkombëtar në Bruksel, - tha Shala. Atletja shqiptare la pas atlete nga Çekia, Suedia, Greqia, Franca, Finlanda por dhe nga Suedia e Bullgaria.

Taulant Stërmasi, trajner e bashkëshort
Klodiana Shala e Taulant Stërmasi, sportistja e trajneri, por edhe bashkëshortët e ardhshëm, të cilët për momentin prej disa vitesh bashkëjetojnë. Stërmasi ka dalë tri herë kampion si futbollist me Tiranën (1995-96, 1996-97, 1998-99). “Taulanti ka dhënë çdo gjë për mua, për të arritur këtu ku jam. Besoj se dhe ai nuk është pishman” . Trajneri Stërmasi stërvit disa sportistë të ekipit kombëtar të atletikës, një pjesë e tyre rekordmenë në garat e tyre. “Një nga këta është edhe Admir Bregu, - thotë Stërmasi, - i cili është një nga dy sportistët më të mirë që stërviten në Shqipëri”.  Bregu garon në garën e kërcimit së gjati dhe mban rekordin në këtë garë duke fituar disa medalje në garat e fundit ndërkombëtare. Shqipëria, në fakt, ka vetëm katër emra elitarë në qarkullim: Klodiana Shalën, Dorian Çollakun (hedhje çekiçi), Admir Bregun e Elton Bitinckën (110 metra me pengesa).

Imazhi i AMC-së

Ikona e atletikës shqiptare, Klodiana Shala, është imazhi i kompanisë më të madhe të shërbimit celular në Shqipëri, AMC-së. “Kam filluar në vitin 2003 dhe vazhdoj akoma të mbështetem nga kompania e njohur celulare, AMC. Pas spotit publicitar të vitit 2006 me këtë kompani kam bërë edhe një të dytë, në vitin 2008”, - thotë Shala.

“Më pëlqejnë pengesat”

Shala është rekordmene absolute në garat e 60, 100, 200, 400, 110 në vijë të drejtë, por edhe në 400 metra me pengesa. Por ku e ndjen veten më mirë Klodiana? “Gara e 400 metrave drejt mund të jetë më e lehtë, por më mirë dhe për të marrë medalje do të thosha se jam në garën e 400 metrave me pengesa”.

Mes më të mirave

"Kur bëj bilancin e kaq viteve në sport, më lumturon fakti që tashmë jam një atlete profesioniste, që përveç titujve kombëtarë, rekordeve e shumë medaljeve ballkanike, renditem edhe mes më të mirave në rang-listën e Federatës Botërore të Atletikës (IAAF),"- shprehet Shala.

Shala jashtë pistës

Kuzhiniere e mirë
Po cila është Shala në versionin shtëpiak. “Më pëlqen të jem nikoqire e mirë. Gatuaj si një kuzhiniere e vërtetë. Në shtëpi prej më shumë se një viti jemi vetëm unë dhe Taulanti Jam shumë mishngrënëse, por më pëlqejnë më shumë frutat e detit.”.

Person “Anti-pub”
Edhe pse në lukun e saj paraqitet gjithmonë një vajzë trendi, është një sportiste që nuk i pëlqen shumë pub-et. “Klodi është anti-pub, - thotë bashkëshorti i saj, - mund të kemi shkuar me detyrim nga miqtë tanë vetëm dy-tre herë”.

“VIP” në spektakle
Klodiana shumë shpesh ka qenë pjesë e të ftuarve “VIP” në spektakle. “Më thërrasin shpesh dhe më pëlqejnë të shkoj në spektakle, por ka dhe nga ato që kam refuzuar, kur kam parë veten që nuk ndjenja veten mirë qysh në prova”.

Tifoze e Gjermanisë
I pëlqen futbolli dhe ndjek me kënaqësi evenimentet e mëdha futbollistike, madje ishte e ftuar edhe në një emision sportiv për Euro 2008-n. “Në Europian isha tifoze me Gjermaninë. U mërzita që humbi finalen, por Portugalia luajti më mirë”.

