Gjobat e rrugorëve, tani me foto në shtëpi
Nis funksionimin sistemi "Scout" që fotografon shkelësit e rregullave të qarkullimit në autostradë dhe kap makinat e vjedhura
Ministri i Brendshëm, Basha, viziton qendrën e pajisur me tetë radarë, e cila hedh direkt në rrjet të dhënat e marra nga terreni
TIRANE- Prej më tepër se dy muajsh, në Drejtorinë e Policisë Rrugore ka nisur funksionimi i sistemit Scout, i pajisur me tetë radarë që mundëson filmimin, fotografimin dhe transmetimin e informacionit në rrjet në mënyrë të menjëhershme në sallën e komandimit të Qendrës së të Dhënave në Njësinë e Kontrollit të Autostradave.
Madje nëpërmjet këtij sistemi, zbulohen edhe mjetet e vjedhura vetëm nëpërmjet fotografimit të targës së tij dhe duke e transmetuar menjëherë në rrjetin e qendrës. Kjo njësi është krijuar rishtazi pas riorganizimit të Policisë Rrugore si një strukturë më vete.
Njësia përkatëse e Kontrollit të Autostradave përmban tetë radarë të lëvizshëm të integruar në sistemin Scout që mundëson hedhjen e të dhënave në mënyrë automatike, menjëherë pas konstatimit të shkeljes së kryer nga një drejtues mjeti në një segment të caktuar që kontrollohet nga radarët e instaluar nga efektivët e Njësisë së kontrollit të Autostradave.
Qendrën e mësipërme e vizitoi dje Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, i cili përuroi Njesinë e Kontrollit të Autostradës, duke mësuar edhe mënyrën e funksionimit të sistemit scout. "Ky sistem ndërlidhet me sistemet e tjera të policisë, me sistemin e të dhënave kriminale, identifikon shkelësit e rregullave në trafik vetëm, mospagimin e masave administrative nga kundravajtësit, makinat e vjedhura vetëm duke identifikuar targën etj,- tha Ministria e Brendshme në njoftimin e saj.
Sipas policisë, informacioni përpunohet në Qendrën e Përpunimit të Informacionit në Njësinë e Kontrollit të Autostradave ku gjenden bazat e të dhënave mbi gjobat dhe targat e automjeteve, procesverbalet e konstatimit në vlerë dhe masë plotësuese. Po aty, sipas zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme, kryhet gjithashtu edhe përpunimi statistikor i të dhënave.
Kjo njësi, tashmë ka nisur funksionimin e saj prej më tepër se dy muajsh, thuajse në të gjithë vendin, me kapacitetet e saj profesionale do të vijë në ndihmë të çdo njësie territoriale të policisë rrugore sipas nevojës ku ka trafik të jashtëzakonshëm, sikurse është ai gjatë sezonit turistik, apo kur ka probleme të veçanta me trafikun, ku konstaton shkelësit e qarkullimit, duke dërguar automatikisht të dhënat për masë administrative.
Gjat vizitës së tij në këtë qendër, Ministri i Brendshëm paralajmëroi se krijimi dhe funksionimi i kësaj njësie është vetëm një hap në drejtim të dixhitalizimit të mëtejshëm të shërbimit të Policisë Rrugore dhe përmirësimit të këtij shërbimi.
Ai kërkoi që kjo njësi të kontribuojë edhe më tepër në parandalimin e aksidenteve të ndryshme rrugore që janë problem serioz në rrugët e vendit. Kjo njësi tashmë ka në organikë një grup oficerësh, ndërsa drejtohet nga Krenar Ahmeti i cili më parë ka drejtuar Komisariatin e Policisë Rrugore të Tiranës, si dhe ka qenë Shef i Forcës së Posaçme dhe i Rendit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Njësia që ai drejton, e njohur tashmë me emrin Njësia Kontrollit të Autostradave është e pajisur me tetë radarë modernë, të cilët brenda një minute, bëjnë të mundur identifikimin e pesë- gjashtë automjeteve shkelëse të rregullave të trafikut. Sistemi i saj i kontrollit kryen në mënyrë automatike identifikimin e shkelësit dhe dërgimin e masës sipas Kodit Rrugor çka bën të mundur transparencën e plotë të këtij shërbimi dhe shmangien e çdo tjetërsimi të të dhënave të konstatuara nga Policia Rrugore.