E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Brilantet" e Kadaresë

Në një kohë kur emri i tij është më i lakuar se kurrë, teksa është kandidat për çmimin letrar të radhës (“The indipendent”), Ismail Kadare u kthehet “brilanteve” të fshehura në gati 60 vjet krijimtari.

“Bisedë për brilantet në pasditen e dhjetorit”, titullohet vepra më e re e shkrimtarit të madh, e cila i jepet lexuesit,  përmes shtëpisë botuese “Onufri”.

Si të ishte një bisedë në një pasdite të gjatë shëndreu, Kadare i beson lexuesit “kujtimet” e tij, që na kthejnë pas në kohë, në vitin e largët 1953, kur ai ishte veçse 17 vjeç, një i ri me ëndrra të mëdha, duke kaluar vit pas viti sfida, pengesa, censurë, ndalime, për të ardhur deri në vitin 2008.

Përmbledhja e brilanteve të Kadaresë përmban 11 tregime e novela, ku mes tyre ka nga ato që nuk janë botuar kurrë më parë, por dhe nga ato që janë botuar dhe i rivijnë lexuesit në variantin e tyre të parë… Por të gjitha mbartin në vetvete nga një histori të veçantë.

Që nga ajo e hershmja e rinisë, titulluar “Në dheun e panjohur”, që vetë Kadare do ta quante si gurin e parë kilometrik, pas së cilit do të nisë krijimtaria e tij e vërtetë, për të vazhduar me bulëza apo pjesë romanesh, si “Dosja e Orfeut”, një copëz e shkëputur nga “E Penguara-Rekuiem për Linda B.”, shkruan "Panorama". Tregimi i gjatë “Provokacioni” na sjell në atë periudhë të nderë mes viteve ’60-’70, kur nën trysninë e censurës vepra kalonte në procesin e punimeve dhe ripunimeve të vazhdueshme, derisa të bëhej “i denjë” për botim.

“Ndrojtjen” përpara një vepre të re në këtë përmbledhje e venit takimi me personazhe të njohur që ne i kemi ndeshur në të tjera vepra të Kadaresë… Një moment i rëndësishëm është edhe ai i ritakimit te “Leximi i Hamletit” me personazhin e dashur të “Kronikë në gur” dhe “Çështje të marrëzisë”, shkrimtarin-fëmijë që na rrëfen për qytetin, shtëpinë, fisin familjen, në një mënyrë të patëdytë. Jo më pak interesant është edhe tregimi “Dimri i fundit i vrasësit”, ku ritakojmë Makbethin…

E kështu vijon me të tjera takime e rrëfime, që na ndihmojnë të kuptojmë sadopak laboratorin krijues të shkrimtarit. /Indeksonline/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›