Adhuron një sportiste
Pa asnjë dyshim idhull ka kampionen dhe rekordmenen olimpike greke të 400 metrave me pengesa, Fani Halkea. “Kjo edhe nga fakti se kam jetuar për pak kohë në Greqi. E njoh nga afër, pasi jam stërvitur me atë në Athinë dhe është shumë e talentuar”

Makina të shpejta
Shala është një atlete e garave të shpejtësisë dhe makinat i do po të tilla. “Më pëlqejnë makinat dhe motorët e shpejtë. Taulanti më ka dhuruar për një Nisan Vitara, i jap si e çmendur, por për fat nuk kam bërë asnjë aksident apo të gërvishtur”, - tregon rekordmenia absolute e pesë rekordeve në Shqipëri.

Hajmalitë e Shalës
"Nganjëherë sporti, i çfarëdolloj qoftë, përveç përgatitjes së lartë fizike, kërkon edhe pak fat. Fat që mund të sjellë momenti i garës. Unë gjithmonë në aktivitete ndërkombëtare kam "hajmalitë" e mia, që nuk i ndaj. Herë janë atletet, herë një bluzë që dikur më ka sjellë fat, e herë gjëra të tjera personale”, -rrëfehet Klodi.

Ditëlindja në Olimpiada
Klodiana ka lindur, më 22 gusht 1979, dhe pasur fatin t’i festojë ditëlindjet gjatë Lojërave Olimpike, si në Sidnej kur mbushi 21-vjeç, ashtu dhe në Athinë, kur mbushi 25 vjeç. Më 22 gusht 2008, ajo do të mbushë 29 vjeç dhe do ta festojë në fshatin olimpik kinez, pasi dhe Lojërat Olimpike “Pekin 2008’, përfundojnë në datën 24 gusht.

Humanizmi për Lorenën
Lorena Drenovci, një nga sportistet e talentuara shqiptare në disiplinën e hedhëses së çekiçit vuante nga një sëmundje e rëndë. E ndjera duhej urgjentisht të kurohej në Turqi, ku ndërroi jetë më pas në vitin 2007. Shala iu përgjigj thirrjes së familjes së Lorenës, duke dhuruar së bashku edhe me bashkëshortin e saj, 8000 euro. “Leku nuk mund të krahasohet me jetën e një njeriu”.

E lidhur me familjen
Klodiana është shumë e lidhur si me mamanë, babanë, ashtu dhe me vëllanë e vetëm. Por kur vjen puna tek babai i saj, ajo pohon se raporti me të është disi më i veçantë. Familjarët janë dhe tifozët personalë të Klodit në çdo garë. Prindërit e saj jetojnë në Greqi, ndërsa vëllai në Amerikë.

Klodiana Shala

Datëlindja:    22.08.1979
Vendlindja:     Tiranë
Gjatësia:         163cm
Pesha:        51kg
Pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike "Sidnei 2000", "Athina 2004". “Pekin 2008”.

Të gjithë atletët në Olimpiada

“Munih 1972”
asnjë

“Barcelona 1992”
Alma Qeramixhi: atletikë, vrapim

“Atlanta 1996”
Mirela Manjani (flamurmbajtëse), Vera Bregu

“Sidnej 2000”
Klodiana Shala , Oltion Luli

“Athinë 2004”
Klodiana Shala (flamurmbajtëse), Dorian Çollaku

“Pekin 2008”
Klodiana Shala, Dorian Çollaku

Brezi i sotëm
Edhe pse atletika shqiptare vuan nga “mega-prodhimi” dhe masiviteti i së kaluarës, sërish ka në qarkullim emra të respektuar: Klodiana Shala, Admir Bregu, Dorian Çollaku, Elton Bitincka, Fation Serhati, Gjergji Shtëpani, Sueld Panahori, Aleks Buda, Ardit Merdanaj, Ana Burda, Rigerta Selenica, Gerta Batusha, të cilët me garat e tyre i japin gjallëri “mbretëreshës së sporteve”.
Numri i klikimeve - 283
  E Hene, 16 Nentor 2009
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›