E Diel, 1 Nëntor 2026

Diveroli: Nuk kam faj për fishekët

Efraim Diveroli, presidentit të AEY-së, mohoi që të kishte shkelur kontratën me Pentagonin për municionet e blera në Shqipëri

FLORIDA - Efraim Diveroli, presidenti i kompanisë së shumëpërfolur “AEY”, deklaroi dje para trupit gjykues të gjykatës së Floridas, se nuk “ia ka hedhur Pentagonit” dhe se nuk është fajtor, përsa i përket akuzave të ngitura kundër tij. Ndërkohë që më i ashpër ka qenë në seancën e djeshme gjyqësore, avokati i Diverolit, i cili pohoi se Pentagoni ka keqinterpretuar ligjin dhe se Departamenti i Mbrojtjes e ka ditur origjinën e fishekëve. Pasi refuzoi fillimisht të paraqitej para gjykatës, Efraim Diveroli, u detyrua dje me një urdhër të dytë që të shkonte brenda 3 orësh në gjykatë. Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Associates Press”. Gjykata i dha Diverolit, që aktualisht ndodhet në “arrest shtëpie”, tri orë kohë për t’u paraqitur në gjykatë, ndërsa një ndër prokurorët amerikanë të dosjes kundër Diverolit u tha dje mediave vendase, se presidenti i kompanisë që akuzohet se ka mashtruar autoritetet amerikane për origjinën dhe vjetërsinë e municioneve të blera në Shqipëri dhe që do të kishin si destinacion policinë afgane, rrezikon të dënohet me 10 vjet burg ose më shumë. I njëjti fat sipas mediave amerikane mund të presë edhe bashkëpunëtorët e tij. Ndërkohë, në një shkrim të një dite më parë, gazeta prestigjioze “The New York Times”” shkruante se, nëse për këtë çështje nuk do të ishte folur gjerësisht në faqet e kësaj gazete, çështja e shtruar muajin e kaluar nga kongresmeni Henry Waxman mund të ishte marrë lehtësisht si një ngushëllim komik gjatë një seance dëgjimi në kongres: “Si kishte mundësi që një kompani e drejtuar nga një president 21-vjeçar dhe nga një ish-masazhator 25-vjeçar të fitonte një kontratë 300 milionë-dollarëshe për furnizim me armë të forcave afgane?

Më tej, gazeta “NYT” vazhdonte: “Ndërkohë që z. Waxman drejton hetimin e vet, për sipërmarrësin e ri, Efraim E. Diveroli, president i “AEY Incorporated”, që pritej sot (dje) të dilte para gjykatës federale në Miami, ai do të përballet me akuza mashtrimi dhe për deklarime të rreme ndaj Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara gjatë procesit të prokurimit me armë për qeverinë”. “Një prokuror federal tha se z. Diveroli, bashkë me ish-masazhatorin dhe dy ndihmës të tjerë, mund të marrin dënim prej dhjetë vjetësh ose më shumë burg nëse dënohen. Përgjigja e thjeshtë për pyetjen e z. Waxman është po aq e lehtë të kuptohet: çmimi i “AEY”-së është i pakonkurrueshëm. Apo, siç e tha dhe një zëdhënës i ushtrisë gazetës “The New York Times”, “propozimi i AEY-së përfaqësonte për qeverinë vlerën më të mirë.”

Për fat të keq, ushtria mori atë çka pagoi. Kur armët mbërritën në Afganistan, u duk qartë se ky nuk ishte malli “taze” i sapodalë nga fabrika, por ishte prodhuar në Kinë në vitin 1966. “Ja çfarë na dhanë për të luftuar”, i tha një kolonel afgan gazetës “The New York Times”. “Na shqetëson shumë, sepse shumica është pa vlerë”, - vijonte më tej shkrimi i djeshëm i gazetës prestigjioze amerikane “New York Times”. Prokurorët thanë se z. Diveroli dhe ndihmësit e tij mbajtën të fshehtë burimin e vërtetë dhe vjetërsinë e armatimeve, duke depozituar tek autoritetet dokumente të rreme dhe duke hequr shkrimin në gjuhën kineze nga kontejnerët fillestarë të transportimit. Ambasadori amerikan në Shqipëri, vendi ku “AEY”-ja bleu municionet (nga qeveria shqiptare, e cila i kishte marrë këto municione gjatë luftës së ftohtë), është zënë gjithashtu në grackën e aludimeve. Kontrata kërkonte që “AEY”-ja të furnizonte me “municione të sigurta dhe në gjendje pune” që nuk vinin nga “ndonjë kompani ushtarake komuniste kineze”, thoshte një njoftim për shtyp i Departamentit të Drejtësisë. Ndërkohë që Diveroli ka mbi shpinë akuzat e thyerjes së të dyja këtyre kërkesave, avokati i tij debaton që qeveria ka “keqshpjeguar” ligjin në qendër të çështjes. Por, sidoqoftë, në seancën e djeshme Efraim Diveroli u vetëmbrojt ndaj akuzave të ngritura ndaj tij, duke pohuar se nuk është fajtor dhe se nuk ka abuzuar me kontratën me Pentagonin. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›