"Në këtë krizë, gjithkush del në TV"

Mc Kresha ka lënë pas një vit të suksesshëm, i cili u karakterizua me publikimin e albumit të tij të ri, titulluar "Air Force 1", për realizimin e të cilit kishte punuar intenzivisht.
“Viti 2012 ka qenë shumë i suksesshëm. Kam nxjerrë në shitje “Air Force 1 - Fly wit' us in us U trust”. Kam realizuar videoklipin e “"Çok Güzel”, që është pritur mirë. Kjo këngë është realizuar për qejfin e atyre që e kuptojnë hip-hopin e kësaj natyre”, ka thënë MC Kresha për Indeksonline. Kënga me titull "Çok Güzel", është shkëputur nga “Air Force 1”, ndërsa është një kombinim i vargjeve të rrepta, përcjellë me tinguj të lehtë oriental në prapavijë. Muzika është punuar nga Koco & Torch Music, ndërsa videoklipi është realizim i produksionit "Pulla". "Çok Güzel" ngjanë me një film të metrazhit të shkurtër, ku MC Kresha ka shfaqur edhe aftësitë e tij aktruese. Pas një sërë bashkëpunimesh të suksesshme me këngëtaret më të popullarizuara shqiptare si Elvana Gjata, Leonora Poloska, Aurela Gaçe, Rozana Radi e Nora Istrefi, reperi do të fillojë vitin 2013 me një bashkëpunim shumë të veçantë. Ai ka paralajmëruar publikimin e projektit muzikor me anëtarin e grupit KAOS, Lumi B në këngën e titulluar ''Vront". “Kënga me Lumin do të jetë befasi dhe është në stilin muzikor trap, një stil që ne e bëjmë shumë moti në këto anë. Po mundohemi t’i kënaqim fansat tonë e po shpresojmë t’ia arrijmë në këtë krizë ekonomike, ku gjithkush del në televizion”, ka shtuar tutje reperi mitrovicas për Indeksonline. Trap është zhanër hibrid i muzikës, që zakonisht ndërthurë elemente nga muzika hop-hop, crunk, dub dhe house. Kreshnik Fazliu i njohur si Mc Kresha, me lansimin e albumit të tij të parë, “Patika e mija'’ ka arritur të bëhët një ndër rep-këngëtarët shqiptar më të kërkuar . Mitrovicasi 28 vjeçar cilësohet si ''një ndër reperët më rebelë të Kosovës''. /Rozafa Kelmendi/Indeksonline/