"Identitet" nuk po pëlqehet?

Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko tanimë kanë zyrtarizuar edhe videoklipin e tyre të këngës pjesëmarrëse në festivalin e sivjetmë evropian të këngës, i cili siç e do rendi i këngës fituese që mbahet në Suedi, me datë 14, 16 e 18 maj, rrjedhimisht nga fitorja e vitit të kaluar të suedezes Loreen me hitin e saj “Euphoria”.
“Identitet”, kjo kënga përfaqësuese e Shqipërisë tanimë ka marrë rreth 140 mijë klikime në kanalin zyrtar të festivalit në Youtube, shumë afër me shumicën e këngëve tjera.
Kënga “Identitet”, e dhjeta me radhë në historinë e këtij festivali, me fillim vitin 2004 kur Anjeza Shahini asokohe morri pozicionin e shtatë me “The Image of You” duket se nuk po merr pëlqimin edhe të publikut nëpër botë.
Webfaqja zyrtare e festivalit të Eurovizionit njëherë në dy javë poston anketa dhe votime nga vizitorët e saj të cilët shfaqin preferencat e tyre për renditjet në netët gjysmëfinale dhe këngët potencialisht finaliste. Shqipëria, e cila do të paraqitet në gjysmëfinalen e dytë të festivalit, në dy votime kryesore të zhvilluara deri tani ka marrë pak vota, kjo sa për ta kualifikuar të parafundën si të dëshiruar në finale, para shtetit të Armenisë.
2.86 ka qenë nota e parë që një juri jo zyrtare e Eurovizionit i ka dhënë këngës shqiptare, nga 10-të në total, duke e futur Shqipërinë në vendin e 20-të nga 39 këngë që do të konkurrojnë gjithsej këtë vit në festival, transmetojne mediat shqiptare.
Edicioni i sivjetmë i festivalit është i 58-ti me radhë dhe mbahet në Malmo. Sejko dhe Lulgjuraj këndojnë të 14-tët në gjysmëfinalen e dytë, midis 17 pjesëmarrësve të tjerë si Azerbajxhani, Armenia, Rumania e Zvicra. /Indeksonline/